Rama dhe Soreca pranojnë indirekt se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat

514
Sigal

Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca kanë pranuar indirekt për Euronews se nuk presin që Shqipërisë t’i hapen negociatat për anëtarësim në muajin tetor.

Në fakt Kryeministri Rama qahet se fajin e bllokimit të radhës e ka situata skeptike që mbizotëron vendet e Bashkimit Evropian:

Duhet të përballemi me atë që… gjithnjë e më shumë vendim-marrja e Këshillit nuk bazohet në atë që ne bëjmë, por në situatën e brendshme ose në dinamikën e brendshme politike në shtete të ndryshme anëtare.

Sipas Kryeministrit, qeveria e tij i ka përmbushur detyrat e lëna nga BE-ja.

Por sidoqoftë niveli i përmbushjes së tyre, në muajt e fundit vendi është trazuar nga një krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale, përgjegjësia e së cilës ka qenë kryesisht e tija.

Socialistët kanë injoruar Presidentin që kishte vendosur me dekret shtyrjen e zgjedhjeve. Ky i fundit i pati thirrur disa herë palët të dialogonin zgjidhje, por Rama i injoroi të gjitha ftesat dhe nisi edhe procedurat për shkarkimin e tij.

Opozita, që pati djegur mandatet parlamentare, i bojkotoi zgjedhjet. Ajo ngriti shqetësime për përfshirjen e socialistëve në blerjen e votave në dy procese të ndryshme zgjedhjesh.

Një seri përgjimesh u bënë publike nga gazeta gjermane Bild. Zërat e një grupi të lartë të Partisë Socialiste, përfshirë edhe Ramën, trazuan edhe më tej opinionin publik për atë se çfarë kishte ngjarë në zgjedhjet e Durrësit dhe Dibrës.

Nën këtë trysni më 30 qershor një pjesë e madhe e qytetarëve refuzuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit ku në 31 Bashki kishte vetëm kandidatë socialistë.

Por pavarësisht se ishte proces në shkelje të Kushtetutës dhe pavarësisht nivelit të ulët të pjesëmarrjes, socialistët pretenduan fitoren dhe morën drejtimin e të gjitha Bashkive.

Tensionet politike janë shtuar muajt e fundit edhe për shkak të amullisë që ka sjellë reforma në drejtësi, e cila ka lënë Gjykatën Kushtetuese jo-funksionale.

Dekretet e Presidentit nuk janë rrëzuar nga asnjë gjykatë. Dekreti i dytë për zgjedhjet ka vendosur që ato të mbahen më 13 tetor.

Tre parti kanë kërkuar që procesi të nisë, por socialistët duke bojkotuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po bëjnë që edhe dekreti i dytë i Presidentit të mos zbatohet.

Kjo është panorama e përgjithshme e muajve të fundit në Shqipëri, që zor se nuk ndikon në proceset integruese.

E megjithëse në të tillë situatë, Kryeministri Rama është me pushime. Intervista me Euronews është zhvilluar në jug të vendit, me gjasa në një nga vilat qeveritare.

Brukseli, Berlini e Parisi kërkojnë nga vende si Shqipëria nivel të lartë qëndrueshmërie politike, respektim të ligjit dhe parimeve demokratike, por edhe pse këto gjëra Rama i ka shkelur rëndë muajt e fundit, sërish sipas tij fajin e kanë vendet e Bashkimit Evropian, që i tremben zgjerimit.

Në intervistën me Euronews Rama flet edhe për përparësinë që ka marrë Maqedonia e Veriut kundrejt Shqipërisë duke u ndarë nga procesi, gjë që sipas Kryeministrit është e dëmshme për rajonin:

Kjo do të jetë jo-strategjike, kjo nuk do të jetë shumë largpamëse, kjo do të jetë goxha taktike dhe e dëmshme për rajonin dhe ndërkohë mendoj se do të jetë e padrejtë sepse… po Maqedonia (e veriut) bëri një progres mahnitës përmes marrëveshjes së Prespës dhe sigurisht ata e meritojnë të shpërblehen për këtë, sepse e kanë merituar, por pyetja është, a duhet medoemos ndonjë konflikt që të shpërblehesh për atë që bën?!

Ndërkohë ambasadori Luigi Soreca flet për institucione që duhet të punojnë si tërësi ndërsa për herë të parë gjatë kësaj vere ka përmendur edhe narkotrafikun:

Ka hapësira ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë të punojnë si: lufta kundër korrupsionit – që është një luftë e përditshme – lufta kundër krimit të organizuar… trafiku i drogës po ndryshon lëkurën.

Zëri i Amerikës raportoi këtë javë se kultivimi i marijuanës është rikthyer në fshatrat e jugut dhe po kështu edhe në Lazarat.

Televizioni publik italian Rai 3 transmetoi një reportazh ku fliste se si ka rifilluar kultivimi i marijuanës në një të tretën e Shqipërisë.

Gjithashtu në këtë reportazh u fol se si grupet shqiptare të narkotrafikut kishin menduar të përdornin edhe nëndetëse për trafikun e kokainës.

Kontributi i Sorekës gjatë këtyre muajve ka qenë i padukshëm.

Në asnjë rast ai nuk u deklarua në mbështetje të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve. Edhe për luftën ndaj narkotrafikut ai nuk ka thënë asgjë.

Në tërë këtë situatë Rama e Soreca i përgjigjen Euronews-it sikur të ishin në një vend tjetër dhe jo në Shqipëri.

Megjithatë, ndryshe nga herët e shkuara, ata nuk garantuan lajm ndryshe për tetorin. Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat.