“PS mbushi kutitë!”, Voltana Ademi e thotë hapur: Ne kemi video

504
Sigal

Pretendimet e fundit të opozitës, se kutitë e votimeve janë mbushur me vota nga komisionerët, kjo për shkak të numri të fletëve të votimit më të lartë sesa numri i zgjedhësve që morën pjesë në zgjedhje, duket se do të jetë dhe beteja e radhës e të djethtëve.  Prokuroria e Përgjithshme, po ashtu, njoftoi mbrëmjen e së martës regjistrimin e një procedimi penal si dhe të disa kallëzimeve që pretendojnë për krime zgjedhore më 30 qershor, të cilat përfshijnë nga dyshimet për falsifikim të materialeve zgjedhore deri te akuzat për pengim të zgjedhësve.

Çështja më serioze lidhet me akuzën e “falsifikimit të materialit zgjedhor”, për të cilën prokuroria e Kurbinit ka regjistruar tashmë procedimin penal me nr.228, datë 1.07.2019, i nisur nga denoncimi i kandidatit të Bindjes Demokratike për Bashkinë e Kurbinit, Edmond Piroli.

Sipas prokurorisë, kandidati pretendon se anëtarët e komisionit të dy qendrave të votimit në fshatin Fushë-Kuqe kanë futur fletë votimi shtesë në kutitë e votimit dhe kanë nënshkruar në emër të zgjedhësve, pa qenë këta të fundit prezentë. Duke iu referuar kallëzuesit, Prokuroria deklaron se manipulimi pretendohet të ketë ndodhur në dy qendrat e votimit të vendosura në ambientin privat “Lokali i shtetasit Vasil Ulaj”.

Pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, ndërkohë që në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletë votimi në njërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në këtë linjë, më tej shkon kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në Abc News, ajo tha se disponon video të sakta të qendrave të votimit të cilat janë mbyllur me orë të tëra për të mbushur kutitë e votimit.

Ne kemi dokumentim, video të sakta të Qendrave të Votimit për të kuptuar sa falsitet dhe sa komediane është ajo që proklamohet si rezultat i ashtuquajtur fitimtar. Kemi video të njerëzve që kanë shkuar për të votuar, është disa herë më i ulët se ajo që deklaron KQZ. Kemi fakte të Qendrave të Votimit ku janë mbyllur dyert me orë të tëra dhe mbushnin kutitë e votimit”. Ajo u bëri thirrje anëtarëve të KQZ që të përballen me vetëdijen që u takon për të mos u përballur nesër me padi penale.

Pjesë nga biseda në studio

Nano: Nëse jeni në gjendje ta provoni, ky është lajm

Ademi: Mund t’ju dërgoj videot dhe t’i shihni.

Nano: Po videot çfarë kanë?

Ademi: Janë Qendra Votimi të mbyllura dyert, ku komisonerët kanë dalë nga ora 9 pa 20 e darkës te ambulanca në qendër të Shkodrës.

Nano: Mua do më kesh në krahun tënd, kjo akuzë është e rëndë. Dua të marr vesh nëse po hidhni baltë apo po thoni të vërtetën.

Ademi: Mjafton të verifikojmë edhe firmat e hedhura, mjafton të verifikojmë sistemin TIMS. Besoj që kjo duhet të bëhet. Këtë po i kërkoj edhe KQZ-së. Vlen për të gjithë pavarësisht çfarë përfaqësojnë aty.