Jakup B. GJOÇA/Kush e mban peng integrimin e Shqipërisë?

523
Sigal

Qarku i Fierit është sebepi politik për PD-PS për (mos)votimin e 3 ligjeve!

Ardhja e Stefan Fyle, Komisionierit të zgjedhimit të BE-së, në Tiranë, nga shumëkush u përfol si një përpjekje ( e fundit) e BE-së për të bindur opozitën që të votojë 3 ligjet e paketës së 12 prioriteteve të kushteve për dhënien e statusit kandidat të BE-së, Shqipërisë. Ngaqë është kultivuar opinioni, se mosmarrja e statusit kandidat është pasojë e drejtpërdrejtë e mosvotimit nga opozita e 3 ligjeve, që janë Reforma parlamentare ( që në të vërtetë është vetëm Rregullorja e Parlamentit), Ligji për Gjykatën e Lartë dhe Ligji i Nëpunësit Civil. Kurorëzimi i këtij kultivimi të opinionit ishin edhe peticionet e intelektualëve, drejtuar Kryetarit të PS-së, Edi Ramës, që i kërkonin, që PS-ja të votojë 3 ligjet dhe Shqipëria, që nesër të marrë statusin kandidat! Mirëpo, cila është e vërteta, e parë përtej asaj gote, gjysmë të mbushur, apo, për disa, është gjysmë bosh? Edhe opozita, nuk e ka thënë të gjithë të vërtetën, për mohimin  e saj, për  mosvotimin e  3 ligjeve. Pavarësisht, se politikisht, i mëshoi  oponencës të moszbatimit të vendimeve të gjyqësorit për kreun e Qarkut të Fierit. PS-ja, Qarkun e Fierit e përdori, si sebep politik, për të mos zbardhur  publikisht, shkakun e vërtetë të mosvotimit të 3 ligjeve të 12 prioriteteve. Në Ligjin për Gjykatën e Lartë, është edhe Gjykata Administrative. Kur u diskutua në Komisionet parlamentare p/ligji për ngritjen e Gjykatës Administrative, në marrëveshje PD-PS ranë dakord që në Kuvend, miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, të bashkëngjitej me p/ligjin për Gjykatën e Lartë. PD-ja, asokohe, ra dakord, për arsye se donte të fitonte kohë, që Presidenti Topi, të mos kishte mundësi të dekretonte anëtarët e Gjykatës Administrative. PS-ja, gjithashtu, shpresonte në një kandidaturë konsensuale për President, ndaj nuk ngutej për ligjin e Gjykatës Administrative. Mirëpo, me zgjedhjen e Nishanit si President, këto balanca politike peshuan në favor të PD-së, e cila, tashmë, ishte e interesuar që Gjykata Administrative të ngrihet sa më shpejt që është e mundur, sidomos, para zgjedhjeve parlamentare. PS-ja, që humbi çdo shpresë, për të ndikuar sadopak në emërimet e anëtarëve të Gjykatës Administrative, përpunoi strategjinë politike, të zvarritjes me çdo kusht të miratimit të ligjit për Gjykatën e Lartë. Dhe u gjet, sebepi, politik, Qarku i Fierit! Në qoftë se PS-ja fiton shumicën qeverisëse në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, edhe Presidenti Nishani, nuk do ta ketë të lehtë që të dekretojë këdo anëtar për Gjykatën Administrative, sepse dekretimi i tij do të rrëzohet në Kuvend. Pavarësisht, se nuk është bërë publike, edhe nga PS-ja arsyeja e vërtetë përse PS-ja nuk voton 3 ligjet, të gjithë emisarët e BE-së, qoftë në Bruksel, qoftë edhe trojka këtu, e dinë shumë mirë, që PS-ja nuk mund të votojë 3 ligjet, për të mos i dhënë mundësinë Presidentit Nishani të dekretojë anëtarët e Gjykatës Administrative e të miratohen me këtë Kuvend. PD-ja nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër, përveçse, këto 3 ligje të miratohen tani, për të ngritur para 23 qershorit Gjykatën Administrative, duke patur të drejtën, që të emërojë shumicën e anëtarëve. Jo më kot, Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, pardje, për herë të parë, hodhi idenë e miratimit tani të 3 ligjeve, mirëpo me dakordësinë e PD-PS, që këto ligje të veprojnë pas zgjedhjeve. Që do të thotë, Kuvendi i ardhshëm, të miratojë dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Administrative. Komisioneri Fyle kërkon një kompromis PD-PS, pikërisht, për të dhënë këtë zgjidhje, të pranueshme. Por, ka edhe diçka tjetër, që PS-ja nuk pranon të votojë para zgjedhjeve p/ligjin për Nëpunësin Civil. Po të miratojë këtë ligj, PS-ja, po të vijë në qeverisje pas 23 Qershorit, nuk do t’i ketë duart e lira që të “spastrojë” administratën publike nga “ militantët e PD-së”- sikurse është shprehur, pasi nëpunësit, me Ligjin për Nëpunësin Civil, do të marrin statusin, dhe nuk mund të nxirren nga administrata kaq lehtë.  Ndokush, mund të kundërshtojë këto që shkruajmë. Atëherë, ngremë pyetjen, që deri më sot, nuk është bërë: Përse PD-ja nuk bën lëshime për Qarkun e Fierit, për hir të integrimit të Shqipërisë, sikurse akuzon PS-në? A nuk i takon edhe PD-së, që të bëjë edhe ajo lëshime politike, ekuivalente, sikurse e kërkon edhe nga PS-ja, për Qarkun e Fierit dhe do të ishte mëse e lehtë marrëveshja e arritja e kompromisit? Po të ishte vetëm Qarku i Fierit, edhe për PD-në, Berisha, do ta kishte sakrifikuar, sepse kapitali politik që do të përfitonte nga marrja e statusit, do të ishte shumë herë më i madh, sesa një kryetar Qarku. Berisha është i patolerueshëm, kur vjen puna që të zotërojë institucionet dhe Gjykata Administrative, është po kaq e rëndësishme, sikurse Presidenca, KLD-ja, KLSH-ja, SHISH-u, Kryeprokurori, ILDPK-ja, KQZ-ja,  në të cilat Berisha ka emëruar  ata drejtues që ka dashur vetëm ai, pa pyetur fare as Ilir Metën. Ndaj, institucioni i vetëm i pakapshëm nga Berisha- deri tani- është Gjykata Administrative dhe e vetmja pengesë është miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë.