Projekti Amerikan për Shqipërinë e madhe

2825
Sigal

 Gazeta kroate “Sllobodna Dalmacija”: “Amerikanët vite me radhë përgatisin projektin e Shqipërisë së Madhe”

 Pa kaluar as dy muaj nga kremtimi me madhështi i 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, pëlcet një “bombë e hatashme” që ka vënë në alarm gjithë rajonin e Ballkanit. Një gazetë kroate zbulon projektin amerikan për Shqipërinë e Madhe! Jemi në vitin 2013, fiks në 100-vjetorin e Konferencës së Londrës, kur Fuqitë e Mëdha vulosën copëtimin e kombit shqiptar dhe, ndërsa flitet për një projekt amerikan për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, vërtet kjo tingëllon mjaft e bukur, përderisa ne kemi aq shumë dashuri dhe besim tek Shtetet e Bashkuara. Nuk janë të paktë ata që janë të përmbytur nga entuziazmi dhe thonë se, më në fund, pas 100 vjetësh, erdhi ora, erdhi dita: Shqiptarët do të bashkohen! Ashtu siç kanë qenë në jetë të jetëve dhe ashtu siç duhet të jenë në trojet e tyre një e të pandarë. Flitet për një Shqipëri të Madhe, përderisa bota e sotme njeh vetëm Shqipërinë e vogël, apo atë të zvogëluarën nga bota. Në të vërtetë nuk ka Shqipëri të Madhe, por një Shqipëri natyrale. Në këtë pikë, analisti Koço Danaj, por edhe të tjerë si Akademiku Rexhep Qosja e të tjerë, kanë të drejtë. Duke na parë gjithnjë sipas hartës së 1913-s, pra si një vend dhe një komb i vogël, kjo ide e “Shqipërisë së Madhe” disa nga fqinjët tanë i tmerron. Për më tepër, kur një projekt të tillë e mbështetka Amerika! Kur do të realizohet? Kjo ha diskutim. Mendoj se gabohen ata që thonë se do të bëhet brenda këtij viti. Argumenti se këtë ide e mbështesin amerikanët duket i pamjaftueshëm. Përndryshe, na ngelet të themi: “Një Shqipëri natyrale, apo një ëndërr amerikane?”

  “Shqipëria e madhe” në gazetën kroate: “Amerika me vite përgatit projektin”  

E përditshmja kroate “Sllobodna Dalmacija”, e datës 31 janar 2013, ka publikuar një artikull me titull: “Amerikanët vite me radhë përgatisin projektin e Shqipërisë së Madhe” që ka të bëjë me bashkimin e shqiptarëve.  “Është proces i pandalshëm bashkimi i shqiptarëve”, është kjo deklarata në Tiranë e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, deklaratë që është transmetuar në disa media regjionale si paralajmërim për projektin “Shqipëria e Madhe”. Sipas gazetës, për këtë ide në të vërtetë është biseduar edhe gjatë shënimit të 100 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që shumë zëshëm dhe zhurmshëm është festuar në Tiranë, por edhe në Prishtinë e Shkup. “Projekti amerikan i krijimit të Shqipërisë së Madhe në të vërtetë në mënyrë të ngadalshme rrugëve dhe me mjete diplomatike dhe ushtarake po realizohet tashmë vite me radhë. Ekziston një histori e angazhimit amerikan në regjion, por kur është fjala për këtë projekt, duhet rikujtuar për disa pika kyçe. Këto janë: bombardimi i Serbisë më 1999 që i bënë amerikanët përmes NATO-së, pas së cilave bombardime NATO hyri në Kosovë dhe vendosi 50.000 trupa mirë të armatosura”, shkruan gazeta “Slobodna Dalmacija”. Që nga fundi i vitit 2010, Koço Danaj, drejtor i Institutit për parashikime rajonale dhe këshilltar i tre kryeministrave të Shqipërisë, ka thënë se viti 2013 duhet në mënyrë paqësore dhe të qetë të formohet shteti shqiptar, që do të përfshinte të gjitha territoret shqiptare. Përderisa disa analist pohojnë se shteti i ri shqiptar është projekt real, i cili tek disa zgjon frikë dhe panik dhe mund të sjellë deri në tensionime të reja, të tjerët theksojnë se fjalët e Berishës janë keqinterpretuar.

 Koço Danaj: “Një analizë shumë pranë së vërtetës”

Analiza e botuar në gazetën e njohur kroate “Sllobodna Dalmacija”  në datën 31 janar, ka ngjallur jehonë të madhe në të gjithë shtypin rajonal. Deri tani mbi 59 gazeta dhe TV të Kroacisë, Serbisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë etj., kanë botuar dhe ribotuar analizën. Kjo për shkak të titullit të saj: Amerikanët përgatisin projektin e Shqipërisë së Madhe. Në shkrim përmendet edhe emri im si ideolog i Shqipërisë Natyrale. Aty thuhet se: “Još krajem 2010. Koča Danaj, direktor Instituta za regionalne prognoze i savjetnik trojice albanskih premijera, rekao je da bi se 2013. godine mirnim putem trebala oformiti nova albanska država koja bi okupila albanske teritorije.” (Në fund të vitit 2010, Koço Danaj, drejtor i Institutit të Prognozave rajonale  dhe krijues i Shqipërisë Natyrale, ish-këshilltar i tre kryeministrave, parashikoi që në vitin 2013 me rrugë paqësore do të formohet shteti i ri shqiptar  në të gjitha territoret shqiptare).

Po përpiqem të shpjegoj thelbin e kësaj analize dhe perspektivën e saj në kontekstin rajonal dhe global. Referimi i parashikimit të bërë nga Koço Danaj lidhet me disa arsye: E para, në tetor 2010, në Tiranë u formua Lista për Shqipëri Natyrale, ku morën pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet, por morën pjesë si të ftuar edhe disa media të huaja, kroate e serbe. Në analizën dhe jehonën që iu bë kësaj ngjarjeje u evidentua viti 2013 si vit i fillimit të bashkimit të trojeve shqiptare. E dyta: Kjo nuk u bë rastësisht, por se në vitin 2013 është 100 -vjetori i mbledhjes famëkeqe të Londrës që copëtoi në 5 pjesë trojet shqiptare. E treta: Disa ditë pas parashikimit të bërë nga Danaj, një nga zyrtarët më të njohur amerikanë  gjatë luftës së Kosovës Uilliam Uoker deklaroi se, shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen. Deklarata e Uoker e bërë në Prishtinë në një nga mitingjet e Vetëvendosjes, e cila doli forcë e tretë në Kosovë, forcoi bindjen se parashikimi nuk ishte i rastësishëm. E  katërta: Në muajin tetor 2010, u botua sondazhi i Gallup International, sipas të cilit, 82 për qind e shqiptarëve në Kosovë duan bashkim me Shqipërinë, 67 për qind e shqiptarëve në Shqipëri duan bashkim me Kosovën dhe 87 për qind e shqiptarëve në Maqedoni duan bashkim me Shqipërinë. E pesta: Para dy muajsh, botohet plani i shërbimit sekret rus e amerikan për bashkimin e  trojeve shqiptare. E gjashta: Në 28 nëntor 2012, shqiptarët si komb në Vlorë, e shpallën legalisht bashkimin kombëtar.  E shtata, pas 28 Nëntorit, qeveria shqiptare vazhdon ta artikulojë tezën e bashkimit kombëtar. Shembulli më i freskët është  fjala e Kryeministrit Berisha në Mynih, ku foli hapur në një tryezë shumë serioze për domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, duke akuzuar fqinjët për albanofobi. Analiza e gazetës kroate, për vetë jehonën që ngjalli dhe mos përgënjeshtrimin që pasoi, ku asnjë diplomat amerikan nuk reagoi, duket se është shumë pranë së vërtetës.

 Prof. Myslim Pasha: “Ka ardhur koha e Shtetit-Komb”

Themelet e Botës janë ndërtuar mbi kombet, themelet e etnisë sonë janë në rrënjët tona, në magjepsjen që kemi për këto rrënjë. Ne duhet të realizohemi. Si mund të ndërpritet dëshira jonë për realizim? Kombëtarizimi ynë rronte veçse i fshehur dhe i përgjumur. Tani ai është shfaqur, por që nuk përbën asnjë rrezik për fqinjët, veçse një prosperitet për shqiptarët por edhe një çlirim nga ankthi i pranisë së shqiptarëve që ndonëse janë në troje të tyre, i kanë pasur bezdi dhe ua kanë drejtuar majën e shpatës,thundrën e çizmes, tytën e armës, helmin e gjarprit dhe spastrimin etnik. Kush e trazoi erën kombëtare, dhe kush u thirri atypari rrënjëve që buisnin rreth e rreth Ballkanit e kudo që ka shqiptarë?

