Qeveria: AKSHI do të menaxhojë komunikimet elektronike mes bizneseve

231
Sigal

Një ndërhyrje flagrante e  pushtetit politik në tregun e lirë

Pa u shuar ende zhurma e skandalit të rrjedhjes së të dhënave konfidenciale të shqiptarëve nëpërmjet “Listës së Pagave”, “Listës së Targave” dhe “Patronazhistëve”, qeveria synon të vendos nën kontroll edhe të dhëna të tjera, shumë më sensitive dhe që mund të shkaktojnë një kaos të përgjithshëm në Shqipëri. Projekt-ligji ‘Për qeverisjen dixhitale”, i cili sipas qeverisë është në konsultim publik, parashikon që Agjencia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit (AKSHI),  të menaxhojnë sistemin e komunikimit elektronik ndërmjet subjekteve private me njëri-tjetrin ose me shtetas të ndryshëm. Neni 48 i projekt-ligjit parashikon specifikisht: “Posta elektronike shtetërore është mënyra e vetme e komunikimit elektronik zyrtar në marrëdhenien institucion-shtetas-institucion, institucion-biznes-institucion, biznes-shtetas-biznes”. Neni 48 i projekt-ligjit “Për Qeverisjen Elektronike”, ku qeveria synon të kontrollojë komunikimet elektronike “biznes-shtetas-biznes” Sipas projektit qeveritar, çdo person që do të komunikojë me administratën shtetërore apo me subjekte private në mënyrë elektronike, është i detyruar të krijojë një adresë postare dixhitale dhe ky komunikim do të ketë të njëjtën vlerë si shkresat me firmë e vulë. Krahas faktit që ky sistem lehtëson komunikimin ndërmjet institucioneve publike mes tyre dhe agjencive me qytetarët apo bizneset, ai ngre një pikëpyetje shumë të madhe kur përcakton se edhe raportet e privatëve me njëri-tjetrin do të kalojnë po nëpërmjet kësaj platforme qeveritare. Dinamika e komunikimit ndërmjet bizneseve private mes tyre, si edhe me qytetarët është e larmishme dhe shumë e gjerë. Konfidencialiteti i komunikimit është edhe një prej parimeve kryesore kushtetuese, i cili i jep mbrojtje të posaçme fshehtësisë së korrespondencës. Por, qeveria “Rama” duket se ka interes të shtuar për diskutimet private mes bizneseve dhe qytetarëve, duke krijuar premisat për një ndërhyrje flagrante të pushtetit politik në tregun e lirë. Bizneset private, për nga vetë natyra, përfshihen me njëri-tjetrin apo me qytetarët, në negociata, biseda, komunikime dhe çdo lloj tjetër marrëdhënie njerëzore e tregtare. Në epokën dixhitale, ky komunikim realizohet shpejt dhe në mënyrë efikase nëpërmjet adresa elektronike (e-mail). Ky komunikim elektronik, si çdo raport tjetër biznesi privat me klientët apo të ngjashmit e tij, përshkohet nga parimi i konfidencialitetit. Pikërisht, këtë parim duket se synon të shkelë qeveria, nëpërmjet një neni në projekt-ligjin e ri për “Qeverisjen Dixhitale”. Nga ana tjetër, projekti parashikon që sistemi i ri i adresave postare elektronike për komunikime mes palëve, të menaxhohet nga një strukturë e re në varësinë e AKSHI-it, e emërtuar “DgTech”. Projekti qeveritar parashikon që “DgTech” të jetë një institucion publik, ku subjekte private mund të kontrollojnë maksimalisht deri në 49 përqind të aksioneve. Neni 32 i projekt-ligjit parashikon që subjektet private mund të kontrollojnë deri në 49 përqind të aksioneve të “DgTech” Pra, megjithëse subjektet private nuk lejohet të marrin shumicën, sërish të interesuarit do të kenë mundësi që të menaxhojnë një informacion të bollshëm për konkurentët apo edhe për të gjithë subjektet tregtare që operojnë në Shqipëri dhe që, sipas projekt-ligjit, do të detyrohen që të komunikojnë elektronikisht vetëm nëpërmjet sistemeve të menaxhuara nga AKSHI./ Nga BoldNews.al

Somario

Ky sistem, ngre një pikëpyetje shumë të madhe kur përcakton se edhe raportet e privatëve me njëri-tjetrin do të kalojnë po nëpërmjet kësaj platforme qeveritare