Qeveria josh deputetët e opozitës së re me kredi me interesa zero, për të blerë shtëpi në këmbim të votës

582
Sigal

Murizi: Ka para Buxheti për 20 deputetë… Jemi të pastrehë, po flemë në çadra, si romët

 

Deputetët e opozitës së re kërkojnë kredi me interesa zero, për të blerë shtëpi

Deputetët e “Opozitës së Re” nuk përfaqësojnë asnjë elektorat, votojnë me bindje të verbër çdo projektligj të qeverisë, duke u bërë  vagonë zhavorri të “Rilindjes”, por tani duan edhe të na hiqen se janë të pastrehë, ndaj kërkojnë për vetveten e tyre, privilegje financiare për të blerë shtëpi në Tiranë, ndërkohë që mbi 285 mijë të rinj kërkojnë të braktisin Shqipërinë për shkak të mjerimit, papunësisë…

 

Deputeti Murizi: Nuk i kushton gjë buxhetit që të financojë 20 deputetë

Deputeti Myslym Murrizi ka kërkuar miratimin e një vendimi nga Parlamenti ose qeveria që deputetët e rinj që morën mandatet që dorëzoi PD e LSI të përfitojnë kredi me interes të ulët ose zero, si të pastrehë. Propozimi i Murrizit ka ardhur në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve. Sipas tij deputetët e rinj po jetojnë në kushte të vështira jetese dhe po bëhen si disa pjesëtarë të komunitetit rom që flenë në çadra. Ai ka shtuar se buxhetit të shtetit nuk i kushton gjë për të ndihmuar 15-20 deputetë që të blenë shtëpi të reja, në mënyrë që të kenë njëfarë dinjiteti. “Zoti Kryetar, dua të flas jashtë rendit të ditës, nuk e di nëse është në tagrin e Konferencës së Kryetarëve, a të bëjmë ndonjë vendim, a të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten. Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët. A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi? Nuk besoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë, prandaj duhet ta bëjmë një vendim. Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro. T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra. Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi” ka propozuar Murrizi. Propozimi i tij kaloi në heshtje nga anëtarët e mazhorancës. Gjithashtu ajo që vihet re në fjalën e nënkryetarit të parlamentit është sërish gjuha raciste që ai përdor ndaj komunitetit rom kësaj here. Në fillim të vitit 2014, qeveria vendosi të anulonte vendimin për strehimin e funksionarëve publikë, përmes kredive me interes të ulët ose zero. Anulimi erdhi pas një auditimi të kryer nga ish-ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e cila konstatoi abuzime të rënda me kreditë e buta. Funksionarë publikë me 1, 2 ose më shumë shtëpi, kishin përfituar kredi për të blerë banesa të reja në zonat turistike.