Rama është i ikur dhe i fikur. Shpresa e vetme është të mbushë kutitë e votimit me kobure

715
Sigal

Intervistë  me Marko Dajtin, kryetar i Frontit të Majtë: Vetë mënyra sesi Rilindja filloi fushatën elektorale është demonstrim force, dhuna e bandave do ushtrohet deri në numërimin e votës së fundit. Rama i tradhëtoi qoftë idealet e Majta, qoftë edhe anëtarët e PS, duke u shndërruar në kreu e një organizate kriminale me emrin Rilindje. Shqipëria nuk mund të nxirret në treg si brekët e Xhevries e ta blejnë për 2 lekë oligarkët dhe mafiozët. Qeveria përdor para të zeza për të joshur ndërkombëtarët

 

Marko Dajti, kryetar i Frontit të Majtë

Sulltan Ramës dhe Taulant beut po i bien poturet dhe “trimat” po mundohen t’u mbajnë ushkurin e benevrekëve me tytat e kobureve

Rama është i ikur dhe i fikur. Shpresa e tij e vetme është të mbushë kutitë me kobure në dorë, si Hitleri

Gazeta Telegraf

Marko Dajti, kryetar i Frontit të Majtë në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se ngjarjet e dhunshme në Elbasan, janë një demonstrim force nga qeveria dhe dhuna e bandave kriminale, me mbështetjen e shtetit do të ushtrohet deri në numërimin e votës së fundit dhe kjo do të zhvillohet në trekëndëshin Tiranë-Elbasan-Durrës. Shoku Dajti, duke analizuar qeverisjen 8 vjeçare të kryeministrit Rama, thotë se “Cosa Nostra” e Rilindjes dhe oligarkët e Ramës kanë grumbulluar gjithë pasurinë, ndërsa shqiptarët vuajnë. Shoku Dajti kritikon drejtpërdrejt kryeministrin Rama, duke pohuar se përdor femra dhe paratë e zeza për të joshur ndërkombëtarët. Ndërkohë, shoku Dajti shprehet se Ilir Meta, si President I Shqipërisë është i një brumi tjetër, dhe është gati të veshë uniformën ushtarake, në rast të një rreziku të madh të Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk mund të nxirret në treg si brekët e Xhevries, që ta blejnë për dy lekë ologarkët dhe mafiozët e Ramës.

 

-Shoku Dajti, si e vlerësoni situatën politike, 35 ditë nga zgjedhjet parlamentare?

– Situata politike është e rëndë. Opozita sot është përballë regjimit të Edi Ramës, që ka shtënë në dorë të gjitha pushtetet dhe që do tentojë me të gjitha mënyrat për të mbajtur pushtetin. Vetë mënyra si po fillon fushata, është demonstrim force. Dhunë fizike, psikologjike, e shoqëruar me një propagandë që synon më shumë të godasë opozitën, sesa të tregojë se çfarë ka bërë në tetë vite kjo qeveri. Realisht, nuk kanë çfarë të tregojnë. I vetmi sukses, është shitja e pasurive kombëtare, nëpërmjet koncensioneve.

– A mendoni se ngjarjet e 14 marsit në Elbasan, ishin inskenim i Rilindjes, për të demonstruar forcën e dhunës ndaj kundërshtarit politik dhe qytetarëve?

– Jo vetëm që ishin një inskenim për demonstrim force, por edhe një sinjal i qartë se dhuna e bandave kriminale, me mbështetjen e shtetit do të ushtrohet deri ditën që do të numërohet edhe vota e fundit. Duhet theksuar se beteja më e ashpër për vota do të zhvillohet në trekëndëshin Tiranë-Elbasan-Durrës, ku është e përqendruar më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dhe është pikërisht ky trekëndësh strategjik që është dominuar në këto vite ekonomikisht dhe politikisht nga bandat kriminale. Ka ardhur koha që këto banda të paguajnë “haraçin” qeverisë që i ka përkrahur, duke mbushur thesin me vota. Nuk ishte rastësi që provokimi filloi në Elbasan, një qytet që ka qenë “nën kujdesin e posaçëm” të Edi Ramës, për shkak të lidhjeve të rëndësishme te  vjetra dhe të reja. Por incidente dhe përplasje do të shohim padyshim edhe në qarqe të tjera në ditët që do vijnë. Ish-kultivuesit dhe trafikantët e drogës, që kanë mbjellë dhe trafikuar nën kujdesin e posaçëm të qeverise, do përdoren edhe në fushatë. Por situata në Elbasan është ndër më të rëndat në Shqipëri. Aq e rëndë është situata, sa edhe ambasadorja amerikane, që njihet për mbështetjen ndaj qeverisë, u detyrua para ca ditësh, pas presionit të opozitës, të shkonte në Elbasan dhe të ngrinte zërin për të dënuar “blerjen e votave”.

