Nasip Naço:“LSI-ja, ndryshe nga PD-PS, i jep prioritet integrimit të Shqipërisë”

502
Sigal

INTERVISTA/Nasip Naço, Nënkryetari i Kuvendit: “Të dyja palët duhet të deklarojnë para zgjedhjeve, që do ta njohin fituesin e 23 Qershorit”

Nasip Naço, Nënkryetari i Kuvendit  dhe deputeti i LSI-së, në intervistën për “Telegraf”, shtron domosdoshmërinë e krijimit të një poli të tretë politik, nisur nga nevoja e liberalizimit të politikës. Dhe, për t’u bërë më i kuptueshëm, zoti Naço shton, se po të kishim një pol të tretë, sot, nuk do të jetë më e nevojshme që të vijë Fyle e të tjerë, që të bindin klasën politike që të votojë ligjet e integrimit.

– Zoti Naço, misioni i Komisionerit të BE-së, Fyle, në Tiranë, është të kontribuojë që të arrihet kompromisi midis PD-PS, apo thjesht të votohen 3 ligjet që lidhen me 12 prioritetet?

Unë besoj se kjo vizitë e zotit Fyle në Tiranë ishte e panevojshme për klasën politike shqiptare. E kam këtë bindje, sepse te ne ka 22 vjet demokraci dhe klasa politike, edhe në këto momente duhet të tregonte maturi, të mendojë e të veprojë me mendësi të demokracisë europiane, e të mos përdorin metoda distancimi në politikën shqiptare për të përfituar secila në maksimum, edhe në prag të zgjedhjeve elektorale. Sigurisht, unë do ta vlerësoja misionin e zotit Fyle, për t’u ulur e biseduar me palët në politikën shqiptare, për të gjetur një zgjidhje, një konsensus, ndërsa ne të sillemi si joeuropianë. Besoj që këtë radhë, vizita e zotit Fyle do të ketë sukses, në arritjen e një kompromisi e në miratimin  e 3 ligjeve në parlamentin tonë.LSI-ja ka mbajtur përherë atë politikë, që klasa politike duhet të miratojë sa më parë 3 ligjet e të mos bëhet pengesë e procesit të integrimit.

-Në të vërtetë, po të votohen 3 ligjet, automatikisht, marrim statusin?

– Unë besoj se në axhendën e sotme janë 3 ligjet që duhet të miratohen në Kuvend dhe përgatitja e infrastrukturës për zgjedhjet e ardhshme, sepse, në fund të fundit, nëse do të kemi zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, do të tregojmë se plotësojmë standardet e një vendi demokratik. Në këto kushte, do them që të dyja janë të lidhura bashkë, ndaj duhet punuar edhe në ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore dhe të bëjmë zgjedhje standardeve europiane, që t’i bindim partnerët tanë të BE-së, që ne kemi arritur standardet e dëshiruara për t’u bërë anëtarë të barabartë në Familjen Europiane.

– Vota e 23 Qershorit do të jetë reflektim i proceseve të integrimit?

– Nuk besoj se  integrimi ka të bëjë me fitoren e njërës, apo tjetrës palë. E rëndësishme është që të kemi një proces të rregullt zgjedhor. Besoj, se të dyja palët duhet të deklarojnë para zgjedhjeve, që do ta njohin fituesin e zgjedhjeve, sikurse veprohet në vendet e tjera. T’i japin dorën njëri-tjetrit, pavarësisht se cili është  humbësi dhe t’i urojë sukses kundërshtarit, për të mirën e të gjithëve. Edhe duke qenë në opozita, pala politike kontribuon në zhvillimin e integrimin e vendit.

–  Kuvendi  në ndarjen e mandateve për 23 Qershorin, nuk respektoi ligjin kryesor të Kodit Zgjedhor, barazinë e votuesve, sipas qarqeve. A ka shkelje të Kodit Zgjedhor nga Kuvendi?

Unë besoj se nuk ka shkelje të Kodit Zgjedhor. Sigurisht, sipas ligjit, ka ardhur në KQZ një informim nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, për numrin e përgjithshëm të popullsisë. Nga KQZ-ja, brenda 15 ditëve, sipas neneve 75 dhe 75 të Kodit Zgjedhor, duhej të merrej një vendim. Një vendim i tillë nuk u arrit të merrej me konsensus, pasi pjesa e opozitës nuk e votoi projektin e ndarjes së mandateve sipas banorëve, të propozuar nga administrata e KQZ-së. Në këto kushte KQZ-ja dërgoi në Kuvend një informim dhe Kuvendi është i detyruar që brenda 7 marsit të miratonte ndarjen e mandateve, sipas popullsisë. Nga Kuvendi, duke parë se nuk kishte konsensus në KQZ, u morr për bazë vendimi për ndarjen e mandateve të 2009-s, e cila, atëherë, kishte marrë shumicën e  cilësuar të votave.  Në asnjë rast nuk  do të ishte ndarja ideale. Po t’ja hiqnim  mandatin Beratit, do të cenohej Berati, po t’ja hiqnim Kukësit, do cenohej Kukësi.

Nuk bëhet fjalë kujt duhet t’ja hiqnin dhe kujt t’ja shtonin një mandat.

– Kishte të bënte me një ndarje popullsisë të presjes dhjetore, që nuk ndikonte në procesin e ndarjes së mandateve.

