Arrestohet Alqi Bllako, dy policë civilë i vënë prangat në banesë

224
Sigal

Është shoqëruar në policinë e Tiranës, ish-deputeti socialist Alqi Bllako.

Burime bëjnë me dije se Bllako është arrestuar në banesën e tij, nga dy punonjës civil të policisë së shtetit.

Ai po transferohet drejt drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërkohë që në GJKKO është duke u mbajtur seanca ku pritet që ndaj tij të komunikohet dhe masa e arrestit me burg.

Gjatë ditës së djeshme Bllako dorëzoi në Kuvend kërkesën për lënien e mandatit, duke iu hequr socialistëve ‘mundimin’ për të kaluar me votë këtë vendim.

Në një reagim të pak ditëve më parë, menjëherë pas kërkesës së SPAK, Bllako i mohoi akuzat, duke thënë se ai nuk ishte përfshirë në akte korrupsioni. (lexo reagimin)

Bllako u akuzua për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh, ndërkohë që sipas SPAK ish-deputeti ka fluturuar me Klodian Zoton drejt Italisë. (Lexo edhe lajmin)

SPAK njoftoi dy ditë më parë, se kishte sekuestruar një apartmanent me vlerë afro 15 milionë lekë të reja, në emër të babait të ish-deputetit, i cili dyshohet se ishte përfituar përmes korrupsionit.

Dy ditë më parë, SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Nga 9 urdhër arrestet, 7 ishin masa sigurie ‘arrest me burg’ dhe 2 në arrest shtëpie.

Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, dhe Klodian Zoto, pronari i kompanisë që administron Inceneratorin e Fierit, kanë marrë masën e dytë ‘arrest me burg’, ndërkohë që 7 të tjerë akuzohen zyrtarisht nga Prokuroria për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Zoto vijon që të mbetet në kërkim, së bashku me Stela Gugallian.