PS mbledh grupin parlamentar në 13:00, pritet raportim i ministrave

390
Në orën 13:00 në selinë e PS-së do të mblidhet Grupi Parlamentar ku pritet të ketë një raportim të ministrave të kabinetit qeveritar.
Disa deputetë socialistë kërkuan në mbledhjet e mëparshme raportim të ministrave.
Dje Edi Rama duke renditur reformat e marra nga qeveria, që nga ulja e taksave, tek kontrolli mjekësor falas, dhe për ata që mund të hezitonin, ftoi të rinjtë t’i bashkoheshin betejës për të zmbrapsur, partitë apo individët që nuk i duan reformat shtetformuese.
Edi Rama: “ Po pse duhet të jemi ne anëtarë të PS!? Sepse Partia socialiste sot ka nevojë për të dyfishuar fuqinë e saj. Sepse reformat kanë krijuar – dhe kjo është e natyrshme, – një front kundërshtie që ka mbledhur forca të ndryshme, individë të ndryshëm, për arsye të ndryshme kundër reformave. Ky front kundërshtie që udhëhiqet nga qeveria e vjetër ka synimin e qartë që të deformojë të vërtetën, duke abuzuar apo përfituar nga vështirësitë, të spekulojë dhe të sajojë gjera të paqëna, shifra të pavërteta, për tu thënë njerëzve se në fakt reformat do sjellin dëme të mëdha, të arrijnë deri në pikën që tu thotë njerëzve se papunësia është rritur, ekonomia ka rënë, se njerëzit po ikin nga Shqipëria, etj, të gjitha këto të pavërteta, që ky front synon ti ktheje në energji negative, duke abuzuar me problemet që kanë njerëzit.
Por, reformat nuk e kënaqin mjaftueshëm, as vetë kryeministrin
Edi Rama: Natyrisht që ekonomia shqiptare sot nuk po lulëzon. Do të ishim magjistarë po ta kishim bërë të lulëzonte, po të kemi parasysh nga u nisëm dy vjet e gjysmë më parë. Por sot, ekonomia shqiptare po jep shenja shumë inkurajuese rimëkëmbjeje.
Kryesocialisti evitoi të përmendte drejtëpërdrejtë debatin që po shoqëron PS, me afrimin e Kongresit.
Sigal