Kodi i ri Zgjedhor që u miratua me konsensus të plotë, thotë qartazi që mandatet shpërndahen në saj të popullsisë të regjistruar në nëntor të 2012-s, ndërsa Kuvendi u bazua në popullsinë e regjistruar në nëntor të 2008-s. A nuk është ndarja e mandateve nga Kuvendi antiligjor?

Unë mund të them që pretendimet e njërës palë për 1 mandat kishin të bënin vetëm me 100 banorë. Prandaj, ju thashë, që bëhet fjalë për presjet dhjetore, e po t’ja hiqnim Qarkut të Beratit, do të mbeteshin pa përfaqësuar votuesit e Qarkut të Beratit. Apo, anasjelltas, po t’ja hiqnim Kukësit, për 100 banorë, do të mbeteshim mijëra të tjerë pa u përfaqësuar dhe t’ja shtonim padrejtësisht Tiranës. Prandaj, nuk ka një ndarje ideale. Por procesi u politizua nga palët, për përfitime maksimale.

– LSI-ja ka kritikuar për politizimin e KQZ-së nga PS-PS. Por, njëkohësisht, anëtari i zgjedhur nga LSI-ja në KQZ votoi, gjithherë me PD-në. Atëherë, sa reale është kritika e LSI-së?

– Ligjërisht,LSI-ja nuk ka ndonjë përfaqësues të saj në KQZ. Po të lexosh me kujdes në Kod, thotë që 2 anëtarë të KQZ-së, zgjidhen – të cilësuar- nga PD-ja, 2 nga PS-ja, dhe 1 i përkiste grupeve parlamentare të maxhorancës. Anëtari i KQZ-së, nuk është kandidati i mirëfilltë i LSI-së. Kështu, që ky anëtar, për çdo vendim që duhet të japë votën, nuk merr urdhër nga Kryetari i LSI-së, por vepron sipas bindjeve të tij. Ai mund të jetë zgjedhë me propozimin eLSI-së e me votat e maxhorancës, por ai është jurist dhe ka ligjin e bindjet e tij për të votuar.

Çfarë roli mund të ketë poli i tretë në politikën tonë?

Unë besoj se të dy kahet e  politikës sot  janë tejet të politizuara dhe tejet agresive. Ju e shikoni, që duhet të vijnë përfaqësuesit ndërkombëtarë që t’i ulin në tavolinë. Unë besoj se po të ketë një pol të tretë, nuk do të jetë më e nevojshme që të vijnë ndërkombëtarët. Vetë shqiptarët me votën e tyre do të dinë të përcaktojnë koalicionet  për fatet e Shqipërisë.

Cilat mund të jenë kriteret që do të përcaktojnë se me kë kah politik, poli i tretë mund të bashkohet pas zgjedhjeve?

Unë mendoj se ka të bëjë edhe shumatorja, por edhe programet politike të palëve të tjera. Për mendimin tim, në Shqipëri të ketë pol të tretë, që të liberalizojë politikën dhe poli i tretë do t’i shërbejë Shqipërisë, shqiptarëve dhe integrimit.

– Përse  ju thatë që 3 ligjet duhet të votohen sot, por të hyjnë në fuqi në 1 tetor?

– Në këtë fazë, që duhet të vijnë ndërkombëtarët e të na bindin se duhet të votojmë 3 ligjet, do të ishte mirë që , të mos lejohet asnjë palë politike të përfitojë nga votimi i tanishëm i tre ligjeve, për të marrë një bonus politik, do të doja që të ketë kompromis maxhorancë-opozitë, që këto ligje të hyjnë në fuqi, pas zgjedhjeve, që asnjë nga palët të mos e përdorë si kapital politik. Kjo do të thotë që maxhoranca e nesërme ka të gjithë të drejtën, që të zbatojë këto logjet e miratuara tani.

– LSI-ja gjatë kësaj kohe ka kritikuar edhe PD-në edhe PS-në që integrimin e kanë peng të politikave të tyre. Kjo do të thotë që qëllimi i tyre parësor është pushteti, dhe jo integrimi?

– Të gjitha veprimet politike të PD-së e PS-së bëhen për të marrë me çdo kusht pushtetin. Për LSI-në, nuk ka qenë problemi i numrave, por ka qenë alternativa. Çfarë u afrojmë ne shqiptarëve?!

 Poli i tretë dhe liberalizimi i politikës

– Bëhet shumë fjalë për polin  e tretë, ku LSI-ja do të ketë rolin udhëheqës. Sa pranë realitetit është kjo mundësi?

– Për mendimin tim, duke qenë se përfaqësoj edhe Qarkun e Beratit dheLSI-ja është lokomotiva e së majtës në Qarkun e Beratit, do të preferoja personalisht, që të hynim të vetëm në zgjedhje, për të treguar identitetin dhe filozofinë tonë. Një mundësi tjetër, mund të jetë edhe krijimi i një poli të tretë, ku në krye të tij të jetë lidershipi iLSI-së, Ilir Meta dhe e ka dëftuar në rrugën e tij politike aftësinë drejtuese dhe udhëheqëse.  Ku është Ilir Meta është edhe fitorja, ndaj ky pol i tretë politik i krijuar  mund të  bashkëpeshojë politikën shqiptare në qeverisjen e vendit.

– Faleminderit!