Propaganda selektive/ Rindërtimi i pandërtuar po kap vlerën 1 miliardë euro, prej 5 vitesh familjet zvarriten pa çati mbi kokë

17

Gjatë periudhës 2020-2023 qeveria ka paguar 920 milionë euro për këtë proces nga paratë e buxhetit, ndërkohë që 65 milionë euro të tjera priten të paguhen edhe këtë vit. Jemi në vitin e pestë dhe familjet jo vetëm që ende nuk kanë marrë “celsat” por as nuk dihet se kur do të ndodhë dicka e tillë

Sigal

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti shprehet se procesi i rindërtimit pas tërmetit tragjik të vitit 2019, do hyjë në historinë e vendit si një prej proceseve më të gjata, në emër të të cilit janë kryer dhe po bëhen abuzime të paimagjinueshme.Ai shton më tej se gjatë periudhës 2020-2023 qeveria ka paguar 920 milionë euro për këtë proces nga paratë e buxhetit, ndërkohë që 65 milionë euro të tjera priten të paguhen edhe këtë vit.Postimi i plotë:Rindërtimi i pa-ndërtuar po kap vlerën 1 miliardë euro!Rindërtimi do hyjë në historinë e vendit si një prej proceseve më të gjata, në emër të të cilit janë kryer dhe po bëhen abuzime të paimagjinueshme!Mungesë transparence, përdorim jo-eficient i parasë publike, procedura prokurimi klienteliste shpeshherë pa gare me justifikimin e emergjencës, monitorim i cekët dhe mungesë totale informacioni mbi ecurinë e procesit, kosto sociale të pallogaritshme si pasojë e zvarritjes së procesit, etj, janë vetëm disa nga shqetësimet kryesore që po shoqërojnë këtë proces.

Premtimi: Pas termetit të 26 nëntorit 2019, qeveria u zotua që cdo familje e prekur do strehohej në shtëpitë e reja brenda 1-max 2 viteve. Me fjalë të tjera, procesi i rindërtimit do mbyllej brenda vitit 2021.

Fakti 1: Jemi në vitin e pestë dhe familjet jo vetëm që ende nuk kanë marrë “celsat” por as nuk dihet se kur do të ndodhë dicka e tillë. Të pakët në numër dhe të vetmit fatlumë kanë qenë ata që morën shtëpi të ndërtuara dhe dhuruara nga donatorë të huaj.

Fakti 2: Gjatë periudhës 2020-2023 qeveria ka paguar 920 milionë euro për këtë proces nga paratë e buxhetit, ndërkohë që 65 milionë euro të tjera priten të paguhen edhe këtë vit.

Pyetje: C’u bë dhe cpo bëhet me pothuajse 1 miliardë euro të rindërtimit? Pse nuk përfundojnë godinat e banimit? Kush dhe pse po e zvarrit këtë proces?

Pyetje: Pse për një kullë 30 katëshe punimet zgjasin as tre vjet, ndërkohë që për banesat në godina pak-katëshe të gjynafqarëve jemi në vitin e pestë dhe ende nuk dihet se edhe sa muaj apo vite do duhen që të përfundojnë së ndërtuari?

Pyetje: Kush japë llogari e kush do mbajë përgjegjësi per rreth 100 milionë euro faturë financiare për bunuset e qirave, ndërkohë që nëse ky proces do ishte mbyllur në respekt të premtimit qeveritar, kjo kosto do ishte disa herë më e ulët?

I bëjmë thirrje qeverisë të bëjë transparencën e munguar mbi këtë proces jetik për qindra e mijëra familje dhe njëkohësisht të mbylle një ditë e më parë punimet që zvarriten pafundësisht nga kalendat e korridoret e pushtetit.