Jeta Dedja: Gjithë fajin e ka Kryepatronazhisti

280
Sigal

Kush janë patronazhistët? Janë bashkëpunëtorë dhe viktima të një sistemi që për hir të një rroge në fund të muajit kanë pranuar kushtet e punës. Patroni i madh, që është sistemi i korruptuar politik, i ka vënë përpara ca detyrime këtyre patronazhistëve të vegjël, që t’i përmbushin brenda një afati të caktuar, në të kundërt, patroni i flak në rrugë për t’i zëvendësuar me ata që presin në radhë.

Patronazhistët pranojnë të raportojnë në bazën e partisë për komshiun, shokun, kushëririn, madje edhe për të panjohurin. Ata më të zellshmit shkojnë më larg duke komentuar dhe lokacionin social të klientëve, apo duke u ofruar të ndikojnë në votën e atyre që kanë marrë nën patronazh e pse jo edhe t’i pengojnë të hedhin votën, kur hasin në bindje të forta.

Çdo parti ka patronazhistë, por jo çdo parti përdor të njëjtin emërtim. Diku mund të quhen operatorë, diku kujdestarë, diku koordinatorë. Të gjithë këta mbledhin të dhëna poshtë e lart nëpër lagje. Kush e kush të shënojë sa më shumë emra në listë e të lëvdohet në bazën e partisë për sukseset që ka arritur. Dhe e dini çfarë? Plot zgjedhës ua japin pa teklif kartën e identitetit, numrin personal, certifikatën, preferencën politike sepse shumë prej tyre duan ta kenë mirë me të gjitha partitë. Duke figuruar në disa parti, kanë shanse për të siguruar ndonjë të mirë pas zgjedhjeve.

Pra si rrjedhim, vetë zgjedhësit bëhen bashkëpunëtorë të patronazhistëve të tyre dhe direkt apo indirekt u kanë dhënë konsentin për përdorimin e të dhënave. Është e drejtë kjo? Jo, normal që jo.

Prandaj problemi i valës së zemërimit dhe talljes me patronazhistët qëndron tek pjesa ligjore e dakordësisë dhe tek ata që dje morën vesh se kanë një patronazhist. Këta punonjës partiakë ndodh të mos prezantohen tek personat që kanë marrë nën patronazh. Unë nuk e njoh patronazhistin tim, as nuk e kam idenë se kush është. Mendoj se thjesht partia i ka dhënë një listë emrash sipas zonës së banimit që ai të kujdeset për mbledhje informacioni. Patronazhisti im do më ketë survejuar online mesa duket dhe ka nxjerrë konkluzione për preferencën time. Më pas përmes zgjatimeve institucionale që partia në pushtet ia ka vënë në dispozicion ka marrë të dhënat e mia dhe i ka hedhur në sistem. Mua nuk më ka pyetur fare, se ndoshta sipas tij unë si shtetase e Republikës së Shqipërisë ia kam falur të dhënat e mia shtetit që t’i përdorë si të dojë e kur të dojë dhe patronazhisti si një lloj kujdestari ligjor i imi mund të ketë akses në to. Ndjesia që përjetoj është njëlloj si në ato raste kur gjykata merr vendim t’i heqë një personi zotësinë për të vepruar. Pra unë ndihem juridikisht me një kujdestar ligjor. E rëndë apo jo?

Ndërsa patronazhisti i një mikeshës sime, qëlloi të jetë dikush që ka qenë në një klasë me mua në fakultetin e Drejtësisë. Ajo punon juriste në administratën Rama, ka dy fëmijë. Dikur ka qenë demokrate e flaktë. Them se për hir të punës ka ndërruar Patron. Dje i shërbente atij, sot këtij, nesër atij. Ajo nuk është prezantuar tek mikesha ime si patronazhiste dhe kjo përbën një gabim nga ana e saj dhe të drejtën e mikeshës sime për t’i vënë epitete të ndryshme si fukse, spiune, hije, etj.

Po çfarë t’i bëjmë ne kësaj gruaje? Ta shajmë, telendisim publikisht. Ja e bëmë edhe këtë, po vallë e shkulëm të keqen apo mjaft që nxorrëm dufin?

Patronazhistët janë skllevër të Patronit të madh. Ata janë të kamxhikuar që herët në mëngjes kur marrin detyrat e ditës. Ata zbatojnë urdhrat e Patronit. Sot këta skllevër po kamxhikohen publikisht. Janë koka turku që Patroni i madh i kishte rezervuar për t’ua hedhur një ditë turmave. Turma jemi ne, populli i çuditur, zemëruar, shokuar apo argëtuar nga survejimi i pësuar pa konsensus të zëshëm. Ne populli i opresuar dje dhe sot, rrekemi të shfryjmë ndaj ca skllevërve në vend që t’i biem Patronit apo kryepatronazhistit.

Ne merremi me patronazhistët, ndërkohë Patroni i madh arrin qëllimin e tij të na distancojë nga votimi. Interesi i tij është të ketë sa më pak votues, të dekurajojë zgjedhësit, duke çuar mesazhe dhe shantazhe se Patronazhisti më i Gjatë di gjithçka për gjithkënd.

Prandaj unë mendoj që gjithë fajin e ka Kryepatronazhisti dhe se gallata me patronazhistēt nga rrjetet sociale të zhvendoset drejt prokurorisë dhe ne populli të kujdesemi për votën.