Programi i qeverisë “Rama1”, i cili u prezantua dje nga Kryeministri Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë

431
Sigal

Reformat në fushën e mbrojtjes  dhe sigurisë kombëtare

Kryeministri i dekretuar, Edi Rama, bëri dje  në Kuvend, në seancën e djeshme të mbasdites,  prezantimin e programit të qeverisë 2013-2017 të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. “Shqipëria e Gjeneratës tjetër” është program, i cili do të qeverisë vendin për 4 vite të ardhshme bazuar në 3 shtylla: Liri, Përgjegjësi, Solidaritet.  Programi është i detajuar në 5 kapituj, të cilët janë: Integrimi në Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i së drejtës dhe demokratizimi shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike.

Siguria kombëtare dhe kontributi në sigurinë globale

Programi për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare do të vazhdojë të mishërojë standardet dhe parimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Hapat kryesorë për arritjen e këtyre objektivave do të fillojnë nga angazhimi i institucional për përgatitjen e Dokumentit të Strategjisë Kombëtare.

Qeveria do të mundësojë kryerjen e një reforme të thellë në Forcat e Armatosura nga pikëpamja doktrinare, konceptuale dhe strukturore, me qëllim që të rrisë profesionalizmin, të sigurojë depolitizimin e strukturave dhe të forcojë luftën  kundër korrupsionit. Synimi i hartimit e  zbatimit të planit afatgjatë të zhvillimit do të jetë:

• Krijimi i një strukture të re organizative të FA, duke ulur në mënyrë graduale numrin aktual të personelit;

• Rishikimi i tërë sistemit të edukimit, arsimimit dhe trajnimit të Forcave të Armatosura, me qëllim përgatitjen e ushtarit profesionist, nënoficerit, oficerit të trupës dhe shtabit të Forcave të Armatosura, në përputhje me nevojat e strukturës së re të kësaj force.

Prioritet do të marrë realizimi i gatishmërisë operacionale të Grup Batalionit të Këmbësorisë së Mekanizuar si dhe Grupit të Forcave Tokësore për Operacionet Speciale, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimet ndaj NATO-s në kapacitetet ushtarake, të kërkuara për mbrojtjen kolektive dhe operacionet e ruajtjes së paqes. Ne do të ripunojmë kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Në thelb të kësaj pune do të jetë përmirësimi i Statusit të Ushtarakut me synim, rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur dhe rritjen e besimit të tyre tek shteti. Rishikimi i kuadrit ligjor për përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve aktivë është një domosdoshmëri për mbajtjen dhe tërheqjen e burimeve njerëzore cilësore në Forcat e Armatosura për të ardhmen, por edhe për trajtimin dinjitoz të ushtarakëve në rezervë dhe lirim.

 

Veteranët dhe invalidët e luftës antifashiste

Socialistët janë bartës të vlerave më të mira të patriotizmit shqiptar dhe të atdhetarizmit të

veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Veteranët çliruan vendin nga terrori nazifashist dhe e rreshtuan Shqipërinë në anën e duhur të historisë, krah për krah me të gjitha fuqitë e mëdha çlirimtare. Me mundin dhe sakrificat e tyre, ata kontribuuan për zhvillimin e vendit dhe krijuan kulturën e punës e të shërbimit ndaj atdheut. Politikat tona publike dhe sociale do të respektojnë Statusin e Veteranit. Shërbimi dhe kujdesi ndaj veteranëve do të jenë prioriteti ynë i patjetërsueshëm social. Të gjitha shërbimet publike për veteranët do të jenë falas.

Sigurimet shoqërore

Do të realizojmë reformë në fushën e pensioneve, të përqendruar në konsolidimin e sistemit aktual të sigurimeve shoqërore. Reformë në fushën e pensioneve që kontribuon në zgjidhjen e problemit të papunësisë dhe informalitetit. Sigurim i raportit optimal midis përfitimeve maksimale e minimale, në nivele të qëndrueshme. Fillimi i negociatave dypalëshe me shtetet e tjera për të arritur në një marrëveshje për të siguruar mundësinë e transferimit të sigurimeve shoqërore për emigrantët shqiptarë që kthehen në atdhe. Do të zgjidhim ngërçin ligjor të pensioneve të ushtarakëve në lirim. Do të përcaktojmë të drejtat e tyre në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Do të miratojmë statuset e profesioneve të vështira për të harmonizuar kontributet specifike me të drejtat e përgjithshme sociale.

Barazia para ligjit dhe sundimi i tij

Shteti i së drejtës është në një krizë të thellë në Shqipëri, ndërkohë që forcimi i sundimit të ligjit është kushti më themelor për konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror në vend. Suksesi i reformave në drejtësi varet në një shkallë të lartë nga bashkëveprimi mes disa institucioneve të pavarura, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Në katër vitet e ardhshme, ne angazhohemi:

(i) të ndërmarrim të gjitha nismat ligjore dhe masat në kompetencën tonë për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor;

(ii) të ndërmarrim reforma rrënjësore, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë;

(iii) të krijojmë të gjitha kushtet e domosdoshme për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë shqiptare në përputhje me standardet e BE-së;

(iv) të sigurojmë respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë aksesin e plotë dhe të barabartë në drejtësi për të gjithë;

(v) të krijojmë një kuadër ligjor penal modern;

(vi) të garantojmë bashkëpunimin e plotë dhe efektiv me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë; dhe

(vii) të përmirësojmë procesin e hartimit të legjislacionit.

Për këtë qëllim, qeveria do të iniciojë:

(i) ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe në ligjin “Për organizmin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, me qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave të qarta që duhet të ndjekin strukturat inspektuese përkatëse pranë këtyre dy institucioneve;

(ii) ndryshime në ligjin për Gjykatën Kushtetuese; dhe

(iii) amendimin e Kodit të Procedurës Penale. Qeveria do të ndërmarrë disa nisma të

rëndësishme për ta bërë sa më funksional administrimin e drejtësisë në Shqipëri. Disa nga

këto nisma janë:

(i) hartimi dhe miratimi i ndryshimeve në të drejtën materiale e procedurale civile dhe administrative, me qëllim harmonizimin me ligjin “Për Gjykatën Administrative”;

(ii) sigurimi i burimeve financiare të nevojshme për zgjerimin e shërbimit të provës;

(iii) reforma e sistemit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si garanci në rritjen e besimit të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve tek sistemi i drejtësisë; dhe

(iv) përfundimi i instalimit të sistemit të audio-regjistrimit në të gjitha gjykatat.

Për të kontribuar në përmirësimin e performancës së prokurorëve, gjykatësve dhe avokatëve, qeveria do:

(i) t’i japë mbështetje të plotë Prokurorisë së Përgjithshme për të përfunduar vlerësimin e prokurorëve;

(ii) t’i japë mbështetje të plotë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të përfunduar vlerësimin e gjyqtarëve;

(iii) të ndërmarrë nisma ligjore për t’i dhënë të drejtën gjykatave dhe/ose Avokatit të Popullit të monitorojnë dhe penalizojnë avokatët që nuk respektojnë procesin gjyqësor,

duke përfshirë edhe rastet e mosparaqitjeve në seancat gjyqësore;

(iv) të ndërmarrë nisma për të mundësuar aplikimin e parimit të karrierës, bazuar në vlerësimet periodike të gjyqtarëve për emërimet në shkallët e gjyqësorit dhe shndërrimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë karriere. Qeveria do të hartojë dhe miratojë Strategjinë kundër Korrupsionit në Sistemin e Drejtësisë. Qeveria do të themelojë Byronë  Kombëtare të Hetimit.

 Reformimi i sistemit gjyqësor. Kjo do të arrihet:

(i) duke mënjanuar çdo ndikim politik që ka shërbyer deri më sot për shkëmbime favoresh dhe influencash midis ekzekutivit dhe gjykatës;

(ii) duke i siguruar gjyqësorit kushte sigurie dhe pagese të një niveli të përshtatshëm për detyrën e tyre të lartë; dhe

(iii) duke forcuar mbikëqyrjen institucionale të gjyqësorit, si me forcimin e instrumenteve nga brenda vetë gjyqësorit, ashtu dhe të atyre nga jashtë tij.

qeveria dhe maxhoranca e re do të ngrenë strukturën e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Reformat që do forcojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve

