QSUT jep pa garë edhe 500 mijë euro, firmës për Covid-19

344
Sigal

Kompania e cila fitoi tenderët “sekret shtetëror” për Covid -19 disa muaj më parë, vazhdon të marrë para në tendera të tjerë të zhvilluar nga Spitali “Nënë Tereza”. Pas 1.5 milionë euro që fitoi në fshehtësi, firma “FEDOS” ka arritur të marrë edhe 500 mijë euro pa garë. Sipas dokumenteve të tenderit që ka siguruar “Bold News”, QSUT ka bërë një tender pak ditë më parë me procedurën e negocimit paraprak të kontratës. Pra, me këtë procedurë, drejtori Enkelejd  Joti ka anashkaluar kompanitë e tjera dhe i ka dhënë përparësi pikërisht “FEDO”-s për ta fituar këtë procedurë.  Megjithëse pandemia është futur në muajin e nëntë në Shqipëri, ende institucionet duken të “papërgatitura” dhe bëjnë tendera sekretë apo vetëm me një firmë në garë. Në vend që të bënin një parashikim vetëm disa mujor, pasi kemi edhe një grup ekspertësh të cilët kanë përcaktuar se me këto ritme pandemia mund të zgjasë deri në verën e vitit 2021, Spitali “Nënë Tereza” vijon të bëjë tendera vetëm me një firmë në garë. Madje, këto firma fitojnë me 98 deri në 100 % të fondit limit të akorduar. Sipas këtyre dokumenteve, Drejtoria e Spitalit “Nënë Tereza”, ka shpallur fituese këtë kompani me “procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Objekti i tenderit ka qenë “blerje artikuj për masa mbrojtëse personale për përballimin situatës së Covid-19 për 2 muaj”. Sipas dokumenteve, këto para jepen pa garë pasi tenderi kryesor i cili po realizohet nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk është kryer. QSUT pohon se, marrëdhënia me këtë kompani mund të shkëputet, nëse realizohet tenderi kryesor nga MSH me objekt “blerje artikuj për masa mbrojtëse personale për përballimin e situatës Covid-19”, me afat 12 muaj. Pra, dështimi i procedurës së mëparshme ka “detyruar” QSUT-në të bëjë tender emergjent. Paaftësia organizatove e strukturave shtetërore po u kushton shtrenjtë shqiptarëve, pasi nga njëra anë jetët e humbura dhe nga ana tjetër shpenzimet pa kufij për të blerë këto artikuj. Nëse do t’i referohemi dokumenteve, rezulton se për këtë tender QSUT ka ofruar 64.640.457 lekë me TVSH (rreth 500 mijë euro). Në “garë” ka marrë pjesë vetëm një kompani, pikërisht kompania “FEDOS” Shpk, e cila ka ofruar 64.280.016 lekë me TVSH. Pra, rreth 99 % të fondit limit të akorduar nga QSUT. Mësohet se, kompania është ftuar në drjtorinë e QSUT ku do të lidhë edhe kontratën me drejtorin  Enkelejd  Joti.  Sipas hulumtimeve rezulton se “FEDOS” ka fituar të tjera tendera nga Ministria e Shëndetësisë për Covid 19. Madje, tenderat të ashtuquajtur “sekret shtetëror”, pa garë, duke marrë miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Sipas vendimit 276, të datës 6 prill 2020, kryeministri Edi Rama ka marrë vendimin “për miratimin e kontratës për blerje artikuj mjekësorë…” me kompaninë “FEDOS”. Arsyeja e lidhjes së kontratës në atë kohë, kishte të bënte me situatën emergjente, ndërsa kontrata nuk u publikua në Agjencinë e Prokurimit Publik. Këtë procedurë e ka denoncuar edhe ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili ka publikuar disa dokumente të 4 tenderave të cilësuara ”sekret shtetëror” nga Ministria e Shëndetësisë. “Virusi i vjedhjes me tendera “sekrete” është përhapur masivisht në qeverinë shqiptare. Pas Ministrisë së Shëndetësisë, edhe Ministria e Drejtësisë ka bërë tender për materiale mjekësore anticovid. Me urgjencë, me shpejtësi dhe sigurisht, sekret! Fituesi, gjithnjë i paracaktuar! Kompania “FEDOS” shpk, është “fituesja” dhe përfituesja e parave të shqiptarëve, që nuk dihet si janë harxhuar. Tenderat e klasifikuar sekret i kanë mbyllur gojën qeverisë! Asnjë pipëtimë se ku shkuan 1.5 milionë euro të ushqimit të shqiptarëve. Asnjë shpjegim pse u bënë sekrete 4 tendera të Ministrisë së Shëndetësisë”, do të shkruante Alibeaj.

somario

Kompania “FEDOS” shpk, është “fituesja” dhe përfituesja e parave të shqiptarëve, që nuk dihet si janë harxhuar. Tenderat e klasifikuar sekret i kanë mbyllur gojën qeverisë! Asnjë pipëtimë se ku shkuan 1.5 milionë euro