Propozimet nga strukturat/ Emrat surprizë në listën e kandidatëve të PD

335
Sigal

Partia Demokratike po shkon drejt përmbylljes së procesit të propozimeve të kandidatëve për deputet nga strukturat, ndërsa emrat po depozitohen në selinë qendrore. Burime nga PD theksojnë se i gjithë procesi po drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, i cili duket se është ngarkuar për të administruar propozimet sipas degëve.

E ndërsa të deleguarit kanë asistuar procesin në takimet me strukturat, tashmë duket se ai ka hyrë në një fazë tjetër, atë të kalimit në filtër të emrave të propozuar.

Burime nga PD shprehen se janë mbi dy mijë emra të propozuar, por një pjesë e tyre janë propozuar nga grupseksionet e degëve të ndryshme më shumë se 1 herë. Kryesisht bëhet fjalë për figurat qendrore të PD, të cilët janë propozuar nga shumë degë, duke dalë edhe si kandidatët kryesore ndër emrat e propozuar.

Nga të dhënat mësohet se emri më i propozuar është ai i ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili duket se mbetet figura qendrore mes bazës së demokratëve. Gjithashtu ish-deputetët që dorëzuan mandatet në shkurt 2019 janë emra që janë propozuar nga disa grupseksione degësh.

Por ajo që tërheq vëmendjen është fakti se krahas emrave të propozuar, që janë pjesë e botës akademike apo shoqëria civile, dhe që nuk kanë lidhje me strukturat e PD-së, ka propozime edhe për ish-funksionarë të kësaj partie ndër vite që janë distancuar nga strukturat apo larguar.

Shkodra ka propozuar Jozefina Topallin, ish-nënkryetare e PD-së dhe ish-Kryeparlamentare, ndërsa Gjirokastra ka propozuar Arben Ristanin, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj partie. Vlora ka propozuar mes të tjerash edhe ish-deputetin Bujar Leskaj, i cili për vite me rradhë drejtoi KLSH. Gjithashtu propozimet nga Lezha kanë surpriza ku ndër emrat janë edhe Agron Gjekmarkaj dhe Mark Marku.

Ndërkohë që në Tiranë janë propozuar Besnik Mustafaj dhe Aleksandër Biberaj, ish-deputetë të PD-së, por të shkëputur prej saj prej disa vitesh dhe të rikthyer më pas në struktura.

Në Tiranë është propozuar edhe Belind Këlliçi, kreu i FRPD, ndërsa gjithashtu rezultojnë si emra kandidatësh edhe vëllezërit Budina, Edmond dhe Robert, të angazhuar në kauzën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Por gjithashtu nuk mungojnë as emrat e ish-ministrit Arben Imami apo Genc Rulit, sikundër edhe të disa ish-deputetëve që në zgjedhjet e 2017 u lanë jashtë kandidimit.