Rama: “Berisha si Nano. Flet me veten se i ka ardhur fundi”

461
Sigal

Kryetari i PS-së në mitingun përmbyllës në Kamëz ka krahasuar Berishën me Fatos Nanon

Kreu i PS-së, Edi Rama në mitingun përmbyllës në Kamzë, premtoi se brenda mandatit të parë të qeverisjes, do të legalizojë të gjithë banesat në zonat informale të vendit.  “Sa herë ka fushatë elektorale, dy tre muaj përpara, këta të integrimit, këta thonë o burra legalizime. U bënë çerek shekulli, ku i keni legalizimet, keni vetëm ca “Shaban tapi” në dorë që nuk i duhen dreqit. Unë kam ardhur këtu t’iu them se është koha për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë dhimbjesh dhe vuajtjes, për shkak të mungesës së legalizimeve. Ju zotohem solemnisht se qeveria e ‘Rilindjes’ dhe unë personalisht do angazhohemi me mish e shpirt që brenda mandati të parë, shtëpitë në zonat informale të jene kthyer ne pasuri të patundshme për të gjitha familjet që jetojnë në to”, premtoi Rama, duke vijuar se për këtë qëllim në fillim të mitingut elektoral nënshkroi kontratën për legalizimet me qytetarët e Kamzës, sipas së cilës kreu i PS-së u zotua, për procesin e legalizimeve falas, i cili do të përfundojë brenda mandatit të parë. “Kjo letër do rrijë këtu për 4 vjet, në syrin tuaj. Dhe për 4 vjet unë do jem këtu me ju dhe do bëjmë atë që katragjyshi nuk e bëri dot për çerek shekulli’, premtoi Rama teksa nënshkroi në posterin e madh të vendosur në podiumin ku u mbajt mitingu. Rama ironizoi edhe deklaratat e Kryeministrit Berisha në takimet elektorale të PD, duke e paralizuar se ish-lideri e së majtës Fatos Nano. “E keni dëgjuar që thotë unë jam Sali Berisha a thua kemi harruar. Si Fatos Nano… Unë jam Fatos Bano dhe prapa më vjen historia. Kështu janë këta flasin me vete kur i vjen fundit. Unë jam ai që e bëri Tiranën dhe do e bëjë dhe Kamzën si Tirana. Kush e do Kamzën si Tirana të votojë PS. Shikoni sa iu do Saliu dhe tek linja e urbanit ju ka ndarë vende-vende, se dhe me linjën e urbanëve bëjnë pazare me xhepat e shpuar tuaj. Me ‘Rilindjen’ Kamza dhe Tirana do jenë pjesë të njëjtit transport urban”, ironizoi Rama. Kryesocialisti Rama akuzoi kryeministrin Berisha se për çerek shekulli ka përhapur frymën e ndasisë veri-jug në vend, ndërkohë që hodhi poshtë akuzat e demokratëve, të cilën e fajësojnë se ka etiketuar veriorët si shpellar. “Po bëhet çerek shekulli që Saliu vijon t’iu mbajë peng, t’iu përdore si mish për topat e fushatave të tij elektorale, vijon t’iu trajtojë si një turme, që mund ta çojë ku të dojë duke ardhur dhe duke e mbjelle sa herë që vjen, farën e përçarjes, në Kamzë, Bathore, Paskuqan dhe zonat informate dhe lumenjtë e mllefit ndaj opozitës. Duke rrotulluar sa herë që vjen thikën e vjetër dhe te ndryshkur të një ndasie të trashëguar, që u shpik nga armiqtë e Shqipërisë, ndasia veri jug. Çerek shekulli që ky burrë është bërë kalorësi i kësaj ndasie. Ka çerek shekulli që përpiqet t’iu mbajë të ndarë nga kryeqyteti, t’iu mbajë të ndarë nga rruga e zhvillimit, se ju duhet që të jeni të papunë dhe të inatosur t’iu përdore sa herë ka fushata. Unë ja them këtu në shesh të burrave, nëse Saliu dhe gjithë arkivat e televizioneve dhe radiove te tij nxjerrin njëherë të vetme ku unë me figure apo me zë të kem përdorur këtë term për ju unë tërhiqem nga politika dhe iki nga Shqipëria. E dini sepse në Shqipëri ka vetëm një shpellar dhe ai quhet Sali Berisha. Ai e ka kthyer Shqipërinë në shpellën e Ali Babës dhe 40 hajdutëve. Edhe Enver Hoxha të ngjallej nuk ju kthen nga ka ardhur”, u shpreh Rama.  “Shikoni si e shkruajnë fjalën integrim, integrem, sepse në mendjen e tyre ngatërrojnë grimin me grepin dhe duan t’iu mbajnë tek grepi i tyre, këta janë këta; këta injorantë që mbajnë peng Shqipërinë. Që i frynë zjarrit të ndasisë dhe ndasisë së shqiptarëve. Këta janë injorantët e mbuluan Shqipërinë me gënjeshtra dhe shpifje”, komentoi Rama një mbishkrim në një poster elektoral të PD-së.  Rama në përfundim të fjalës së tij ,i bëri thirrje të rinjve prindërit e të cilëve janë demokratë që të marrin fatin e tyre në dorë. “Ka ardhur koha që ta marrë çuni babën për dore dhe t’i tregojë si të votojë”, tha Rama.

ILIR META: ROLI I LSI-SË ËSHTË JASHTËZAKONISHT I RËNDËSISHËM DHE PËRCAKTUES

Ilir Meta ka zhvilluar një takim mjaft entuziast me qindra banorë të kësaj njësie. Në fjalën e tij z. Meta i falënderoi strukturat e LSI-së në Njësinë nr. 9 për angazhimin dhe përkushtimin dhe gjithçka kane bërë deri më tani. Lideri i LSI-së u shpreh se, LSI ka treguar gjithmonë se di të sjellë energji pozitive për vendin, shoqërinë e jetën politike. “LSI di të sjellë emancipim, di të sjellë risi, di të çojë përpara integrimin në Bashkimin Europian si një proces jetik dhe i domosdoshëm për shoqërinë tonë dhe për vendin tonë. Ne e filluam në këto katër vite angazhimin tonë me kontributin e jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave dhe e përfunduam dy javë më parë duke arritur që me këmbëngulje, urtësi dhe mençuri, të bënim atë që nuk pritej, të miratoheshin tre ligjet që do ta afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian dhe do të japin statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Në këtë mënyrë do të përfitohen më shumë ndihma financiare dhe më shumë projekte për zhvillimin e vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës”, -tha ai. Ilir Meta,- tha se,- LSI është një forcë politike e cila kujdeset për njerëzit, një forcë politike me këmbë në tokë, një forcë politike që do dhe di të eci më shpejt dhe të ndihmojë të gjithë qytetarët që të ecin në rrugën e progresit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën punësimit, në rrugën e integrimit. “Ndaj më 23 Qershor rezultati për Lëvizjen Socialiste për Integrim do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm, sepse në radhë të parë ne do të kemi mbështetjen e të gjithë të rinjve të Shqipërisë që duan të ecin më shpejt”, vijoi z. Meta.

FATMIR TOÇI: “VOTA PËR PS-NË, MBJELL DHE RINGJALL SHPRESËN PËR TË ARDHMEN MË TË MIRË”

Kandidati i PS-së, për Qarkun e Vlorës, Fatmir Toçi është takuar me banorë të fshatrave të Bregut të Lumit në rrethin e Vlorës. Kështu dje kandidati Toçi ka zhvilluar bashkëbisedim me banorët e fshatit Tragjas. Pjesëmarrje dhe interesim i jashtëzakonshëm! Tragjasi i tërë u mblodh te Rrepet e Izvorit (monument kulture) ku ishte organizuar Këndi i Fjalës i kandidatit Fatmir Toçi. Merrnin pjesë kandidati Edmond Leka, Kryetari i PS-së Bashkia Vlorë, Kryetari i PS-së të rrethit Vlorë Xhevahir Çeloaliaj dhe drejtues të PS-së Bashkia Orikum, drejtues të pushtetit vendor etj.. Banorët e Tragjasit bënë shumë pyetje e shprehën shumë shqetësime në lidhje me problemet e shumta të fshatit të tyre e gjithë zonës përreth. Keqqeverisja e PD-së, mungesa e investimeve në infrastrukturë, grabitja e pronave, mashtrimet me legalizimet, mungesa e ujit të pijshëm, asnjë grant për frutikulturën, bujqësinë e blegtorinë, përpunimi i produkteve bujqësore, mungesa e mbështetjes për zhvillimin e turizmit e shumë çështje të tjera u diskutuan gjerë e gjatë nga të pranishmit në Këndin e Fjalës. Kandidati  për deputet i PS-së, zoti Fatmir Toçi, dha sqarime të hollësishme mbi programin qeverisës së PS-së në lidhje me gjithë problematikën që ngritën banorët e Tragjasit. Këta të fundit shprehën besimin e tyre te programi i Rilindjes dhe deklaruan se fshati Tragjas do të votojë pothuajse i tëri alternativën e vetme të zhvillimit, Nr.29, Partinë Socialiste!