Lulzim Basha: “Rama dështoi në paraqitjen e programit”

Maxhoranca tregon  tolerancë,  jep  kohë PD-së për  të studiuar programin, para se të fillojë diskutimi

Bojkotohet Kuvendi nga opozita. Basha: “ Të shtunën, do të jemi në Kuvend”

Sigal

Megjithë kundërshtimet e opozitës, qeveria “Rama” deri dje paradite, ishte  e vendosur  që ta prezantonte dje  në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Socialistët u kishin  dhënë edhe 7 orë kohë opozitës për të shqyrtuar programin, përpara se Kryeministri Rama ta prezantojë atë në Kuvendin e Shqipërisë.

Prapaskenat e kundërshtimit të opozitës për mosdepozitimin e programit qeverisës sipas Kushtetutës

Mirëpo, opozita reagoi ashpër, duke thënë se do ta bojkotonte diskutimin e programit qeverisës, nëse, mbasdite do të fillonte diskutimi për programin qeverisës.

 Shtyhet ora e seancës plenare të Kuvendit

Kështu seanca plenare e Kuvendit, e cila ishte planifikuar të zhvillohej në orën 11:00, është shtyrë për në orën 18:00 pas takimit që kreu i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar me krerët e grupeve parlamentare.  “Programi i qeverisë do të prezantohet në orën 18:00. Pas Konferencës së Kryetarëve zhvilluar dje, , Kryeparlamentari Ilir Meta dhe dy krerët e grupeve parlamentare Ruçi dhe Paloka kanë rënë dakord që seanca e parashikuar për mesditën e djeshme të shtyhet për pasdite, ku kryeministri Rama do të prezantojë programin qeverisës.  Sipas burimeve pranë kryetarit të Kuvendit takimi i djeshëm mes Metës-Ruçit dhe Palokës cilësohet si një takim konstruktiv. “Në konsultim me kryetarët e Grupeve Parlamentare u konkludua që seanca plenare e caktuar për në orën 11:00, do të zhvillohet në orën 18:00, ku do të prezantohet programi i qeverisë për periudhën 2013-2017 nga Kryeministri i dekretuar, Edi Rama”,- thuhet ne njoftimin e djeshëm zyrtar të Kuvendit. Ndërkaq, është rënë dakord gjithashtu që, seanca debat për programin e ri qeverisës të zhvillohet pas dy ditësh, të shtunën dhe të dielën të votohet qeveria e re.  Shtyrja e seancës për t`i dhënë më shumë kohë opozitës të shqyrtojë programin” është shprehur kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i detyruar nga qëndrimi i opozitës, e cila nuk do të pranonte që diskutimi për programin qeverisës të fillonte po dje, menjëherë pas prezantimit të tij nga kryeministri, siç ishte publikuar më parë.

Lulzim Basha: “Nuk do të tolerohet përpjekja e maxhorancës për t’i mbyllë gojën opozitës”

Kryetari i PD-së Lulzim Basha , pas mbledhjes të Grupit Parlamentar të PD-së, paradite, tha se, programi i qeverisë duhet t`i vihet në dispozicion opozitës në mënyrë kushtetuese, përmes Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Bashës, nuk do të lejohet as nëpërkëmbja e opozitës dhe nuk do të tolerohet as përpjekja e maxhorancës së re për t’i mbyllur gojën asaj. “Programi të na vihet në dispozicion nga Kuvendi në mënyrë kushtetuese, pas kësaj të përgatitemi për debat serioz gjithëpërfshirës e transparent. Për këtë jemi të gatshëm të ushtrojmë përgjegjësitë, në Kuvend si opozita shqiptare, sikundër përsëris se akti i djeshëm është precedent jo premtues dhe se opozita është e vendosur për të mos lejuar nëpërkëmbjen e të drejtave themelore të saj dhe të shqiptarëve që përfaqëson e të mos pranojë kulturën e vjetër të arrogancës, apo përpjekjes për ti mbyllur gojën që në rastin e parë”,- tha Basha.

