Protesta e opozitës, drejtuesit e LSI me nje zë: Rama Ik

424
Sigal

Gjatë protestës së sotme para selisë së parlamentit drejtuesit e opozitës i kanë bërë thirrje Kreut të qeverisë që të largohet nga qeverisja.

Kanë bërë thirrje për liri dhe demokraci. “Asnjë hap pas për të shporrur kriminelët, varfërinë. Asnjë hap pas për të qëruar ata që vënë tela me gjemba. Vetëm një mesazh kemi vëllezër dhe motra. Asnjë hap pas! Fitore!”, tha kreu i grupit parlamentar të LSI.

Ja fjalimet e plota të drejtuesve te LSI gjatë protestës së sotme tek parlamenti:

Kejdi Mehmetaj: Mandati i deputetes nuk është i imi, mandati është i juaji, është i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë.

Agron Cela; Fitore gjithë shqiptareve. Ne shkodranet nuk njohim komunizmin. Njohim liri dhe demokraci

Luan Rama:  Qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë!

Një popull mund ta gënjesh për një farë kohe. Një popull ta izolosh për njëfarë kohe. Një populli edhe mund t’ia vjedhësh votën me kriminelët për njëfarë kohë. Por një popull nuk mund ta gënjesh, nuk mund ta nënshtrosh, nuk mund ta gënjesh dhe nuk mund ta vjedhësh gjithë kohën.

Sot është koha e popullit. Sot është dita e lirisë. Prandaj të gjithë së bashku, në luftë kundër së keqes, në luftë kundër krimit, në luftë kundër atyre që nuk duan Shqipërinë, që nuk duan të ardhmen evropiane të Shqipërisë, që nuk duan të ardhmen evropiane të familjeve dhe fëmijëve tanë. Rroftë Shqipëria, poshtë krimi, poshtë e keqja e personalizuar tek Edi Rama.

Nora Malaj:  Miqtë e mi! Mandati im është për të gjithë vajzat dhe gratë që e duan Shqipërinë  pa traumë. Që i duan fëmijët e tyre të jetojnë të lirë. Që ky Parlament të jetë Parlamenti i shqiptarëve.

Floida Kërpaçi:  Unë jam Floida Kërpaçi dhe mandati im shkon për të rinjtë dhe për të rejat. Edi Rama, ke guxuar dhe i ke dhunuar të rinjtë. Ke instaluar sistemin e antivlerave por sot do të vijë fundi yt nga të rinjtë dhe nga të rejat që do të të tërheqin zvarrë. Për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe për të rejat, largohu ti se të rinjtë meritojnë të jetojnë dhe të punojnë në vendin tonë dhe në Shqipërinë tonë.

Shezai Rrokaj:  Qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë!  Fishta thoshte se kur të marrët vijnë në krye të vendit, të urtët dalin nga Kuvendi. Sepse vendi i të urtëve, vendi i demokratëve është demokracia e rrugës, demokracia e qytetarëve që përfaqëson interesat e tyre. Ndaj jemi këtu, ndaj kemi refuzuar institucionet. Sepse aty ka përfunduar demokracia. Misioni i demokracisë është e drejta e qytetarit, dhe e drejta e qytetarit është bashkë me ju. Faleminderit dhe përpara!

Përparim Spahiu: Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Përparim Spahiu, deputet i Qarkut Dibër, por edhe banor i Tiranës. Besoj që sot sheshin më shumë e ka mbushur Tirana. Sepse Tirana nuk duron. Ose duron e duron dhe kur vjen momenti nuk të lëshon më. Tani ju kishit dy kërkesa. Një kërkesë e kishit ditën e shtunë me protestën madhështore të së shtunës për të na frymëzuar ne deputetëve të opozitës që ne të linim mandatet. Dhe sot keni edhe kërkesën e dytë, që Edi Rama nuk ka më punë as në Kryeministri dhe as në Parlament. Sepse ai na ka bindur të gjithëve që nuk mund të drejtojë më me këtë mënyrë dhe me  arrogancën e vet. Kështu që unë i uroj të gjithëve mbarësi dhe të ecim përpara. Dhe kam një kërkesë dhe për Prokurorinë, që 15 të ndaluarit për protestën  nuk kanë bërë asgjë. Ti lirojë Edi Rama.

Petrit Vasili: Vëllezër dhe motra nga e gjithë Shqipëria. Sot kemi marrë të gjithë një mesazh. Asnjë hap prapa për të shporrur Edi Ramën. Asnjë hap pas për të shporrur kriminelët, varfërinë. Asnjë hap pas për të qëruar ata që vënë tela me gjemba. Vetëm një mesazh kemi vëllezër dhe motra. Asnjë hap pas! Fitore!

Endrit Braimllari:  Të nderuar qytetarë!  Ky është sheshi i lirisë, ky është sheshi juaj. Në këtë shesh janë njerëzit e vërtetë të Shqipërisë . këtu ka dy modele: një model monist që na e solli Edi Rama dhe Gramoz Ruçi dhe modeli i qytetarisë, modeli i shpresës dhe modeli i lirisë. Këtu janë njerëzit e vërtetë që duan të dalin nga varfëria. Këtu janë studentët. Këtu janë minatorët. Këtu janë naftëtarët. Mandati i deputetit është mandati i banorëve të Unazës së Re që për 108 ditë kanë sakrifikuar dhe e kanë nxjerrë çfarë është në të vërtetë Edi Rama. Një njeri hajdut dhe një kriminel. Rama ik dhe mos u kthe më në këtë vend.

Klajda Gjosha: Përshëndetje qytetarë nga e gjithë Shqipëria! Jam shumë e lumtur që sot jam një prej jush! Jam në zemrat tuaja, në dhimbjet tuaja, në zërin tuaj. Sot, ky shesh është sheshi i qytetarëve shqiptarë, ky shesh duhet të mbushet me fëmijët tanë, me ata që sot janë jashtë Shqipërisë, ne i presim të kthehen këtu! Sot unë jam këtu me ju për Shqipërinë europiane, fitore!

Silva Caka Përshëndetje të gjithëve!  Unë jam Silva Caka dhe mandati im sot shkon për fëmijët e Skraparit që Edi Rama i ka lënë pa bukë. Që Edi Rama i ka hequr rrogat e prindërve. Që Edi Rama u ka hequr të gjithë shërbimet. Zëri juaj është urdhër për të gjithë deputetët e Shqipërisë. Faleminderit që na dëgjoni. Faleminderit që jeni këtu sot. Përpara për fitore!

Viktor Tushaj: Të dashur vëllezër dhe motra. Nga Lezha Tirana dhe gjithë Shqipëria. Faleminderit që na dhatë mundësinë të zbulojmë Parlamentin e vërtetë. Parlamenti i vërtetë sot jeni ju. Faleminderit që na bëtë të mundur të heqim peshën e atij mandati që ishte pazar për krimin e organizuar, për qeverinë e drogës, e hajdutllëkut dhe çdo gjë tjetër që ndodh në Shqipëri. Ne sot jemi këtu për ti thënë Edi Ramës, për ti thënë dëgjoje popullin  tënd. Dëgjoje se do kesh fundin me të hidhur që ka pasur ndonjë shqiptar në harkun e gjithë Shqipërisë.