– A është e dyshimtë, pse deri tani prokuroria ende nuk ka filluar hetimet ndaj atyre personave që ishin me kobure në brez, në qendër të Librazhdit?

– Këta ushtarë me kobure në brez janë nën komandën e Edi Ramës dhe Ballës sot jo vetëm në Librazhd, por në gjithë Shqipërinë. “Cosa Nostra” e Rilindjes dhe oligarkët pranë Ramës janë dy kategoritë e vetme që kanë grumbulluar pasuri gjatë këtyre tetë viteve të qeverisjes së Rilindjes, ndërsa gjithë shqiptarët e tjerë ose nuk kanë përfituar asgjë, ose janë varfëruar më tej. Nuk shikoj asgjë të dyshimtë në faktin që prokuroria nuk ka filluar hetimet. Reforma në Drejtësi e Sorosit e kapi edhe gjykatën, edhe prokurorinë. SPAK-u u krijua siç deshi Guvernatorja e Shqipërisë Kim, që duket se është tunduar nga të mirat e pushtetit. Kush “ka bythë” të hetojë njerëzit e Edi Ramës dhe Taulant Ballës?

– U publikua video e asaj dite, ku Taulant Balla në qendër të Elbasanit, i përshëndeste një e nga një ata “trima”, të cilët opozita i denoncoi se janë persona të botës së krimit. Ju besoni se nuk i njihte Taulanti ata që përshëndeste përzemërsisht?

– Taulanti njeh ata dhe shumë të tjerë si ata “trima”. Ata që nuk i njeh Taulanti, i njeh vetë Edi. Do shikoni edhe të tjerë “trima” në ditët që do vijnë. Sulltan Ramës dhe Taulant beut po i bien poturet dhe “trimat” po mundohen t’u mbajnë ushkurin e benevrekëve me tytat e kobureve.

– Shoku Dajti, a mendoni se kjo dhunë parazgjedhore që ushtrojnë segmente të botës së krimit, ndaj qytetarëve të cilët protestojnë “Rama ik!” është prolog i asaj që mund të ndodhë edhe në 25 prill?

– Nuk kam asnjë dyshim që regjimi i kalbur do mundohet të përdorë të gjitha mënyrat për manipulimin e votave: blerjen e votave, kërcënimet, dhunën, madje edhe presionin gjatë numërimit. Fijet që lidhin mafien qeveritare me krimin e rrugës janë të shumëfishta. Interesat janë të përbashkëta pas, nëse fiton sërish Rama, i hapet edhe më shumë “autostrada” bandave që terrorizojnë qytetarët e ndershëm. Rama është i ikur dhe i fikur. Shpresa e tij e vetme janë të mbushë kutitë me kobure në dorë si Hitleri. Por, nëse guxon ta bëjë, edhe fundin si Hitleri do ta ketë.

Kësaj here mazhoranca ka të gjitha pushtetet. A përbën kjo mundësi që mazhoranca ta ketë më të lehtë manipulimin dhe vjedhjen e votës? Kemi parasysh, se vjedhja e manipulimi i votës të dëshmuara nga dosjet 339 dhe 184 nuk u ndëshkua nga SPAK.

– Nuk kam besim as te prokuroria, as te SPAK-u, pasi nuk ka vullnet politik për ta bërë realisht prokurorinë e pavarur. E patë si u zgjodh Prokurorja e Përgjithshme me votat e mazhorancës dhe u bë kukull në duart e tyre. Në kohën e Arta Markut u “varrosën” dosjet 339 dhe 184. Dhe akoma aty janë. Duke mos ndëshkuar ata që vodhën zgjedhjet katër vjet më parë, është dhënë qartazi sinjali se nuk do ndëshkohen ata që do vjedhin e manipulojnë edhe këtë radhë. Por sot situata është ndryshe. Pavarësisht nga çfarë mund të tentojë të bëjë, Rama është i ikur. Kjo do të bëjë që edhe ata që e mbështesin me armë apo me forma të tjera të paligjshme, të përfundojnë aty ku kanë vendin dhe Shqipëria të çlirohet një herë e mirë nga bandat e lidhura me “Cosa Nostra”, Camorra”, “Ndragheta” apo klane të tjera mafioze ndërkombëtare.