Rritja drastike e shifrave të kriminalitetit, veçanërisht e veprave penale të rënda kundër jetës e pronës së qytetarëve dhe shkelja e vazhdueshme e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dikton domosdoshmërinë e një reforme themelore shumëdimensionale për të rikthyer sigurinë dhe garantimin e rendit publik, të jetës shoqërore dhe të zhvillimit të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe përmbushjen e angazhimeve tona rajonale endërkombëtare. Anashkalimi ose shkelja e ligjit, mungesa e transparencës dhe e pjesëmarrjes së publikut, anarkia në kuadrin ligjor e reformat sektoriale, militantizmi, mungesa e profesionalizmit, formimi i munguar, demotivimi e në shumë raste, korrupsioni ose lidhjet me botën e krimit, janë ndër arsyet e rritjes eksponenciale të shifrave të krimit dhe nivelit të ulët të efikasitetit të Policisë së Shtetit, duke cenuar besimin e publikut në forcën dhe zbatimin e ligjit. Duke e konsideruar një prioritet absolut, sigurinë dhe rivendosjen e rendit publik, Qeveria angazhohet për të rikthyer besimin e publikut në një Shqipëri më të sigurt, ku forca e ligjit vlen për të gjithë në mënyrë të barabartë, në përmbushje dhe respekt të të drejtave dhe lirive themelore

të njeriut. Objektivi ynë absolut është shembja e murit të pandëshkueshmërisë dhe imuniteteve të paligjshme. Ne:

(i) do të rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike;

(ii) do të rikthejmë Policinë e Shtetit në kontroll të territorit, duke angazhuar të gjitha burimet e nevojshme për parandalimin e krimit dhe uljen dukshëm të shkallës së kriminalitetit;

(iii) do të normalizojmë trafikun rrugor, duke marrë masat e domosdoshme për evitimin e aksidenteve të rënda;

(iv) do të përmirësojmë cilësisht shërbimin e Policisë së shtetit në kufi dhe luftën kundër krimit ndërkufitar.

Qeveria do të ndërmarrë masa për parandalimin e krimit kundër jetës dhe pronës së qytetarëve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të krimit në familje, mbi baza gjinore, kundër të miturve, të moshuarve e të gjitha shtresave shoqërisht në nevojë, hakmarrjes dhe gjakmarrjes, si dhe ndaj konflikteve të hapura me potencial për të sjellë pasoja kriminale. Duke përfituar edhe nga ndihma dhe përvoja e partnerëve ndërkombëtarë, do të shënojmë rritje cilësore në luftën kundër krimit ekonomik e veçanërisht kundër pastrimit të parave. Ne do të ridimensionojmë po ashtu, luftën e Policisë së Shtetit ndaj veprave penale kundër mjedisit, shkatërrimit të territorit, monumenteve dhe trashëgimisë kulturore.

Qeveria e re do të zbatojë një program konkret për reformimin e thellë të Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese:

(i) për të përmbushur standardet më të larta të funksionimit demokratik, transparent, të kontrollueshëm dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve;

(ii) për të vënë në zbatim një model pune të bazuar rigorozisht në zbatimin e ligjit, përgjegjësitë, kompetencat, procedurat e veprimtarisë së Policisë së Shtetit;

si dhe

(iii) për të konsoliduar marrëdhëniet me institucionet e pavarura dhe bashkëpunimin intensiv me partnerët ndërkombëtarë e ndërveprimin policor rajonal dhe ndërkombëtar.

Kjo reformë do të nisë me rikonceptimin strukturor dhe funksional të Ministrisë së

Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Synimi kryesor është ndërtimi i një sistemi mekanizmash të përqendruara që garantojnë efikasitet, përgjegjshmëri, veprim funksional për mbrojtjen e plotë të ligjit në të gjithë vendin dhe efektivitet në kohë. Parimi i reformës “Një Shtet – Një Polici” do të bëjë të mundur njësimin e funksioneve policore të disa agjencive ligjzbatuese të ngjashme, duke eliminuar mbivendosjen e kompetencave, anarkinë e veprimit ose mosveprimin, si dhe duke garantuar standardizimin e veprimit në territor dhe kohë. Qeveria do të fokusohet në përmirësimin e menjëhershëm të cilësisë së shërbimit të Policisë së Shtetit për qytetarët, duke rritur fuqinë parandaluese e goditëse ndaj krimit dhe duke garantuar barazinë para ligjit, pa asnjë përjashtim. Qeveria do të angazhojë të gjitha burimet e duhura për të vënë në jetë parimet themelore në veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit:

