Prova e fortë e devijimit të hetimeve nga prokurorët e SPAK për Ahmetajn

183

“Jo vetëm nuk janë marrë parasysh provat e dala nga kompjuteri i Zotos duke u fshehur, por gjithashtu as që është tentuar të pyetet zyrtari i lartë Arben Ahmetaj, i cili ka nënshkruar një sërë shkresash gjatë koncensionarit.”

Sigal

Në mbyllje të hetimeve për korrupsion e pastrim parash ndaj 10 zyrtarëve; duke nisur nga ish-ministri Lefter Koka e duke përfunduar tek biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja, SPAK këmbëngul se po vijon hetimet mbi provat që u nxorën nga kompjuterët e sekuestruar në banesën e Klodian Zotos. Që do të thotë se po kryhen hetime ndaj  ish-ministrit Arben Ahmetaj, të cilit sipas këtyre provave të bëra publike nga gazetari Adriatik Doçi, iu paguan udhëtime disa mijëra euroshe në hotele luksoze në disa shtete. Ky fakt pranohet në njoftimin e shpërndarë nga SPAK të hënën. Por në vendimin e prokurorëve, që vendosën veçim të hetimeve, rezulton se diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe se Arben Ahmetaj as është hetuar, as është pyetur, as është thirrur dhe madje as që po verifikohen të dhënat kompjuterike të nxjerra nga polica shkencore ashtu sikurse njoftoi SPAK. Në vendimin që disponon Top Channel thuhet se ndarja e akteve kryhet për personat e tjerë nën hetim si Ledjana Bojaxhi e Zamir Stefani të dyshuar për shpërdorim detyre si dhe ndaj shtatë personave të tjerë dhe tetë shoqërive që dyshohen se abuzuan me fshehjen e të ardhurave dhe shmangien nga taksat. Në fakt hetimi i inceneratorit të Elbasanit, i regjistruar prej vitit 2020 për akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave, kulmoi dhjetorin e 2021-shit me masa gjyqësore ndaj Lefter Kokës, Stela Gugalljas, Klodian Zotos dhe subjekteve “Albtek Energy” e “Integrated Techlogy Services” Shpk, me ortak dhe administrator Klodian Zoton. Prej këtij vendimi dhe të tjerëve që u ndërmorën më pas, kuptohet se rrethanat dhe faktet që përmenden në këtë verdikt janë të njëjtat me ato që SPAK deklaron në mbyllje të hetimeve, duke konfirmuar se prokurorët nuk kanë kryer asnjë veprim shtesë dhe minimal përpos kërkesës së masës së sigurisë të asaj kohe. Që do të thotë se jo vetëm nuk janë marrë parasysh provat e dala nga kompjuteri i Zotos duke u fshehur, por gjithashtu as që është tentuar të pyetet zyrtari i lartë Arben Ahmetaj, i cili ka nënshkruar një sërë shkresash gjatë koncensionarit. Por sakaq Ahmetaj shfaqet duke udhëtuar e duke qëndruar në hotele luksoze, që ishin paguar nga karta e Klodian Zotos, një nga të akuzuarit për inceneratorët. Gjatë javës Arben Ahmetaj u kallëzua drejtpërdrejt nga gazetari Adriatik Doçi e së bashku me të u denoncuan edhe dy prokurorët e dosjes, Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho, për të cilët ILD tha se nuk mund të ndërhyjë përderisa dosja u dorëzua pranë SPAK. /tch