Më në fund, seanca  plenare e Kuvendit, për prezantimin e programit qeverisës, filloi mbasdite

Ora 18:10 ka shënuar edhe fillimin e seancës plenare të ditës së djeshme, ku u prezantua programi qeverisës i ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ për katër vitet e ardhshme si dhe prezantimi i ministrave të kabinetit të Kryeministrit Edi Rama. Me Kryeministrin e ri dhe ministrat të pozicionuar tashmë në vendet e tyre përkatëse, deputetët dhe gjithë të pranishmit, Kryeparlamentari Ilir Meta e nisi seancën, të parën pas marrjes së detyrës një ditë më parë, me betimin e deputetit dhe ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, për shkak të mungesës së tij të martën. “Fillojmë seancën e ditës së sotme, e cila si çështjen e sotme ka prezantimin e programit politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave në vijim dhe të dekreteve të Presidentit të Republikës të cilat janë para jush. Para se të vijojmë me rendin e ditës, ku kemi zhvilluar dhe me krerët e grupeve parlamentare. Do të ftoja deputetin Ridvan Bode për të bërë betimin. Do kemi kohën deri nesër në orën 00:00 për të dorëzuar pyetjet në lidhje me programin që qeveria të përgatitet. Seanca që do të vijojë me debatin që do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00”, -tha Meta. Menjëherë pas kësaj Meta i ka dhënë fjalën Kryeministrit të ri Edi Rama.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama e ka nisur fjalimin e tij me një deklaratë për përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, duke garantuar partnerët amerikanë se, Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë tyre në operacionet ushtarake. “Të vrarët e 11 shtatorit 2001 janë edhe të vrarët tanë. Të vrarët e 21 gushtit me armë kimike në Siri janë edhe të vrarët tanë. Luftërat kundër armiqve të errësirës do të jenë edhe luftërat tona. Sepse ky armik ka dalë nga errësira më e thellë jo për të vrarë e goditur një vend, por për të shkatërruar mbarë botën e mirë dhe ekzistencën tonë. Ne do jemi përkrah çdo fushate ushtarake të SHBA kundër kasapit të Damaskut”, ka deklaruar Rama. Më pas, kryetari i maxhorancës së re ka prezantuar edhe programin qeverisës, duke premtuar ndryshime jetike në sektorët kyçë si shëndetësia, drejtësia, rendi, si dhe duke e vënë theksin tek lufta ndaj varfërisë dhe papunësisë. Gjithashtu, Rama nuk ka harruar edhe luftën kundër korrupsionit dhe atë kundër kriminalitetit, që sipas tij ka arritur përmasa të papranueshme. Sikundër në dy seancat paraardhëse edhe në të sotmen trupa diplomatike e Ambasadorëve rezidentë në vendin tonë kanë qenë aty, në lozhat e Kuvendit për të ndjekur nga afër fjalimin e parë të Kryeministrit, por dhe për t’u njohur me programin e qeverisë.

Fjala e Kryeministrit  Rama që acaroi ish-Kryeministrin Berisha

Rama ka sjellë edhe njëherë në vëmendje zgjedhjet e 23 Qershorit, ku teksa hodhi sërish paralele me 1992-in, Kryeministri deklaroi se, edhe në qershorin e 2013-s Shqipëria nuk u nda në dy blloqe, por përmes një blloku masiv vulosën ndryshimin. “Me besim ndaj çdo zgjedhësi të opozitës, e ftoj Kryetarin e Kuvendit të vigjilojë për të mos lejuar vazhdën brutale të nëpërkëmbjes së opozitës; e ftoj të dijë se koha e fyerjeve dhe batutave nga ajo lartësi, ka mbaruar. Nuk kemi ardhur këtu për t’i treguar opozitës ku e ka kokën, por për t’i ngritur kokën. 1 milionë njerëzit që na votuan nuk na votuan për të në ndarë në humbës e fitues”theksoi ai. Ishte pikërisht, kjo përmendje e ngjarjeve politike nga kryeministri Rama, që acaroi ish-Kryeministrin Berisha, i cili kërkoi që Rama, të ndërpriste fjalën dhe të paraqiste  programin qeverisës.

Opozita braktis Kuvendin gjatë fjalimit të Ramës

Mirëpo, Kryeministri Rama e shpërfilli ish-Kryeministrin, duke vazhduar fjalimin e vet. Ky qëndrim i Kryeministrit Rama shërbeu si shkak për  largimin e Berishës nga salla e Kuvendit.  E ndërsa nuk ja ka arritur të ndërpresë fjalimin e Ramës, fillimisht Berisha, ndjekur nga Topalli, e me radhë deputetët e tjerë të opozitës kanë lënë parlamentin.

Dashamir Shehi dhe  Tahir Muhedini, nuk largohen nga salla e Kuvendit

Edhe pse deputetët e opozitës, përfshirë deputetët e PD-së, PR-së dhe PDIU-së, u larguan nga salla, gjatë fjalimit të Ramës, deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedini dhe deputeti Dashamir Shehi, i cili është zgjedhur me listat e PD-së, por është Kryetari i LZHK-së,  nuk u larguan, por qëndruan në sallë, duke ndjekur me vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama, duke mos ndjekur Berishën dhe deputetët e tjerë të opozitës, të cilët braktisin sallën e Kuvendit, në orën që flet Kryeministri Edi Rama.

Grupi parlamentar i PD-së, mbledhje urgjente pas bojkotit

Grupi parlamentar i PD-së është mbledhur në një mbledhje urgjente dhe jashtë radhës pas tensionit të zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi deputetët opozitarë bojkotuan prezantimin e programit qeverisës nga Rama.

Lulzim Basha: “Rama dështoi në paraqitjen e programit”

Dhe pse u duk se opozita e re u fut në rrugën e bojkotit që në hyrje të sesionit të ri parlamentar me largimin e saj gjatë prezantimit të programit nga Kryeministri Rama, kreu i PD-së Lulzim Basha ka garantuar se deputetët demokratë dhe aleatët e tyre do të jenë aty të shtunën për t’i kujtuar Kryesocialistit çdo përgjegjësi dhe premtim të trumbetuar gjatë fushatës. Pas takimit të zhvilluar me grupin parlamentar dhe kryetarët e partive aleate, Basha tha se, largimi i djeshëm nga Kuvendi ishte një përgjigje civile e opozitës kundër gjuhës së urrejtjes dhe mllefit të Kryesocialsitit Rama. “Ndërsa pritej të prezantonte programin, në mënyrë të paprecedentë Kryeministri përdori foltoren e parlamentit për të lançuar një gjuhë urrejtje ndaj opozitës. Ky nuk është një akt i izoluar por vjen në vazhdimësi pas vendimit të djeshëm për t’i mohuar opozitës transparencën e programit. Nga njëra anë kemi të bëjmë me një mendësi të vjetër, por që rikthehet fuqishëm, si i vetmi aspekt i Rilindjes. I siguroj qytetarët shqiptarë se PD-ja mbetet tërësisht e përkushtuar ndaj kauzës së tyre legjitime, për të dëgjuar çdo moment llogaridhënien transparente nga zgjedhjet. Për të marrë në mënyrë të plotë përgjigje që janë në vëmendjen e gjithsekujt. Se kur, si, dhe sa vende pune do të krijohen në muajt në vijim, sa kushtojnë legalizimet falas, sa është fatura për shëndetësinë falas dhe kur do të fillojë? Se si 95% e shqiptarëve do të lirohen nga barra e taksave, sa është kostoja dhe kush do ta paguajë, kur do të hiqet TVSH për shportën bazë, etj?”- theksoi Basha. Sjelljen e sotme të Kryeministrit të ri, Basha e cilësoi si të vetmen alibi për tu ikur përgjegjësive dhe premtimeve të bëra në fushatë. “Ishte e vetmja alibi për t’i ikur asaj që sot priste gjithë Shqipëria, programin, objektivat, shpjegimin e rrugës sesi do të arrihet deri aty. Grupi parlamentar i PD-së refuzon këtë gjuhë-urrejtje, por në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të merret si bojkot. Sot ai dështoi plotësisht në paraqitjen e programit qeverisës, ai ia doli vetëm të kthejë në skenë gjuhën e mllefit, urrejtjes, përbaltjen e kundërshtarit politik. Kjo gjuhë nuk do të tolerohet më nga PD-ja dhe aleatët e saj. Të shtunën grupi parlamentar i PD-së do të zbërthejë një nga një dështimet spektakolare të dhe do kërkojë përgjigje për të gjitha çështjet, pyetjet e mohuara sot me aktin e ulët të tij në foltoren e Kuvendit”, deklaroi Basha. Por ndërsa largimin e djeshëm të opozitës, e konsideroi një akt civil në përgjigje të provokimit nga Kryeministri Rama, Basha garantoi se PD-ja dhe aleatët e saj nuk do të tolerojnë me asnjë veprim të këtij lloji, duke paralajmëruar se çdo akt tjetër provokimi do të marrë përgjigje proporcionale dhe të plotë. “Duke i ikur me turp përgjegjësisë ai zgjodhi të provokonte opozitën. Pasnesër do ta na ketë përballë për t’i kujtuar se ka përgjegjësi për premtimet e bëra, s’do t’i japim qetësi asnjë minutë, sikundër s’do lejojmë gjuhën e urrejtjes. Sot mori përgjigje civile, nëse kjo do të vazhdojë nesër do të këtë një përgjigje proporcionale”, përfundoi ai.