Kryeministri Edi Rama bashkë me aleatin e tij Ilir Meta në vijim të prezantimit të kandidatëve të disa bashkive në vend, është ndalur sot edhe në Përrenjas, ku ka prezantuar kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Europiane për këtë bashki, Miranda Rira, e cila vjen nga LSI. Rama tha se kandidatja Rira është një partnere e cila do të mbështetet për çdo projekt nga qeveria në mënyrë që Përrenjasi të nisë ndryshimin.
“Kudo ku drejtojnë kryetarët e bashkive të PD-së nuk mendojnë të realizojnë projekte, për fat të keq këtë e paguajnë komunitetet. Miranda Rira është kandidate e PS-së po aq sa e LSI-së. Mbështetje maksimale kandidates së ASHE. Rira një partnere që do jemi të gatshëm ta mbështesim për çdo projekt që edhe në Përrenjas të nisë ndryshimi. Kantieret e rilindjes të preken dhe këtu në Përrenjas”, tha Rama.
Ndërkaq kreu i Kuvendit, njëherazi kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se Rira do realizojë atë çka presin qytetarët dhe se është drejtimi i duhur.
“Krenar që mbështes Miranda Rirën. Kandidatja Rira do realizojë atë çka ju prisni për bashkinë tuaj të re. Le ta votojmë, është zgjedhja dhe drejtimi i duhur për bashkinë e Përrenjasit. Sfida e saj ta bëjë bashkinë e re që të rinjtë të mendojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, tha ai.
















