Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Rininë në Partinë e Lirisë, Lazerin Gjeçaj, u shpreh se rinia shqiptare ka ardhur koha të bëhet pjesë aktive e ndryshimit, duke theksuar se 11 maji është një mundësi e pashmangshme për të marrë drejtimin e vendit në duar.
Ai theksoi se pas një periudhe të gjatë keqqeverisjeje, rinia nuk mund të qëndrojë më indiferente, dhe se vota e tyre është çelësi për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
‘Kjo qeveri ka dështuar në çdo drejtim. Ka larguar nga vendi qindra mijëra të rinj, ka lënë universitetet në mjerim, dhe ka shkatërruar çdo mundësi për një të ardhme të ndershme dhe të sigurt në Shqipëri. Sot, të rinjtë janë më të papërfaqësuar se kurrë më parë.’ –u shpreh ai.
Deklarata:
Përshëndetje të gjithë rinisë shqiptare!
11 maji është një ditë vendimtare, një ditë që mund të ndryshojë drejtimin e vendit tonë. Pas më shumë se një dekade keqqeverisje, korrupsioni dhe shkatërrimi sistematik i institucioneve, rinia shqiptare nuk mund të qëndrojë më spektatore. Ka ardhur momenti që zëri juaj të dëgjohet fort, nëpërmjet votës.
Kjo qeveri ka dështuar në çdo drejtim. Ka larguar nga vendi qindra mijëra të rinj, ka lënë universitetet në mjerim, dhe ka shkatërruar çdo mundësi për një të ardhme të ndershme dhe të sigurt në Shqipëri. Sot, të rinjtë janë më të papërfaqësuar se kurrë më parë. Zëri i tyre është injoruar, dëshirat e tyre janë përbuzur, dhe potenciali i tyre është mbytur nga një sistem që i shërben vetëm të pasurve dhe të lidhurve me pushtetin.
Por kjo mund të ndryshojë. Dhe do të ndryshojë me votën tuaj!
Ne ju bëjmë thirrje të gjithë të rinjve të dilni masivisht në zgjedhjet e 11 majit dhe të votoni për koalicionin “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, një front i bashkuar për ndryshim, drejtësi dhe zhvillim.
Ky është koalicioni që vendos rininë në qendër të vizionit të tij. Me një plan konkret për punësim, arsim profesional dhe mbështetje për sipërmarrjen rinore, ne jemi të vendosur të ndërtojmë një Shqipëri ku të rinjtë nuk emigrojnë, por jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Më 11 maj, votoni për ndryshimin që meritoni!
Votoni “Partinë Demokratike – Aleancën për Shqipërinë Madhështore”!
Votoni Ilir Metaj në qarkun Tiranë!
Faleminderit!