“Pseudoopozita s’e do Reformën në Drejtësi”/ Xhixho: Rrëzimi i kandidaturave të pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë është fakti

121
Sigal

Deputetja e LSI, Erisa Xhixho, ka thënë se rrëzimi i djeshëm i kandidaturave të pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, është akti i pastër që dëshmon se qeveria nuk e do suksesin e Reformës në Drejtësi.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Xhixho Thotë se kandidaturat për KLGJ e KLP paraqisnin figura me integritet moral e profesional, e sipas saj meritonin të gjithë mbështetjen.

Xhixho shprehet se do të jetë gjithmonë pro pedagogëve dhe qytetarëve me vlera njerëzore e profesionale, që mund të kontribuojnë për një drejtësi e pavarur, profesionale dhe të shpejtë.

Postimi i Erisa Xhixhos:

Rrëzimi i djeshëm i kandidaturave të pedagogëve të nderuar të Fakultetit të Drejtësisë, UT dhe Shkollës së Magjistraturës, nga pseudoopozita, është akti më i pastër që dëshmon se nuk e duan aspak suksesin e reformës në drejtësi, por vetëm interesat e tyre personale.

Kjo dëshmon se ata nuk kanë aspak interes që njerëz me integritet profesional të përfshihen në sistem, por u intereson vetëm ajo se si do mund të bëjnë marrëveshje për interesat e tyre të momentit.

Rasti në fjalë tregon se ata nuk janë të vërtetë e parimorë në përpjekjet për t’i shërbyer suksesit të reformës në drejtësi.

Kandidaturat për KLGJ e KLP dje paraqisnin figura me integritet moral dhe profesional, të cilët meritonin të gjithë mbështetjen, pasi përfshirja e tyre në qeverisjen e re të gjyqësorit do të kontribuonte në përmirësimin e sistemit dhe në suksesin e reformës.

Do të jem gjithmonë PRO pedagogëve dhe qytetarëve me vlera njerëzore e profesionale, që mund të kontribuojnë për një drejtësi të pavarur, profesionale dhe të shpejtë, e cila u shërben qytetarëve, duke u dhënë mundësinë të jenë të barabartë përpara ligjit.

Besoj fort që sistemi funksionon mbi bazën e profesionalizmit nëse njerëzit që e përbëjnë atë përfaqësojnë vlerat më të mira profesionale dhe njerëzore.