Qeveria falimenton përmbaruesit privatë, për ta dhënë me koncesion këtë shërbim

1082
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore Privatë: Ministrat u binden urdhrave të bankave të nivelit të dytë

Udhëzimi i Përbashkët i Ministrit të Financave dhe Ministrit të Drejtësisë nr. 30, dt. 30.08.2018. kërkon që tarifat shërbimit të përmbaruesve gjyqësore të ulen në një minimum të tillë, i cili rrezikon edhe ekzistencën e tyre. Sipas pohimeve të DHKPGJP-së, dhënë për gazetën “Telegraf” grupi i interesit, që janë Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë nuk janë pyetur fare nga 2 ministritë përkatëse, e cila, natyrisht, e ka kundërshtuar fort, sepse ky udhëzim ka përgjysmuar të gjitha tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësorë privat. Kjo gjë përkeqëson rëndë situatën e tyre, si edhe klimën e biznesit. Përmbaruesit janë të mendimit dhe këmbëngulin që tarifën përmbarimore që janë kategori fiskale dhe që gjejnë shprehjen e vet në përcaktimet kushtetuese, ku tatimet dhe taksat përcaktohen me ligj, duhen rregulluar nga ligjbërësi dhe jo të përcaktohen me udhëzime, për të garantuar, kësisoj, edhe qëndrueshmërinë e sistemit.

Pasojat katastrofike të Udhëzimit të Qeverisë nr. 30 datë 30.08.2018

Sipas pohimeve të DHKPGJP për gazetën “Telegraf” nëse zbatohen tarifat që përcakton ky Udhëzim, do të mbyllë bizneset, do të falimentojë të gjithë aktivitetin e përmbarimit gjyqësor privat, do të mbyllen shumë vende pune, do të dëmtohen ekonomikisht shumë familje.

Qëllimi i qeverisë: Gati koncesionin për shërbimin e përmbarimit

Qëllimi i Udhëzimit të Qeverisë, duke përcaktuar apriori tarifat e shërbimit të përmbarimit privat, është që qëllimisht, në mënyrë artifice, të paracaktuar ta falimentojë, për shkak të tarifave të ulta, sepse ka një qëllim të mbrapshtë. Shumë përmbarues të shqetësuar dhe të frikësuar, pohuan për gazetën “Telegraf” se qeveria ka gati koncesionin e dhënies të shërbimit të përmbarimit gjyqësor në 2-3 duar, tek njerëzit që janë afër qeverisë, sipas modelit tashmë famëkeq të Partneritetit Publik Privat. Prandaj, edhe përmbaruesit gjyqësorë privatë janë shumë të shqetësuar.

DHKPGJP: Qeveria përdoret si instrument i bankave të nivelit të dytë

DHKPGJP, thotë për gazetën “Telegraf” se tarifat për shërbimin përmbarues gjyqësor privat, janë ëprcaktuar në ligjin numër 10031 datë 11.12.2008 dhe në nenin 47, kreu VIII “Për Tarifat” thuhet se: “Masa e tarifës dhe llojet e shërbimeve përmbarimore të tarifuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, pasi merret mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.

Në Udhëzimin e ri të 2 ministrive, nuk është pyetur fare DHKPGJP, por, siç pohojnë DHKPGJP për gazetën “Telegraf”, qeveria ka miratuar draftin që është përpiluar dhe dhënë i gatshëm nga Shoqata e Bankave të Nivelit të Dytë dhe kryetari i saj Spiro Brumbulli, i cili në mënyrë abuzive ka ndikuar që të ndryshohet Udhëzimi i mëparshëm për tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat. Ministri, sipas pohimit të DHKPGJP, thjesht ka firmosur draftin që i ka përgatitur Shoqata e Bankave të Nivelit të Dytë. Prej një viti, zbatimi i udhëzimit është penguar të zbatohet dhe nuk jepnin dosjet, ndërkohë, që justifikoheshin se tarifat e shërbimit përmbarues gjyqësor privat janë shumë të larta dhe rëndojnë koston. Por, ky nuk është realitet, as e vërtetë, sepse procedura e përmbarimit gjyqësor privat është shumë e ndërlikuar dhe e ëvshtirë që të zbatohet dhe ka kosto të madhe shoqëruese.

