Protesta e PD – “Çadra”, Tahiri: Bunkeri i atyre që duan të mbajnë peng drejtësinë

423
Nga Parku Arkeologjik i Apolonisë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se çadra e protestës para Kryeministrisë është bunkeri i ish-pushtetarëve që duan të mbajnë peng drejtësinë.

Sipas Tahirit, mazhoranca mund të ofrojë dialog vetëm në tryezën e reformës në drejtësi dhe atë të reformës zgjedhore.
Tahiri: Sot janë në një çadër në shesh ish-Kryeministri, 27 vjet në qafë të këtij populli dhe Ministrat e tij deri para tre vjetësh që sot i thonë popullit duam të vimë prapë në pushtet. Dakord. Deri dje ishin për zgjedhje të parakohshme, sot kërkojnë që zgjedhjet të shtyhen. Deri dje ishin në pushtet sot bërtasin me të madhe dhe thonë duam prapë të vimë në pushtet. Deri dje, dhe sot, dhe në vijim ata do vazhdojnë të refuzojnë reformën në drejtësi. E vetmja gjë që duan është ta shtyjnë, të mos bëhet kurrë reforma në drejtësi, gjyqtarët dhe prokurorët të mos kalojnë kurrë vettingun. E vetmja gjë që nuk duan është reforma në drejtësi, e vetmja gjë që duan është të marrin peng Shqipërinë. Ajo çadër është bunkeri i atyre që duan të mbajnë peng drejtësinë, bunkeri i të gjithë ish-pushtetarëve dje. Kemi vetëm një ofertë, që është oferta e shqiptarëve, tryeza e reformës në drejtësi, aty ose bashkohemi ose ndahemi. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht i domosdoshëm, por ka një tryezë ku trajtohet kjo çështje, Komisioni për Reformën Zgjedhore. Opozita mund të lërë bojkotin dhe të vijë.Në asnjë vend të botës demokratike nuk mund të çohet ish-qeveria dhe të thotë dua të vij në pushtet.Të ikë Edi Rama dhe të vimë ne.

Ministri shtoi më tej se reforma në drejtësi është e vetmja mënyrë për të rikuperuar gjithçka kemi humbur në këto 20 e kusur vite.
Tahiri: Nëse ju kujtohet gjyqtari që la të lirë kriminelin që përdhunoi një vajzë të mitur, ai sot vazhdon të jetë ende në detyrë se mbrohet nga këta që janë tek çadra. Nëse ju kujtohet prokurori që la të lirë hajdutin që vjedh prapë sot, është i lirë se e mbrojnë ata tek çadra. Nëse u kujtohen gjyqtarë dhe prokurorë që kanë bërë padrejtësi të madhe në këtë vend, ata mbrohen nga ata që janë tek çadra. Reforma në drejtësi është e vetmja mënyrë për të rikuperuar gjithçka kemi humbur në këto 20 e kusur vite dhe për të bërë më së fundi një sistem më të drejtë.

Prononcimi i Ministrit të Punëve Brendshëm Saimir Tahiri për mediat:
Ministri Tahiri:Është e papranueshme që të çohen ish ministrat e Saliut dhe të thonë tani duam të vijmë në pushtet. Ashtu si është e papranueshme që një sistem demokratik, të çohet opozita dhe të thotë dua të zgjedh kundërshtarin, nuk dua këtë, por dua atë. Siç është akoma më e papranueshme qëllimi i gjithë kësaj që po ndodh është pengimi i Reformës në sistemin e Drejtësi. Pengimi i Vettingu, pengimi i sistemit, që do të skanojë, do të verifikojë gjithçka kanë bërë prokurorët dhe gjyqtarët në të kaluarën. Dhe ajo çadra që sot është bunker, sot mbron ish-pushtetarët që duan të mbajnë peng Shqipërinë nga reforma në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo është e pa tolerueshme. Oferta jonë e vetme është tryeza në reformën e sistemit të drejtësisë. Bujrum le të vijnë, të çojmë përpara reformën në sistemin e drejtësisë. Shqipëria do të bëhet më e mirë vetëm në këtë mënyrë, por askush nuk mund të mbajë peng Shqipërinë, apo reformën në sistemin e Drejtësisë jo me çadra, por as me bunker.

Pyetje: I trembeni kësaj lëvizje zoti ministër?
Ministri Tahiri: Për ne është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë të qartë kujtdo se Reforma në Sistemin e Drejtësisë duhet të vazhdojë patjetër. Opozita mund të ketë shumë meraqe. Meraku më i madh i shqiptarëve është që të kemi një sistem drejtësie shumë më të drejtë. Të kemi gjyqtarë dhe prokurorë të pa korruptuar. Të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk janë peng i asnjë pushtetari. Të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk janë peng i parasë apo muskujve. Ne na duhet dhe shumicës dërmuese të shqiptarëve i duhet që ne të bëjmë gjithçka është e nevojshme që Shqipëria të ketë një sistem drejtësie shumë më legjitim dhe shumë më të drejtë. Nëqoftëse opozita kërkon të pengojë këtë, mua më vjen shumë keq pasi kjo nuk është as axhenda e shqiptarëve dhe aq më pak të jetë axhenda jonë. 
Sigal