Protesta e shqiptarëve ka vetëm një përfundim, rrëzimin e diktaturës dhe triumfin e demokracisë

397
Sigal

Lulzim Basha sot informon deputetët dhe zyrtarët gjermanë për krizën politike, ndërsa opozita do protestojë para parlamentit

Kryetari i PD-së dje mori pjesë në homazhet që populli i Shkodrës bëri për të nderuar 4 të vrarët e 2 prillit 1991. Kryetari i PD-së. Kryetari i PD-së, ndër të tjera, duke u bërë homazh 4 dëshmorëve të parë të demokracisë, tha: Rrënjët e të keqes ushqehen me vesin, ushqehen me krimin e pandëshkuar. Sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë ia merr ajrin një shartesë, një mostër sa politike aq dhe kriminale e cila është rritur nga mungesa e vëmendjes, nga pandëshkueshmëria, nga indiferenca dhe tolerimi.

Kjo mostër është qeverisja me krimin që mbijeton edhe për shkak se nuk i nxorëm siç duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991, si bashkëjetesë e krimit me qeverinë ka sot fytyrën e krerëve të qeverisë dhe të parlamentit, ka sot dorën e zezë që godet dhe përgjak qytetet tona, ka sot shtrëngesën dhe dangën e varfërisë mbi gjithë shqiptarët, ka sot vulën e emigracionit mbi pasaportat e mbi 500 mijë qytetarëve tanë, ka sot kuvendin e turpit, kuvendin e krimit, kuvendin e denjë trashëgimtarë të krimit të 2 prilli.

Prandaj ne ikëm nga ajo strofull e krimit pasi po të mos iknim do të ishte njësoj sikur të ishim këtu më 2 prill të vitit 1991 por në anën e kundërt, jo në anën e protestuesve, jo në anën e liberatorëve, jo në anën e Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës por nën anën e komitetit të krimit, komitetit të partisë së Shkodrës. Sot në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë është e ngjashme situata me vitin 1945 të cilën fare shkurt dhe qartë, At Zef Pllumbi e tregon me këto fjalë: “Shqipënia e terrorizume kishte ranë në koma, njerëzit e ditun nuk dishin ma kurrgja dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka , atë që nuk dihej.” Protesta madhështore e shkodranëve dhe e gjithë shqiptarëve ka vetëm një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 Prillit dhe sakrifica e 4 bijve më të mirë shkodranë, rrëzimin e diktaturës, triumfin e lirisë, triumfin e demokracisë.

Basha, sot në Gjermani

Sot kryetari i Opozitës shqiptare do të ndodhet në Gjermani, i ftuar nga deputetë gjermanë. Qëllimi i kësaj vizite të kryetarit të Opozitës shqiptare në Budenstangun gjerman është të informojë deputetët gjermanë, por edhe zyrtarët e qeverisë federale gjermane, me të cilët do të takohet, për situatën e rëndë politike që kalon Shqipëria, sidomos pasi Opozita tashmë është jashtë parlamentit. Kryetari i Opozitës shqiptare Lulzim Basha do informojë deputetët gjermanë, për t;i sensibilizuar për rreziqet që i kanosen demokracisë shqiptare, në mënyrë që ndërkombëtarët të luajnë një rol më aktiv dhe të drejtpërdrejt për të gjetur zgjidhje të krizës politike me mjete paqësore.

Opozita në protesta përballë parlamentit

Siç kanë njoftuar, opozita sot do të grumbullohet para parlamentit që në orën 9.30, për të protestuar, ndërkohë që në orën 10 do të fillojë seanca plenare e Kuvendit. Kjo protestë është në vazhdim të protestave të opozitës, të cilat do të kulmojnë në 13 prill në protestën mbarëkombëtare që do të organizojë sërish opozita.