unifikimi i procedurave të punës, standardizimi i protokollit të performancës, raportimi dhe monitorimi i efikasitetit në punë, thjeshtimi i strukturës organizative dhe reforma e niveleve të drejtimit, ridimensionimi i përgjegjësive për çdo funksion, përcaktimi i ngarkesës së punës dhe përgjegjësitë përkatëse. Zbatimi me efektivitet i këtyre parimeve do të garantojë që asnjë shkelje e ligjit të mos rezultojë e pandëshkuar për mungesë apo konfuzion kompetencash ose mosushtrim të kompetencave të njohura nga kuadri ligjor. Qeveria do të riorganizojë njësitë policore që shërbejnë pranë qytetarëve, duke synuar përforcimin e shërbimit në territor pranë njerëzve, rritjen e cilësisë së policimit, ndërhyrjes dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve që kthehen në burim të ngjarjeve kriminale. Për të shtuar forcën parandaluese të Policisë dhe hetimin efektiv të veprave penale,

(i) do të shkurtojmë hallkat e tepërta të drejtimit të strukturave të Policisë;

(ii) do të ridimensionojmë dhe përforcojmë strukturat bazë të Policisë në nivel të komunitetit;

(iii) do të rishpërndajmë forcën policore, duke mbajtur parasysh lëvizjet demografike dhe hartën e potencialit kriminal;

(iv) do të vëmë në zbatim një sistem të përpunimit të hollësishëm të informacionit dhe të analizave kriminale;

(v) do të ndërtojmë partneritet efektiv dhe të qëndrueshëm mes Policisë së Shtetit, institucioneve të qeverisjes vendore, shoqërisë civile dhe komunitetit.

Për të rritur shkallën e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve, veçanërisht brezit të ri, qeveria do të përfshijë në kurrikulën e arsimit të detyrueshëm elementët themelorë të edukimit ligjor lidhur me fenomenet kriminale, qarkullimin rrugor, misionin dhe funksionet e Policisë së Shtetit, si dhe edukimin qytetar për transparencë dhe pjesëmarrje në policim. Do të organizojmë një seri aktivitetesh sensibilizuese për njohjen e legjislacionit dhe bashkëpunimin e publikut në parandalimin dhe evidentimin e veprave penale. Do të zbatojë një plan masash konkrete për t’i rikthyer dinjitetin dhe autoritetin institucionit dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Do të saktësojmë, modernizojmë dhe respektojmë plotësisht kriteret e rekrutimit, promovimit dhe karrierës për punonjësit e Policisë së Shtetit; do të përcaktojmë saktë përshkrimin e punës, përgjegjësitë, si dhe procedurat e punës, monitorimit, vlerësimit dhe promovimit për çdo punonjës të Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet duke korrigjuar paligjshmërinë, korrupsionin, militantizmin dhe mungesën e profesionalizmit në këto procese.

Do të ridimensionojmë sistemin e gradave duke synuar konsolidimin e karrierës dhe gradës për funksion. Ne do të reformojmë rrënjësisht sistemin e arsimit dhe formimit të vazhdueshëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, me qëllim diversifikimin e kapaciteteve njerëzore të Policisë së Shtetit dhe përshtatjen me hapat e zhvillimit shoqëror e kulturor të vendit tonë.

Qeveria angazhohet të rishikojë trajtimin financiar dhe pagat bazë të punonjësve të Policisë dhe do të shqyrtojë efikasitetin e përdorimit të pagesës së diferencuar për punonjësit që arrijnë rezultate të larta në luftën kundër krimit.

Qeveria do të garantojë përkujdesje shtetërore të posaçme për familjet e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Qeveria do të rivendosë marrëdhënien e besimit dhe bashkëpunimit reciprok mes Policisë së Shtetit me institucionet e pavarura kushtetuese që kanë rol kyç në luftën kundër krimit, veçanërisht Prokurorinë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe sistemin gjyqësor, duke rishikuar kuadrin e përbashkët të akteve koordinuese dhe bashkëpunimin me njësitë e përbashkëta të luftës kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Qeveria do të garantojë transparencë të plotë për qytetarët dhe mediat lidhur me veprimtarinë e Policisë së Shtetit.