Rama i bën ftesë zyrtare LSI-së për bashkëpunim parazgjedhor

385
Sigal

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Kryesocialisti Edi Rama ftoi zyrtarisht LS-në për t’u bashkuar me PS-në në koalicionin parazgjedhor, në mënyrë që siç tha ai, shumicës së vendit t’i kthehet e drejta për të qeverisur. Ndërsa shpjegoi arsyet e këtij vendimi, duke cilësuar si prioritare interesat e shqiptarëve dhe garantimin e zgjedhjeve, Rama tha se, “në kushtet, ku ndodhet vendi, vetëm një koalicion forcash me vullnetin e madh për bashkim mund ta izolojë Berishën dhe planin e tij të lexueshëm për vjedhjen e zgjedhjeve”. Më tej, Rama theksoi se, Partia Demokratike nuk mund të përfitojë më nga ndarja e socialistëve të Shqipërisë. “Nga ky bashkim do të humbiste vetëm PD, e cila ka përfituar 8 vjet rresht falë manipulimeve zgjedhore dhe mosmarrëveshjeve në kampin tonë. Sot duhet bashkim, askush që do rotacionin nuk duhet t’i trembet këtij bashkimi. Nga ky bashkim do të fitonte çdo njeri i zakonshëm në këtë vend, që prej 8 vjetësh nuk voton dot i lirë, nuk mendon dot i lirë, për shkak të shantazhit politik të kryeministrit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë arsye të dyshojnë fort sot se vota përsëri është e kërcënuar nga vjedhja, ashtu siç kanë arsye të mendojnë se e ardhmja e këtij vendi është peng i historisë që përsëritet”,- theksoi Rama. Në pritje të përgjigjes zyrtare të LSI-së, Rama theksoi se PS pret që partia e Metës t’i përgjigjet ftesës duke u nisur nga interesi i vendit dhe së majtës shqiptare. Rama mirëkuptoi edhe qëndrimet e kritikëve për këtë vendim, por theksoi se bashkimi i së majtës është rruga e fitores, që i jep socialistëve pushtetin për të sjellë ndryshimin. “E di që e shkuara ka hijen e saj, por kur politika nuk e kapërcen dot të shkuarën, e shkuara mban peng politikën. Ne jemi këtu për të mos lejuar që e ardhmja t’i ngjajë së shkuarës. Nuk pres që sot të gjithë të më jepni të drejtë, pres vetëm që të më kuptoni se unë dua të fitoj për të gjithë ju dhe kjo është rruga e fitores që na jep pushtetin për të ndryshuar gjërat. Ne jemi PS dhe jemi bërë për të fituar dhe jo për të nguruar atëherë kur mund të udhëheqim”,- u shpreh Rama.

Mbledhja e kryesisë ku u zyrtarizua dhe ftesa që PS-ja i drejtoi LSI-së për një koalicion në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, është karakterizuar me debate të shumta. Kundra këtij vendimi dolën Arta Dade, Erjon Braçe, Pandeli Majko. Braçe shprehet: “Ti e di, unë jam kundër. Madje, me ç’po shoh, qenka një parti e tërë kundër”.