PS feston 24 vjetorin dhe fitoren në zgjedhje, Rama: Fituam së bashku

440
Partia Socialiste ka festuar 24 vjetorin e themelimit të saj. 12 qershori është dita e lindjes së kësaj force politike, por fushata elektorale bëri që kremtimin socialistët ta shtyjnë me disa ditë, kjo për t’iu mundësuar atyre dhe festimin e fitores së zgjedhjeve lokale. Kryeministri Edi Rama, përshëndeti pjesëmarrësit e shumtë, duke i vendosur vetës dhe një sfidë. Në festë morën pjesë themelus të Partisë Socialiste, të rinj të ardhur rishtaz, deputetë dhe mbështetës.
“Falë kryetarit të Partisë Demokratike, në këto zgjedhje në bëmë një rrugë e dy punë; Morëm dhe “Po”-në e popullit për të qeverisur 75% të bashkive dhe afro 80% të popullsisë së vendit, që ishte puna jonë; edhe “jo”-në popullore për referendumin kundër reformave, që ishte puna e tij. Gjysmës së shekullit i afrohet edhe Pandi, megjithëse ka pothuajse çerek shekulli që duket sikur e ka mbushur gjysmën e shekullit. Ndërsa Gramozit duket sikur i ka rënë për pjesë ilustrimi i atij vargut, “vitet tutje, ti tëhu”, të cilit unë do t’i shtoja “të tjerët vejnë e vijnë, ti mbete këtu”. 

Fituam sëbashku, që të gjithë dhe nuk fituam vetëm, por edhe me socialistët e Ilirit, i cili vazhdon heq peshë nga vetja për t’ia shtuar LSI-së; me çamët e Shpëtimit që në çdo palë zgjedhje na jep me sukses provën e devizës së tij “çam nuk lind po bëhesh”; me demokratët e Presidentit Topi, që këtë herë fitoi, sepse besoi tek shprehja “trimi i mirë me shokë shumë”; me Paskalin dhe me Petron, të cilët edhe këtë herë nuk lanë me plot sukses, socialistë me sedër të partisë tonë pa futur në listat e këshillave bashkiakë dhe sikur Skënderi, që i ka mësuar si të joshin sedërlinjtë tanë, të mos kishte dalë këtë herë dhe i vetëm trim në luftë, s’do të kishte mbetur asnjë sedërprekur nga tanët jashtë tenit të gjatë të fitores”, u shpreh Rama.
Ndërsa duke folur për besimin që PS mori në këto zgjedhje Rama shtoi se, “Nëse vota e 21 qershorit ka domethënie politike për shumicën tonë, e shoh si votëbesim jo për atë që kemi bërë, por për atë që duam të bëjmë. Duhet të nxitojmë edhe më shumë dhe çdo ditë tonën duhet a përjetojmë me bindje se do të bëhet o sot o kurrë. Vëmedja ime është e gjitha tek sfida e jashtëzakonshme që kemi përpara”. Rama tha se, “duhet ta bëjmë PS një hapësirë për forca të reja që vijnë nga jashtë. Kjo është një kohë ideale për të synuar një majë të re për PS-në. Të bëjmë më të mirën që e sotmja t’i shërbejë të nesërmes dhe PS t’i shërbejë të ardhmes”.
Sigal