– A mendoni se vota në 25 prill do të mbrohet nga manipulimi, vjedhja nga institucionet shtetërore, apo nga vëzhgimi i ndërkombëtarëve?

– Beteja është padyshim e vështirë, pasi Rama nuk rrezikon vetëm pushtetin, por edhe burgun për gjithë çfarë ka bërë në këto tetë vite. Rreziku i manipulimit është shumë i lartë dhe vota duhet mbrojtur deri në kutinë e fundit. Nuk duhet mbajtur shpresa tek ndërkombëtarët, pasi ata, si gjithmonë, të qethin e të rruajnë me briskun e qeverisë. Por unë mendoj se pakënaqësia e shqiptarëve është aq e madhe saqë, çfarëdo që të bëjë Rama, thjesht do thyejë qafën. Populli të mbyt edhe me pështymë, jo më me vota.

– Shoku Dajti, ju vetë, çfarë mënyre propozoni që opozita të mbrojë me çdo kusht votën?

– Mobilizim i jashtëzakonshëm në çdo kuti votimi, vigjilencë gjatë gjithë procesit, deri në numërimin e votës së fundit. Duhen përgatitur komisionerët dhe numëruesit e votave të jenë në gjendje të përballojnë çdo formë presioni. Populli duhet që Votën kësaj here ta mbrojë nga banditët dhe “Cosa Nostra” e Rilindjes me çdo sakrificë, edhe me përplasje, të mos tremben nga kërcënimet dhe dhuna e qeveritarëve, të mos shpresojnë tek ndërhyrja e ndërkombëtarëve.

A mendoni se në këtë situatë do të jetë i rëndësishëm roli i Presidentit të Republikës?

– Presidenti i Republikës është shprehur në një mori rastesh në mbështetje të kushtetueshmërisë dhe ligjit. Ai përfaqëson unitetin e popullit, dhe roli i tij institucional është i rëndësishëm me thirrjet që mund t’u bëjë palëve dhe ndërhyrjet për të garantuar mbarëvajtjen e procesit. Por kjo nuk mjafton. Cenimi i zgjedhjeve është njëkohësisht cenim i rendit kushtetues, të bazuar mbi zgjedhje të lira e të ndershme. Automatikisht, kjo sjell cenimin e sigurisë kombëtare dhe rrezikun e destabilizimit të vendit. Në këto kushte, Presidenti Meta duhet të ketë parasysh se është jo vetëm garanti i stabilitetit të vendit, por edhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Nëse presidentët e mëparshëm i kanë kryer këto detyra vetëm formalisht, unë besoj se Ilir Meta është i një tjetër brumi dhe është në gjendje të veshë deri edhe uniformën ushtarake në rast të një rreziku të madh për vendin. Fronti i Majtë do të jetë përkrah Komandantit të Përgjithshëm, qoftë politikisht, qoftë me burime njerëzore.

– Shoku Dajti, Fronti i Majtë, kë mbështet në zgjedhjet e 25 prillit dhe pse?

– Në 2013 unë isha përkrah Ramës me shpresën e një qeverisjeje më të mirë, por ramë nga shiu në breshër. Rama i tradhtoi qoftë idealet e majta, qoftë edhe vetë anëtarët e Partisë Socialiste, duke u shndërruar në kreun e një organizate kriminale me emrin Rilindje. Ne konstatojmë se Kryeministri Edi Rama, i cili erdhi në pushtet me premtimin për të anuluar koncensionet e paraardhësve të tij, jo vetëm nuk e mbajti këtë premtim, por lëshoi edhe më shumë sektorë të ekonomisë në duart e një grushti koncesionarësh, aq sa do t’ia kishte zili edhe ish-mbreti Ahmet Zog, që konsiderohet si simboli i turpshëm i shitjes së vendit tek të huajt. Duhet bërë ndryshimi në 25 prill, që Shqipëria të mos ketë më 7 prillin që po i bën gati Rama, siç e bëri gati Zogu. Fronti i Majtë në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti do të jetë pjesë e koalicionit të kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. LSI mbetet një forcë politike që realisht përfaqëson interesat e së Majtës, që është angazhuar seriozisht për çmontimin e politikës së koncensioneve dhe rikthimin e pasurisë kombëtare në duart e popullit, për mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit demokratik, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë shqiptarëve, për ndërprerjen e hemoragjisë që po e shndërron Shqipërinë në një tokë të zbrazur. Të gjithë ata që e ndjejnë veten të majtë, nuk mund të votojnë më Edi Ramën, që me poturet mavi të Rilindjes, po bën një politikë të zezë. Shqipëria nuk mund të nxirret në treg si brekët e Xhevrijes që ta blejnë për dy lekë oligarkët dhe mafiozët e Ramës.

