Projektligji: Të bëhen publike emrat e pronarëve që kanë kompani ofshore në Shqipëri

497
Sigal

 

Deri tani, kompani fantazma, pa emër pronarësh dhe aksionerësh kanë marrë qindra koncesione dhe tenderë publike me vlera qindra milionë euro dhe askush nga institucionet shtetërore nuk dinte kush i përfitonte këto para. Në më të shumtën e herës, koncesionet dhe tenderët publike iu dhanë këtyre kompanie ofshore edhe me prokurim të drejtpërdrejtë, duke shtuar dyshimet se pas këtyre kompanive offshore, janë vetë zyrtarët e lartë, apo njerëzit e tyre familjarë, pavarësisht se tabela e kompanive offshore ishte me germa dhe bojra emërtimesh të huaja, për të fshehur, pikërisht identitetin e pronarëve dhe aksionerëve. Qeveria, tani, e ndodhur përpara publikimit të shumë rasteve skandaloze të korrupsionit me këto kompani offshore, që përfitojnë qindra milionë euro, mundohet të plotësojë kuadrin ligjor, ku Ministria e Financave po punon për hartimin e një ligji të ri, që synon të krijojë një regjistër i cili do të zbardhë emrat e pronarëve përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (offshore) me aktivitet në Shqipëri, në linjë dhe me rekomandimet e raportit të fundit të Moneyval, mekanizmi i Komisionit Evropian, që bën vlerësimin për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ky regjistër të krijohej brenda kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon Qendra Kombëtare e Biznesit, por më pas u pa e nevojshme që të punohej për hartimin e një ligji të veçantë për të cilin po merret dhe asistencë ndërkombëtare. Ligji synon krijimin e një regjistri që do të listojë pronarët përfitues të kompanive të regjistruara offshore, të cilët zotërojnë mbi 25% të kapitalit fillimisht dhe më pas, kufiri mund të ulet në 10%. Pronësia do të jetë publike, e aksesueshme përmes internetit, ashtu siç është sot për kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku cilido mund të hyjë në ekstraktin e një subjekti dhe të shikojë të gjitha të dhënat mbi këtë subjekt, nga data e krijimit, vendimet e ndryshme dhe deri tek bilancet financiare. Ky regjistër do të bëjë transparencë dhe mbi origjinën e llogarive bankare, por ky informacion do të jetë konfidencial dhe i aksesueshëm vetëm nga disa institucione. Kjo nismë synon të bëjë transparencë mbi kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale, me pronësi të panjohur, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta vitet e fundit. Shumë sipërmarrje të regjistruara në këto parajsa, kryesisht në ishujt Cayman kanë fituar koncesione dhe administrojnë burimet e naftës në vend. Debati më i fundit lidhej me DH Albania, që fitoi një pjesë të tenderit për unazën e madhe, tender që u anulua kur rezultoi se kompania kishte falsifikuar dokumentet. Shoqatat e biznesit kanë kërkuar që të sanksionohet me ligj që kompanitë offshore të mos lejohen të marrin pjesë në tenderë.

KE: Kompanitë offshore mund të shërbejnë për pastrimin e parave

Raporti i fundit i Moneyval, vinte një theks të veçantë për rreziqet që paraqet prezenca e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary onwnership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen. Raporti thekson se ato mund të keqpërdoren për pastrim parash dhe bën thirrje që të ketë kushte më të forta dhe më shumë informacion për to. “Janë identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore, kontrollin e informacionit të personave juridikë, si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash, dhe financim të terrorizimit. Rekomandimet e reja të Task Forcës për Veprim Financiar vendosin kushte më të hollësishme në veçanti në lidhje me grumbullimin dhe disponueshmërinë e informacionit për kompanitë offshore”. “Nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore përveçse si pjesë e proceseve të verifikimit të entiteteve raportuese. Nga ana tjetër, nënvizohet se sot nuk ka kërkesa për personat juridikë dhe as për regjistruesit apo autoritete të tjera kompetente për të marrë, për të mbajtur apo që të vlerësojnë masa të arsyeshme për sigurimin në vijim të informacionit për pronarët përfitues. “Vetëm në rast se drejtorët apo anëtarët, partnerët, aksionerët, themeluesit janë në të vërtetë pronarët përfitues, informacioni në regjistër do të jetë i duhuri. Shqipëria mund të jetë duke zbatuar pjesërisht kërkesat për identifikimin e pronarëve përfitues përmes kërkesave që vijnë nga masat kundër pastrimit të parave apo lufta kundër terrorizmit për entitetet raportuese, për të kryer verifikimin e pjesës që përfshin identifikimin e pronarëve përfitues të personave juridikë.