Programi i qeverisë, Basha sulmon Ramën: Prezantimi si në kohën e Byrosë Politike

438
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi “boshe dhe sipërfaqësore” paraqitjen e programit qeverisës të kryeministrit Rama për 4 vitet e ardhshme. Në një deklaratë për mediat në përfundim të seancës parlamentare, Basha tha se kryeministri Rama nuk ka një program konkret qeverisës që të përfshijë nevojat dhe interesat e shqiptarëve.
“Çfarë kuptuam nga seanca e sotme, kjo ishte paraqitja më boshe dhe më sipërfaqësore, ku thelbi ishte mënjanuar tërësisht. Për një brez më të vjetër ishte një reminishencë e fjalimeve që mbaheshin në këtë sallë kur vendin e qeveriste byroja politike. Kjo është e pafalshme për çdo kryeministër. Një numër shumë i madh shqiptarësh nuk kanë asnjë pritshmëri te Rama dhe qeveria e tij. Kjo është e kuptueshme. Edhe një kurth. Se ky njeri që foli sot aty ka në dorë çelësat e qeverisjes.

Nuk doli foli për 300 mijë vendet e punës, nuk përmendi ata që çdo ditë lënë vendin për të ikur drejt vendeve të BE-së. Të rinjtë shqiptarë kalojnë drejt Anglisë të paketuar si sardele nëpër bagazhet e makinave. Prej tre javësh prindërit dhe fëmijët shqiptarë janë rraskapitur nëpër radhë për të marrë librat, që janë 35 % më të shtrenjta se 4 viteve më para, për shkak të politikave të gabuara të ndjekura nga Rama 1.

Sot Rama 2 mohon të njohë Rama1, edhe pse e drejton i njëjti. Nuk merr përsipër përgjegjësitë e qeverisjes Rama1.

Rama foli për Skënderbeun sikur është kreu i Albanologjisë, dhe jo si kryeministër i shqiptarëve. Rama nuk i ka përgjigjet e pyetjeve që shqetësojnë shqiptarëve. Rama është në krye të një aleance të rrezikshme, të aleancës me krimin. Rama duhet të tregojë se pse e shkatërroi ekonominë”, u shpreh kryedemokrati Basha.

Basha tha se misioni i demokratëve është t’i kthejnë shqiptarëve shpresën.
Sigal