Një pyetje e cila në të shumtën e rasteve të duket se e gjen përgjigjen me kalkulimet që mund të kenë bërë politikanë shqiptarë apo të ndonjë doktrine apo projekti që është ndjekur dikur a dikund. Në asnjë mënyrë, jo. Përveç preambulës së Kushtetutës së Shqipërisë ku ka  vetëm një frazë për bashkimin Kombëtar, asgjë nuk është artikuluar në këto 23 vjet të cilat më shumë e kanë dëmtuar dhe e kanë larguar çështjen kombëtare se sa e kanë zgjuar atë. Në këto vite kanë ndodhur ngjarje që do të ngelen në kujtesën e kombit, midis të cilave eksodi biblik tërmetor që e dyndi shqiptarinë ta përmbyt deti dhe të përgjakë kufiri me tela me gjemba. Kolonat emigratore e lanë Shqipërinë tek jo më shumë se 2.5 milionë banorë. Nën thundrën e fqinjëve jugore ndërroheshin emrat dhe shitej etnia. Brenda në Shqipëri hartoheshin ligje të gjendjes civile për shitje të etnisë. Tragjedia bëhej shumë më e rëndë se viti 1913. Pastaj  97’a e luftës Civile dhe kthimi në “zeroshtet” Askurrkund nuk ka ndodhur si në Shqipëri. Shitja e etnisë e mbushi kupën. Shitja e detit e trazoi psikikën e shqiptarëve. Këtu lindi dhe Aleanca kuq e Zi. Nuk ish fjala për të bërë Shqipërinë e Madhe, por për të bërë Shqipërinë-Komb. Kosova në të kundërt të shkërmoqjes brenda veti, kish bërë tjetërsoj, kish ndjekur prirjen kryengritëse që çoi sinjal të cilën  e mori  SHBA e NATO çka sollën shtetin e dytë të Mëvetëm shqiptar:  Ishte një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve ne fundin e shekullit të 20-të. Besoj se me vonesë, por shqiptarëve u ka ardhur koha që të nxjerrin në shesh doktrinën e shtetit komb të përndarë në pesë shtete. Nuk besoj kurrë se shtetet kombe e kanë humbur kuptimin e tyre kur e tërë bota moderne ka kaluar më herët në këtë hulli. A ka një projekt amerikan për Shqipërinë e Madhe!? Nuk na duket se ka një Projekt të tillë. Veçse besohet se SHBA ndjek shumë natyrshëm zhvillimet që ndodhin në Ballkan, botën e kombëtarizmit që e shkaktojnë plagët e ndarjes dhe prerjes së madhe. Ata kuptueshëm kërkojnë “durim” në zgjidhjen e pazgjidhur që është dhënë në vitin 1913, sepse çdo çedim në Ballkan është një përgatitje e shkrepëses për “fuçinë e barutit” po edhe për interesat gjeopolitike dhe gjeo-strategjike në rajon. Mirëpo procesi nuk mund të ndalet, ai filloi me Kosovën. Hapat që duhen hedhur janë pjesë e doktrinës por jo asaj të mashtrimit berishian. Kosova ishte preludi i madh kombëtar. Ai bëri që ky zë të dëgjohet matanë Atlantikut që këtu në Ballkan kish interesa ekonomike dhe gjeopolitike  e që vijon t’i ketë. Kjo është në interes të Çështjes Kombëtare Shqiptare. Projekti, edhe po të mos jetë shkruar dikund, ai po rrjedh krejtësisht në luginat e interesave që ka vetë rajoni që nuk mund të lidhet me zinxhirët atavikë. Pjesë e Projektit zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, forcimi i demokracisë së vërtetë në Shqipëri e në Kosovë të të drejtave të njeriut, të hapave kulturorë kombëtare të tregtisë e të doganave të teksteve të përbashkët dhe unifikuar, që të mos ketë dallime sociale, të gjitha këto të çojnë drejt bashkimit. Askujt në botën moderne nuk mund t’i mbyllet goja,  kur kanë ngelur probleme të cilat ende nuk janë zgjidhur dhe që  kërkojnë zgjidhje në një moment të favorshëm kur i vjen koha, që të realizohet ajo që tanimë njihet se, “kombet nuk dhurohen por krijohen”. Harta  e Ballkanit, duhet treguar dhe duhet parë për kufijtë e tragjedisë së një kombi. Por ama, jo për të luajtur me ndjenjat e shqiptarëve kudo që janë. Ndër skuta të errëta të fshehjes dhe të kyçjes në arkëza kufijsh të tjerë, diskursi i dështimit politik të Sali Berishës, doli në shesh në një periudhë të krizës së tij dhe të sistemit që është munduar të ndërtojë në Shqipëri.

 Berisha: Albanofobia kërcënim për rajonin, nuk mund të klonohen 5 kombe shqiptare!

 Gjatë fjalës së tij në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih, Kryeministri Berisha theksoi se, albanofobia është e gjallë dhe përbën një kërcënim për stabilitetin në rajon. Ndërsa nënvizoi se kufijtë mbeten të parëndësishëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian, shefi i qeverisë shqiptare e cilësoi të papranueshme që shqiptarët e copëtuar në 5 shtete të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme. Kryeministri e konsideroi vendimtare për rajonin respektimin e plotë dhe implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe.