Ermonela Felaj:“ Është shkelje flagrante e Kushtetutës, ndarja e mandateve në Kuvend”

484
Sigal

INTERVISTA/Ermonela Felaj, deputete e PS-së: “KQZ-ja është paradhoma politike e Kryeministrit Berisha”

Vetëm në Shqipëri, edhe pse kanë kaluar 21 vjet nga shembja e diktaturës komuniste, ndodh, që protagonistë të zgjedhjeve politike, të mos jenë votuesit, të mos jenë programet politike elektorale, por…institucioni kushtetues, KQZ-ja. As në zgjedhjet e para demokratike, kur pushtetin e kishte PPSH-ja, dhe zgjedhjet i organizonte Ministria e Brendshme, nuk u bë protagonist i zgjedhjeve një institucion i mbarëvajtjes të procesit zgjedhor, sikurse ndodh sot. Sepse, në fund të fundit, ngërçi politik që po ndodh në KQZ, nuk ka të bëjë me brendinë se sa të ndershme dhe të lira do të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD-PS, në reformën e re zgjedhore, iu shmangën, pikërisht, që të afronin një sistem zgjedhor që do t’i jepte votës ndershmërinë, barazinë, lirinë, duke bërë që vota të përcaktonte partitë dhe shumatoren e tyre në Kuvend. Anëtarja e Komisionit të Ligjeve, Ermonela Felaj, në intervistën për “Telegraf” skanon ngërçin politik në KQZ dhe shpjegohet përse KQZ është në varësinë e pushtetit të Berishës, por nga ana tjetër, zonja Felaj, shpreh bindjen se votuesit do të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve.

– Kujt i shërben  ngërçi politik në KQZ, i cili që në fillim vë në pikëpyetje ndershmërinë e zgjedhjeve?

– Unë besoj se është e qartë, jo vetëm se kujt i shërben politizimi në KQZZ, por dhe se kush e orkestron e frymëzon këtë histori të ulët. Ai quhet Sali Berisha, njeriu që KQZ-në,  në mënyrë të përsëritur, kërkon ta përdorë si paradhomën e vet. Është sërish loja  me ligjin zgjedhor, të cilin palët, vetëm pak kohë më parë, e miratuan me konsensus të plotë. Vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor flasin qartë për varësinë e  këtyre institucioneve nga pushteti, një gjë jo e re kjo për Shqipërinë, që në dy dekada e më shumë demokraci, nuk mundet të përvijojë qartë institucione  nga ato që domosdoshmërisht duhet të ngelen të pavarura. E kuptoni vetë sesa i demagogji është premtimi i Saliut se do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme nga momenti që i mban fort në duar, dy institucionet vendimmarrëse në zgjedhje. Ai nuk do ta bëjë një përpjekje të tillë me vullnet të lirë e të plotë.

– Dy vendimet e marra deri tani nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, janë paralajmërim i çfarë mund të ndodhë me vetë zgjedhjet?

 – Fati i zgjedhjeve varet drejtpërsëdrejti nga vota masive popullore kundër Sali Berishes dhe asaj çfarë ai përfaqëson. Vendimet  e marra deri tani nga institucionet që administrojnë zgjedhjet, edhe pse nuk kanë asgjë të përbashkët me ato vendime, që konform ligjit zgjedhor do duhet të merrnin këto dy institucione, na bëjnë të jemi më alert ndaj vetes dhe me njerëzit, votuesit, përsa i takon rëndësisë së këtyre zgjedhjeve dhe mbrojtjes së tyre deri në fund dhe me çdo kusht.

A ka kohë që KQZ-ja të rishqyrtojë ndarjen e mandateve?

 – Në fakt më mirë do të ishte të pyesnit a ka kohëLSI-ja të rimendojë votën e anëtarit të saj në KQZ, meqenëse siç duke,t e kanë kuptuar se reduktimi i një mandati në Berat heq pikërisht një mandat të tyre atje. KQZ-ja duhet  patjetër të shqyrtojë ndarjen e mandateve dhe po unë po them “shqyrtoj”, sepse Kodi Zgjedhor i ngarkon si detyrim këtij institucioni të vendosë mbi ndarjen e mandateve, bazuar në të dhënat e popullsisë për çdo qark a rajon. Këtë kompetencë deri më sot ky institucion ka munguar thelbësisht të ta ushtrojë, qoftë nga lloji i vendimit që ka marrë dhe qoftë nga kuorumi  në atë rast që nuk është ai i përcaktuar nga ligji zgjedhor, pesë me dy, por katër me tre. Një vendim i tillë është nul, nuk mund të prodhojë pasoja si një veprim absolutisht i pavlefshëm e që me fjalë të tjera  do të thotë se KQZ-ja duhet të kthehet në pozicionin fillestar, atë të shpërndarjes së mandateve, sipas të dhënave më të fundit të popullsisë për çdo qark.

– A nuk është pikëpyetje e madhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, edhe pse bëjnë apel, por në fund të fundit, pajtohen me çdo produkt rezultativ që  kritikojnë?

 – Aspak. Institucionet nuk na i ndërtojnë dhe drejtojnë ndërkombëtarët. Ne duhet të ngrihemi në lartësinë e veprimit për t’i bërë ato të tilla me çdo kusht. Nuk mundet që fajin për zgjedhjet t’ia atribuojmë kujtdo dhe askujt. Fajtori i zgjedhjeve jo të lira dhe të cenuara në Shqipëri, ka për autor dhe ideator të vetëm Sali Berishën. Ky është njeriu që kërkon të uzurpojë gjithçka në funksion të egos dhe dhespotisë  të tij për pushtet të pakufizuar.

 – Çfarë duhet të bëjnë ndërkombëtarët, që të mos mbeten thjesht në rolin e vëzhguesit?

 – Nuk mendoj që ata janë në dilemë për çfarë duhet të bëjnë, sikurse mendoj se karshi tyre ne kemi përmbushur në mënyre të plotë detyrën tonë si opozitë. Ne kërkojmë të ndërgjegjësojmë, të apelojmë dhe nuk kemi rënë në vesh të shurdhër deri më sot, absolutisht.

 – Si anëtare e Komisionit të Ligjeve,  a mund të na thoni nëse ligjvënësi a ka parashikuar rrugët e zhbllokimit, kur është i pamundur  konsensusi në KQZ?

– Vendimet nga ana e KQZ-së do  duhet të merren sikur përcakton Kodi Zgjedhor. Çdo veprim në të kundërt përbën përgjegjësi të plotë për kryerjen e veprës penale të Shpërdorimit të detyrës. Ligjvënësi, tek ka përcaktuar llojin e vendimmarrjeve të KQZ-së, ka pasur parasysh t’u japë rrugë situatave të ndryshme që mund të krijohen, jo të mbyllë rrugë. Sigurisht, që ligji s mund t’ju bëjë magji mendjeve të çartura, servile e mediokre që t’i binden atij.

– Nëse Kuvendi do të vendosë për ndarjen e mandateve të deputetëve, cili do të jetë reagimi politik i PS-së?

– PS-ja do të përdorë të gjithë mjetet demokratike që kjo shkelje flagrante e Kushtetutës të mos ndodhë.

Përfaqësojmë frymën e shpresës së ndryshimit

 – Apeli që ditët e fundit i  bëjnë intelektualët PS-së, që të votojë 3 ligjet, ka të bëjë me thelbin e problemit?

 – As njëra dhe as tjetra. Mëditësve të pushtetit, pushteti ua ka marrë forcërisht dorën për t’u marrë firmën. Në këtë mes është shumë larg, logjika, mendja e kthjellët dhe përgjegjshmëria në radhë të parë si qytetarë të këtij vendi. Peticione të tilla do të shënohen si relike të fletërrufeve të dikurshme që nuk zënë më vend krah tabelave të emulacionit, po kudo ku pushteti ka shtrirë kthetrat e tij.

– Për të dëshmuar transparencën politike edhe brenda PS-së, hartimi i listave për kandidatët për deputetë, do t’i parashtrohet strukturave bazë të PS-së?

– Partia Socialiste përfaqëson gjithë popullin opozitar, frymën e ndryshimit që më 23 Qershor do t’i japë fund këtij pushteti despotik e plaçkitës. Për këtë po punon çdo anëtar i saj duke filluar nga struktura më e thjeshtë në bazë deri tek Kryetari i saj dhe asnjë prej nesh, anëtarë partie nuk ka nevojë për emra në listë apo ofiqe të tjera për të bërë detyrën e tij me përkushtim, por na mjaftojnë sytë për të parë, veshët  për të dëgjuar dhe vullneti për të ndryshuar këtë pushtet të kalbur e të marrë fund.

Ditët e fundit, “Agimi i Artë” në fshatrat e Sarandës shpërndau postale, ku shkruanin “toka e grekëve”, si edhe në qytet shkruan parulla të tilla. Heshtjen, e politikës e diplomacisë zyrtare, ju si do ta shpjegonit? Po opozita, përse?

– Këtë pyetje drejtojani Ministrit të Jashtëm të qeverisë së Sali Berishës. Pas 23 Qershorit, kur PS-ja të vijë në pushtet nuk do ketë asnjë nëpërkëmbje për cilindo shqiptar, kudoqoftë ai.

– Faleminderit!