Fillon bashkëqeverisja në Elbasan, kompania afër Bashës merr tenderin e pastrimit të Bashkisë

423
Sigal

Tenderat e organizuara nga bashkitë e vendit në përgjithësi gjenerojnë mjaft të ardhura për xhepat e organizatorëve dhe të fituesëve. Kjo për vetë faktin se zakonisht në tenderat e organizuara prej tyre, luhen para të mëdha në nivele që fillojnë nga disa qindra milionë e që shkojnë deri në dhjetra miliardë lekë. Qarkullim të madh fondesh kanë sidomos tenderat e pastrimit të qyteteve, të cilat në përgjithësi organizohen në shifra të larta.

Bashkia Elbasan e drejtuar nga Gledian Llatja, është institucioni i rradhës që ka organizuar një tender të dyshimtë. Procedura e prokurimit mban numrin e referencës REF-03635-08-24-2021 dhe ka si objekt ““Kryerja e shërbimit të pastrimit për qytetin e Elbasanit”. Për të pastruar qytetin, kjo bashki ka llogaritur si fond limit një shumë prej 20,709,379 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 250 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Por nëse studiojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi, vihet re se është zbatuar një procedurë me negocim, pa njoftim. Rrjedhimisht nuk ka patur fare garë dhe pjesëmarrëse e vetëm ka qenë vetëm një kompani. Bëhet fjalë për firmën VICTORIA INVEST në pronësi të Fatmir Kuçit, e cila është shpallur fituese me vlerën prej 20,709,379 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 250 milion lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër është sa 99.73% e fondit limit.

Në media është përfolur se kjo kompani ka lidhje tepër të forta me Lulzim Bashën, kryetari aktual i opozitës. Mjafton të përmendet se kompania e tij mban emrin e vajzës së Bashës. Kompania e Kuçit rezulton se ka përfituar mbi 52% të tenderave të Bashkisë së Elbasanit ndër vite. Por lidhja me Bashën duket se nuk e ka penguar aspak të fitojë tendera nga socialistët ku mjafton të përmendet se vetëm në 5 vitet e fundit ka fituar mbi 20 miliardë lekë pagesa nga Thesari i Shtetit. Vlen të përmendet se në 2014, Fatmir Kuçi u procedua penalisht në gjendje të lirë për “shkelje të rregullave të lundrimit”. Kjo pasi shkaktoi vdekjen e Denis Kaiumov, një turisti rus në Livadh në vitin 2016, pasi e përplasi me skaf duke i prerë gjymtyrët me helikën e mjetit lundrues. Për këtë u vu në pranga por arriti të dalë pas pak kohësh. Ndërkaq duket se lidhja me Lulzim Bashën, nuk e ka penguar aspak për të marrë miliarda nga socialistët. Si e shpjegoni?