Qeveria shpërdoron paratë e buxhetit të 2021 për fushatën elektorale. Borxhi rritet me 580 mln euro

320
Sigal

Buxheti elektoral  i  2021-it, borxhi zgjerohet me  580 mln euro më 2021, shtesa 4,2% e PBB-së

Qeveria shpërdoron  paratë e buxhetit të 2021-it, për fushatën elektorale

Para disa ditësh, ministrja e Financave deklaroi në parlament se borxhi i PBB-së arriti 80 %, ndërkohë, që ka rënie të madhe të rritjes ekonomike. Përpos këtyre, qeveria vazhdon të bëjë tenderime të kushtueshme, me shifra  marramendëse  miliarda euro, mori borxh 680 milionë eurobond. Por, këta tregues ekonomikë, që dëshmonjë një ekonomi në recension të thellë, që po shkon drejt falimentimit, nuk e stepin qeverinë. Përkundrazi, qeveria po projekton për 2021, një buxhet  elektoral, duke rritur shumë shpenzime dhe investime, përtej çdo mundësie ekonomike. Qëllimi është, që qeveria, nëpërmjet  buxhetit  elektoral të 2021-it, të shpenzojë para sa më shumë për qëllime elektorale, të bëjë për vete sa më shumë elektorat, duke i joshur me para përmes investimeve, koncesioneve, tenderimeve, ndihmave. Qeveria ka në dorë edhe një “armë” financiare. Buxhetin për rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku siç dihet, nga ndihmat, nga huatë, nga financime të ndryshme, shumë donatorë shtetesh kanë dhënë mbi 1 miliardë euro e këto fonde, do të përdoren nga shtatori, më shumë për qëllime elektorale, domethënë, do të shpenzohen, në ato zona elektorale, ku ka leverdi më shumë partia qeverisëse e kryeministrit Rama.

Buxheti elektoral  i  2021-it

Qeveria synon të mbajë një nivel të lartë shpenzimesh buxhetore për vitin e ardhshëm, që përkon me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat do të ushtrojnë presion për rritjen e borxhit publik më së paku 4,2 për qind të PBB-së. Diferenca ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave, që përfaqëson edhe deficitin buxhetor, parashikohet të jetë më 2021 mbi 72 miliardë lekë, ose rreth 580 milionë euro.  Zgjerimi i borxhit të ri në këto nivele është sa 4.2 për qind e PBB –së së vitit që vjen që është parashikuar të jetë mbi 1,7 trilionë lekë. Gjatë vitit që vjen, të ardhurat buxhetore janë projektuar të jenë në nivelin e 505 miliardë lekëve me një rritje 13 për qind në raport me planin e rishikuar të këtij viti. Qeveria është treguar optimiste në parashikimin e saj, pasi të ardhurat e pritshme të  2021 janë 10 për qind më të larta se të vitit 2019, kur ndikimi i Covid-19 ende nuk ishte shfaqur. Edhe pa krizë të ardhurat buxhetore vitet e fundit janë rritur me ritme mesatare 3 për qind në vit. Teksa parashikimet mbi të ardhurat qëndrojnë në skajin më të lartë të skenarit optimist, shpenzimet buxhetore janë mbajtur të larta, më të paktën 580 miliardë euro më shumë se të ardhurat, të cilat përfaqësojnë borxhin e ri. Shpenzimet e vitit 2021 do të jenë vetëm 1 miliard lekë më të ulëta se të këtij viti, kur qeveria u detyrua të miratonte dy paketa ndihme që kalonin 4 për qind të PBB-së për të zbutur efektet e krizës. Shpenzimet kapitale do të jenë në nivelin e 112 miliardë lekëve (rreth 1 miliard dollarë), nga të cilat 25 miliardë lekë do të alokohen për procesin e rindërtimit. Burimet nga Ministria e Financave pohojnë se zgjerimi i deficitit buxhetor në një pjesë të madhe i faturohet procesit të rindërtimit. Qeveria shqiptare ka rritur financimet për rindërtimin nga fondet e e veta, pasi premtimet e donatorëve janë rrudhur nga kriza qe krijoi Covid-19. Gjithashtu borxhi në rritje i ngarkon shpenzimet buxhetore me një barrë më të lartë për shlyerjen e interesave. Vitin që vjen pritet të shpenzohen 44 miliardë lekë për shërbimin e borxhit, ose 10 për qind më shumë se në vitin 2020. Qeveria shqiptare e ka konsumuar thuajse tërësisht hapësirën fiskale, sepse rritja e mëtejshme e taksave është e pamundur, pasi aktualisht janë mbi mesataren e rajonit, ndërsa borxhi publik arriti në fund të 6-mujorit të parë 2020 në 80 për qind të PBB-së.

  • 4,2 për qind të PBB-së do jetë rritja  borxhit publik
  • 580 milionë euro do jetë diferenca ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave
  • 1,7 trilionë lekë do të jetë borxhi i ri
  • 1 miliardë dollarë  do të jenë shpenzimet kapitale
  • 44 miliardë lekë do të shpenzohen për shërbimin e borxhit, ose 10 për qind më shumë se në vitin 2020