Rama: Durësi do votojë Rilindjen, jo rrënimin, Europa na pret me derën hapur

403
Sigal

Kryesocialisti prezanton kandidatët e Durrësit: Kërkojmë votën për të rilindur Shqipërinë

Partia Socialiste ka prezantuar dje kandidatët për deputetë në qarkun e Durrësit, të cilët,  do të përfaqësojnë ëndrrën dhe shpresën për të shkuar përpara. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili e nis fjaliminin e tij duke përmendur 9 Majin, Ditën e Europës. Gjatë fjalës së tij, ai nënvizoi se kjo festë i ka dyert e hapura për Shqipërinë. “Sot është dita e Europës, 9 maji që Europa e përkujton çdo ditë, si ditën e çlirimit nga një e keqe shumë e madhe ditën e rilindjes dhe çlirimit nga nazizmi, ditën e Europës që na pret me derën hapur. Në këtë 9 maj nuk kishte vend më të mirë për të filluar pjesën e fundit të fitores sonë se sa Durrësi, porta e vjetër e Europës për Shqipërinë. Sot jam krenar që kam ardhur këtu me skuadrën për rilindjen e Durrësit. Ata përfaqësojnë nevojën për të shkuar përpara, ëndrrat dhe shpresat e njerëzve të zakonshëm për tu zgjuar me shpresën se do kenë një punë dhe se do kenë të sigurt të ardhmen e fëmijëve. PS do rilindë Durrësin. Kjo skuadër do i sjellë PS fitoren më 23 qershor”, tha Rama. Për kreun e PS-së Rama durrsakët kanë sot shumë arsye për të votuar PS, ndërsa nënvijëzoi i bindur se në këtë qytet kjo forcë do arrijë një fitore historike. “Nga kjo tribunë shpreh bindjen se kështu si sot më shumë dhe më të bashkuar se kurrë do t’ja dalim të realizojmë në Durrës një fitore historike për të majtën e bashkuar dhe për cdo njeri që do vendosë t’i japë fund me ne rrënimit. Durrësi ka shumë arsye që më 23 qershor duhet të votojë PS, arsye që janë në librat e borxheve të ushqimoreve. Të gjithë ata që jetojnë në fshat duket të votojnë PS. Vota për PS që sipërmarrësit t’ja dalin përmes talentit dhe mundit në rrugën e konkurrencës, kostot e prodhimit të ulen, që familjet në fshat të prodhojnë më shumë dhe të shesin me çmime më të ulëta, që shërbimi shëndetësor të mos jetë më mall për tu shitur por shërbim shëndetësor falas. Vota për ne për një Shqipëri të pastër, jo të mbytur nga plehrat. Vota për PS që t’i japim fund rrënimit të Krujës, ta kthejmë në vendin e krenarisë kombëtare. Është vota për të rilindur ëndrrat dhe shpresat, ta bëjmë Shqipërinë atdheun e përbashkët të çdo shqiptari, të bëjmë të mundur që frika të iki nga klasat e shkollave, zyrat e administratës e shpirti i çdo shqiptari, që të mos mbahet njeri peng me bukën e gojës duke u marrë peng nëpër koncertet e qeverisë. Që të mos kenë frikë të protestojë përkrah opozitës”, tha Rama. Sipas tij, “Durrësi do votojë rilindjen dhe jo rrënimin, mbështetjen ndaj biznesit të vogël, jo shkatërrimin e tij, taksën progresive dhe jo taksën e ulët, do i hapi rrugë një Shqipërie të pastër. Pushtetit të korruptuar po i afrohet fundi, të dalim derë më derë dhe të kërkojmë votën për të ndryshuar njëherë e mirë Shqipërinë”, shtoi ai.