– Si e gjykoni qeverisjen e kaluar të Partisë Demokratike, e cila sot kërkon të vijë sërish në pushtet?

-Shqiptarët e dinë shumë mirë se unë jam një kundërshtar i vjetër i Sali Berishës, në të dyja periudhat në të cilat ai ka qenë në pushtet. Por kjo nuk më pengon të jem realist në gjykim dhe të konstatoj se punët që bëri qeveria Berisha në vitet 2005-2013 janë si nata me ditën në krahasim me cfarë ka bërë qeverisja e Rilindjes. Berisha bëri Rrugën e Kombit dhe mijëra kilometra të tjera rrugë, ndërsa këta nuk mbaruan dot as 5 kilometra të unazës së Tiranës. Madje, edhe atë e bënë me skandale dhe me luftë kundër popullit të vet. Të mos harrojmë se gjatë asaj periudhe u arrit hyrja në NATO dhe heqja e vizave për shqiptarët. Nga ana tjetër, malësori Berisha ishte shumë serioz dhe korrekt, si në politikë, kundrejt institucioneve dhe në marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Ndërsa “katunari i Surrelit” përdor femra dhe para të zeza për të joshur diplomatët perëndimorë. Berisha nuk lejoi shqiptarët të mbillnin kanabis, që pastaj t’ua sekuestronte, duke i futur në burg dhe t’i shiste për llogari të “Cosa Nostras” rilindase. As përdori paratë e drogës për të blerë vota. Ndërsa Rama ka qenë i pabesë, që me socialistët e vet, që i la rrugëve, e deri me gjithë shqiptarët, që u fliste me arrogancë duke përsëritur: Burg, burg, burg. Sot ujku duket me lëkurë qengji, se kërkon vota, por po qëndroi sërish në pushtet, do na e bëjë burg gjithë Shqipërinë.

– Shumë media, analistë mundohen të kultivojnë tek shqiptarët opinionin se vërtet Rilindja dhe kryeministri Rama nuk bënë asgjë në 8 vjet qeverisje, ama edhe opozita nuk ka program, dështuan në qeverisjen e tyre para 8 viteve, prandaj nuk ka më të mirë se Rilindja. A mendoni, se votuesi duhet të ketë këtë dilemë para kutisë së votimit?

– Të gjitha këto “argumente” janë një tymnajë për të mbrojtur pushtetin e Ramës, që nuk ka më asnjë argument për të vazhduar më tej. I marrim me radhë: Rilindja nuk bëri asgjë në tetë vjet, thonë këta analistët. Nuk është e vërtetë. Bëri një krim: e shiti pasurinë kombëtare te miqtë dhe klientët e Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj. Opozita nuk ka program, thonë këta analistët. Përkundrazi, opozita ka një program të qartë, ndërsa programi i Ramës është të sulmojë programin e opozitës. E mbani mend me çfarë programi mbajti pushtetin katër vjet më parë Rama? Vetëm 3 pika kishte: Kam atlete të bukura, dua tepsinë, më jepni timonin. Atë program keni prapë nga Rilindja. Po përveç këtyre, programet janë të dorës së dytë. Kryesorja është mënyra se si menaxhohen paratë e shqiptarëve. Kur ishte në pushtet PD-ja, shumica dërrmuese shkuan për rrugë, shkolla, spitale, rritje rrogash e pensionesh, ndërsa një pjesë e vogël u vodhën. Se korrupsion do ketë gjithmonë, diferenca është në çfarë përmasash është. Në qeverinë e Rilindjes, një pjesë e vogël shkoi për rrugë, shkolla e spitale dhe akoma më pak për rritje rrogash. Pensionet nuk u rritën fare. Ndërsa shumica dërrmuese e parave shkoi në xhepat e një grushti njerëzish pranë Ramës. Dilemën përpara kutisë së votimit, njerëzit duhet ta zgjidhin në mënyrë të thjeshtë: Nëse ka shqiptarë që janë pasuruar në sajë të kujdesit të qeverisë Rama, le ta votojnë prapë. Ata që nuk kanë përfituar asgjë  ata qe u jan  grabitur pronat dhe janë varfëruar gjatë këtyre tetë viteve, pensjonistet qe per tete vite nuk u ngriten pensjonet  të  votojne LSI. Dhe ta shohim pastaj si del rezultati.

– Faleminderit!