Përplasja për gazin rus, Blinken paralajmëron sanksione

221
Sigal

SHBA ka rritur presionin ndaj Gjermanisë për gazsjellësin rus Nord Stream 2. Përmes një reagimi të fortë, Antony J. Blinken, Sekretari i Shtetit, thotë se çdo entitet i përfshirë në tubacionin Nord Stream 2 rrezikon sanksionet e SHBA dhe duhet të braktisë menjëherë punën në tubacion

Blinken thotë se ky tubacion është një projekt gjeopolitik rus që synon të ndajë Evropën dhe të dobësojë sigurinë energjetike evropiane.

“Siç ka thënë Presidenti, Nord Stream 2 është një marrëveshje e keqe – për Gjermaninë, për Ukrainën dhe për aleatët dhe partnerët tanë të Evropës Qendrore dhe Lindore. Departamenti po ndjek përpjekjet për të përfunduar tubacionin Nord Stream 2 dhe po vlerëson informacionin në lidhje me subjektet që duket se janë të përfshirë.

Siç e kanë bërë të qartë administratat e shumta të SHBA, ky tubacion është një projekt gjeopolitik rus që synon të ndajë Evropën dhe të dobësojë sigurinë energjetike evropiane. Legjislacioni i sanksioneve i miratuar në 2019 dhe zgjeruar në 2020 ka mbështetje të konsiderueshme nga një shumicë bipartizane e Kongresit.

Administrata e Biden është e përkushtuar që të veprojë në përputhje me atë legjislacion. Departamenti përsërit paralajmërimin e tij se çdo entitet i përfshirë në tubacionin Nord Stream 2 rrezikon sanksionet e SHBA dhe duhet të braktisë menjëherë punën në tubacion.”,- tha Blinken në reagimin e tij zyrtar.

Gazsjellësi që kalon drejtpërdrejt nga Rusia në Gjermani, është kundërshtuar nga shumë zyrtarë dhe analistë në Evropë, që bien dakord me shqetësimet e Amerikës për varësinë nga energjia ruse.

Qeveria gjermane deri tani është shprehur kundër ndërprerjes së projektit. Argumenti deritanishëm i Gjermanisë është se ky projekt është i karakterit ekonomik.

Edhe Parlamenti Evropian është kundër projektit. Bashkimi Evropian këmbëngul që gazsjellësi Nord Stream 2 nuk është një projekt evropian, por në thelb një çështje gjermane.