PS: Zgjedhjet e PD, shpërblyen ‘të pavarurit’ Ristani dhe Bushati

522
Sigal

TIRANE – “Të gjithë ish-zyrtarët që deri dje pretendonin se ishin të pavarur, sot janë shpërblyer me poste drejtuese brenda Partisë Demokratike për favoret që ata i kanë bërë kësaj partie në kohën kur qeveriste vendin.” Kjo ka qenë kryefjalë e Partisë Socialiste një ditë pas zgjedhjeve për postet drejtuese të zhvilluara dje nga Partia Demokratike.

Kanë qenë deputetët Blerina Gjylameti dhe Taulant Balla të cilët kanë reagur në lidhje me zgjedhjet e mbajtura dje nga PD. Sipas tyre, drejtuesit e sapozgjedhur në strukturat e PD si Arben Ristani ish-kreu i KQZ, Endira Bushati ish-kryetarja e AMA, apo edhe organizatorja e protestës së të pushuarve nga puna, Nertila Qafzezi, dëshmuan se në të gjitha postet që ata kanë mbajtur, dhe që pretendohej të ishin të pavarur, sipas PS vetëm sa i kanë shërbyer Partisë Demokratike. Dhe tashmë siç theksojnë ata janë shpërblyer me poste drejtuese në PD për ato që kanë bërë.
 
Gjylameti: PD shpërblen “të pavarurit” Ristani, Bushati e Milo
Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti, në një dalje për mediat, ka reaguar ndaj zgjedhjeve të djeshme të PD, ku u zgjodhën krerët drejtues të kësaj partie. Në fjalën e saj Gjylameti theksoi se tashmë është e qartë edhe për opinionin publik se shumë nga personat që deri dje kanë mbajtur poste drejtuese të institucioneve të pavarura, dhe që shpesh herë janë vënë nën akuzë për shkelje të ligjt, treguan sipas saj se kanë qenë në shërbim të PD, dhe tashmë janë shpërblyer nga kjo forcë politike.

Konkretisht, Gjylameti u ndal tek ish-kryetarja e Autoritet të Mediave Audiovizive, Endira Bushati, e vënë shpesh herë nën shënjestrën e akuzave për shkelje të ligjit, tashmë drejtuese e departamentit të Administratës Publike në PD.

Gjylameti kujtoi edhe rastin e Nertila Qafzezit, e cila pak muaj më parë ishte në krye të së ashtuquajturës “protestë e pavarur” e të larguarve nga administrata. Por për deputeten e PS, ajo ishte kundërshtarja e Bushatit në postin e ri në strukturat e të djathtëve.

“Nuk do të kishim folur asnjë çast për zgjedhjet e brendshme në Partine Demokratike, nëse nuk do të kishte disa momente që shkojnë përtej PD-së dhe drejtuesve të saj dhe shënojnë disa fenomene tejet negative dhe të papëlqyera për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Për shembull, ish Kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, të famshmes AMA, zonja Endira Bushati, që në muajt e fundit ishte kthyer në simbolin e institucionit të pavarur nga politika, doli që paska qenë aq e lidhur me pushtetin e deri djeshëm, sa vetëm një javë pasi u zëvendësua nga Kryetari i ri i AMA-s, zonja Bushati u zgjodh në Kryesine e PD-së dhe u emërua drejtuese e Departamentit të Administratës Civile. Por kush ishte personi që kishte përballë zonja Bushati në konkurrim? Askush më pak se ish organizatorja e grevës, gjasme të pavarur, të të larguarve nga puna. Pikërisht zonja që organizoi grevën e urisë dhe që pretendonte se ishte e pavarur nga politika dhe mbronte të drejtat e nëpunësve civil, vjen dhe konkurron për të hyrë në Kryesine e Partisë Demokratike.” tha Gjylameti

Po ashtu një tjetër emër mjaft i debatuar, është edhe ish-kreu i KQZ Arben Ristani, i akuzuar për vjedhje votash në zgjedhjet vendore të 201, tashmë është numri 2 i opozitës.

Edhe anëtari i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Petraq Milo sipas Gjylametit u dëshmua se nuk është i depolitizuar ashtu siç e kërkon Kushtetuta për të mbajtur postin në BSH.

“Të gjithë i mbajnë mend zgjedhjet e vitit 2009 dhe me pas zgjedhjet e 2011. Personazhi më i famshëm i KQZ-së në ato vite, zoti Arben Ristani, tentonte të hiqej i pavarur, në krye të një institucioni që kushtetuta e kërkon të pavarur. Në vitin 2009 certifikoi vjedhjen e votave që mbajti Sali Berishën Kryeministër, kurse në 2011 vodhi votat që ngjiten në vendin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Bashën. Sot, ish Kryetari i pavarur i KQZ-së së pavarur është zgjedhur numri dy i Partisë Demokratike. Dhe personat që falenderoi publikisht janë pikërisht ata të cilëve i shërbeu duke vjedhur votat, Berishës në 2009 dhe Bashës në 2011. Në Kryesinë e Partisë Demokratike u zgjodh edhe bashkëshorti i Argita Berishës, ndërsa fatkeqësisht anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e humbi garën për të qenë drejtues departamenti në PD. Pra me pak fjalë, Kryetarja e pavarur e AMA-s fitoi garën dhe u bë anëtare kryesie kundër organizatores së pavarur të grevës të të pushuarve nga puna. Kryetari i pavarur i KQZ-së u zgjodh numri dy i PD-së. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës, që prej një viti kishte ngelur pa Kryetar, se zoti Basha kishte vendosur të qëndronte në SHQUP, ngeli edhe pa dy nënkryetarët, të cilët që të dy iu bashkuan në SHQUP Kryetarit të tyre.” u shpreh ajo –