Qeveria 3.5 mln. euro pagesa abuzive për bosin e plehrave Klodian Zoto

125
Sigal

Ministria e Financave ka lejuar që landfilli privat i Klodian Zotos në Sharrë të paguhet gjatë vitit 2021 me rreth 3.5 milionë euro, për një shërbim që nuk ka pasur leje për ta ofruar. Në raportin për ecurinë e koncesioneve për 2021, Ministria e Financave deklaron se kompania koncesionare “Integrated Energy BV” është paguar me një total prej 1.249 miliardë lekë të reja. Nga kjo faturë, është paguar depozitimi i mbetjeve urbane për një sasi prej 247.548 ton mbeturina. Referuar kushteve kontraktore, ku paguhet 29 euro për ton, depozitimi i mbetjeve urbane për vitin 2021 ka kushtuar 7.2 milionë euro ose 861 milionë lekë të reja. Diferenca e shumës së paguar nga Qeveria, që llogaritet në 390 milionë lekë të reja ose rreth 3.5 milionë euro, është paguar për depozitimin e inerteve dhe dherave. Por, siç rezulton nga dokumentet zyrtare, kompania koncesionare “Integrated Energy BV” nuk ka pasur leje për depozitimin e inerteve, gjatë vitit 2021. Në 4 tetor të vitit 2022, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, miratoi “Leje e Mjedisit Tipi B” për kompaninë koncesionare. Ky vendim i lejon shoqërisë private të Sharrës që të ndërtojë landfillin e mbetjeve inerte. Pra, deri në tetor të këtij viti, kompania ‘Integrated Energy BV” nuk ka pasur leje për të pranuar depozitimin e inerteve. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Ministrinë e Financave që t’u japë udhë pagesave në vlerë rreth 3.5 milionë euro për shoqërinë private. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përfundim të një auditi mbi Landfillin e Sharrës, u sugjeroi autoriteteve qeveritare që të marrin masa për të negociuar çmimin 29 euro për ton, duke qenë se kompania, deri më tani, nuk ofron të gjithë shërbimin për të cilin ka nënshkruar kontratën.