Qeveria me 2 standarde: Rrit paralelisht tarifat e tjera të shërbimeve gjyqësore

Në një kohë, kur qeveria kërkon të ndryshojë tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat, me pretekstin se këto tarifa të deritanishme janë të larta, (sepse i janë ankuar bankat e nivelit të dytë) qeveria ka rritur të gjitha tarifat e shërbimeve të tjera gjyqësore, si avokatinë, noterinë dhe tarifat e gjyqeve. DHKPGJP ka kërkuar tek dy ministritë përkatëse, Ministria e Drejtësisë dhe e Financave, një sqarim, përse përdoren njëkohësisht 2 standarde të ndryshme vlerësimi, që në shërbimet e tjera gjyqësore rriten tarifat, ndërsa për përmbarimin gjyqësor privat ulen, qeveria nuk ka dhënë sqarim.

Moratoriumi i DHKPGJP: Grevë 3 mujore e mosshërbimeve përmbaruese

Shpërfillja e qeverisë, që të marrë mendimin e palës së interesuar për të hartuar tarifat e reja të shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat, (por vetëm të ligjësojë draftin e Shoqatës së Bankave të Nivelit të Dytë) dhe përgjysmimi i tarifave, që do të thotë falimentim të shërbimit përmbarues gjyqësor privat, ka shkaktuar indinjatë dhe revoltë tek të gjithë anëtarët e DHKPGJP. Ata në Asamblenë e tyre kanë hartuar dhe miratuar edhe Moratoriumin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat. Përballë arrogancës së institucioneve të pushtetit qendror, Dhoma Kombëtare e Përmbaruese Gjyqësorë ka vendosur të miratojë masën e parë reaguese, atë të pezullimit të përkohshëm të shërbimeve të tyre. Në Moratoriumin e nënshkruar këtë të Hënë, Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë kanë vendosur që të pezullojnë veprimet e tyre për një afat prej 15 ditësh për çështjet që kërkohen të vihen në ekzekutim nga palët kreditore që janë persona fizikë ose juridikë, përjashtuar institucionet bankare dhe ato financiare jo bankare. Për këto të fundit, pra për bankat dhe institucionet financiare, afati i pezullimit të veprimeve nga zyrat përmbarimore private do të jetë 90 ditë. Efektet pezulluese të këtij Moratoriumi do të shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nga të gjitha përmbaruesit dhe zyrat përmbarimore, të cilat janë pjesë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Ndërkohë, Moratoriumi ka përjashtuar nga efektet e pezullimit ato çështje, për të cilat veprimet përmbarimore kanë nisur para datës së nënshkrimit të tij, pra, para 24 Shtatorit 2018. Moratoriumi ka parashikuar edhe sanksione për këdo përmbarues gjyqësor privat, i cili thyen rregullat e pezullimit të parashikuar në të. Kështu, çdo anëtar i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë që kryen veprimtarinë gjatë afatit të pezullimit, do të përjashtohet nga anëtarësia për periudhën 1-vjeçare. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, duke besuar në reflektimin e institucioneve të pushtetit qendror, ka parashikuar gjithashtu se efektet e Moratoriumit do të bien në rast se pezullohet Udhëzimi i Përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë. Pas miratimit të këtij Moratoriumi, teksti i tij i është dërguar për dijeni dy ministrive, si edhe strukturave të tjera publike e jopublike, të cilat kanë raporte me përmbaruesit gjyqësorë privatë. Pak javë më parë, në krah të Përmbaruesve Private shqiptarë është vendosur edhe Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Presidenti i Unionit, Marc Shmitz, në një letër drejtuar ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në mesin e Gushtit 2018, ka renditur një seri rekomandimesh dhe zgjidhjes së debatit ndërmjet qeverisë e përmbaruesve shqiptarë, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, të njohura edhe nga Bashkimi Evropian. Por, i gjithë investimi i Unionit të Përmbaruesve Ndërkombëtarë nuk është marrë aspak parasysh nga dy ministrat. Ndryshe nga qeveritë e mëparshme, që kanë vënë theksin në konsolidimin e pozitës dhe funksionin publik të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat, si hallkë e rëndësishme enë dhënien e drejtësisë, kjo urdhëresë e re e përkeqëson tej mase pozitën e këtij shërbimi, denigron integritetin dhe imazhin e përmbaruesit gjyqësor privat si funksion publik, duke e bërë argat të interesave bankare. Prandaj edhe kërkohet ndihma e faktorëve politikë vendas dhe ndërkombëtarë. Është një betejë, që duhet të na ndërgjegjësojë edhe për shkak të sensibilizimit të interesit publik që shfaq kjo hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, prandaj kërkohet vëmendja e duhur për t’i dhënë rëndësinë e merituar në konsolidimin e SHPGJP.