Programi i LSI, Kryemadhi: Jemi rakorduar me PD për 5 prioritete dhe 13 pika të tjera, bashkëpunimi me PD i domosdoshëm për të çuar vendin përpara

264
Sigal

Më tej gjatë intervistë me VOA-n, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se është rakorduar me PD për 5 prioritete dhe 13 pika të tjera, bashkëpunimi me PD i domosdoshëm për të çuar vendin përpara.

Pjesë nga intervista: 

Zëri i Amerikës: Po ju megjithatë keni një marrëveshje me Partinë Demokratike për bashkëqeverisje. Ju po flisni me shumë entuziazëm për këtë pikë të programit tuaj, por si do integrohet programi juaj me atë të Partisë Demokratike? Cilat janë pikat për të cilat ju nuk do të lëshoni?

Monika Kryemadhi: Sigurisht që jemi rakorduar dhe kemi rënë dakord. Ne kemi qenë për taksën e sheshtë 10 % dhe Partia Demokratike ishte për 9% dhe u dakordësuam për numrin 9. Ndërkohë që për të gjitha këto 5 prioritete, për të cilat ne i kemi quajtur të qarta që janë 5 prioritete të panegociueshme, normalisht që janë të realizueshme dhe nuk kanë asnjë lloj përplasjeje me angazhimet e Partisë Demokratike. Ashtu sikurse, edhe në marrëveshjen e 1 marsit që ne kemi firmosur me Partinë Demokratike, janë edhe 13 pika të tjera, për të cilat ne jemi angazhuar bashkarisht politikisht të dy kryetarët e partive në emër të forcave politike që ne përfaqësojmë. Të tëra këto raste, për hir të së vërtetës, pavarësisht komunikimit publik që mundohemi të jemi dhe të kujdesshëm, por edhe komunikimi njerëzor i strukturave të LSI-së dhe Partisë Demokratike nga ana programe dhe e grupeve të punës, ka qenë i drejtpërdrejtë, komunikues dhe shumë i afërt. Po të kemi parasysh disa aktivitete që janë bërë, round tables që janë bërë, qoftë për arsimin. Ne për Ligjin e Arsimit të Lartë kemi këndvështrime të ndryshme dhe po të shikosh edhe në angazhimet tona, edhe në angazhimet e Partisë Demokratike, kemi disa pika për të cilat ne nuk jemi dakordësuar, sepse ne kemi këndvështrim komplet tjetër, sepse ne duam përfshirjen e grupeve të interesit në hartimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, ku grupi kryesor i interesit janë universitetet, qofshin këto publike apo private, por si lokomotivë tërheqëse e kësaj iniciative duhet të jetë universiteti publik, duke pasur parasysh që ne jemi një forcë e majtë dhe i qëndrojmë po themi fort forcimit të universiteteve publike. Ashtu sikurse për çështjen e subvencioneve në bujqësi. E rëndësishme është që ne të krijojmë hapësira të drejtpërdrejta. Edhe Partia Demokratike, edhe ne, jemi për subvencione në bujqësi, për uljen e çmimeve të pesticideve, por ajo që është akoma më e rëndësishme angazhimi i të dyja palëve që jemi bashkë, është krijimi i tregut dhe garancia e shitjes së prodhimeve vendase, gjë që është një nga gjërat më të rëndësishme, sepse krijojmë hapësirë të jashtëzakonshme për punësimin dhe një pagë të mirëpaguar për fermerët tanë.
Zëri i Amerikës: Lëvizja Socialiste për Integrim në fakt ka bashkëpunuar edhe më parë me Partinë Demokratike në qeverisje, gjithashtu edhe me Partinë Socialiste. Në të dyja rastet në mos gaboj divorcet nuk kanë qenë edhe fort të këndshme. Sa i sinqertë është ky bashkëpunim me Partinë Demokratike, në sensin që lindi si një objektiv kryesor për të larguar kryeministrin Rama?

Monika Kryemadhi: Që të jemi të sinqertë bashkëpunimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim në të dyja rastet, qoftë me Partinë Demokratike, qoftë me Partinë Socialiste, kanë qenë bashkëpunime të cilat kanë të bëjnë për sa i përket strategjisë dhe momenteve të caktuara kohore. Të paktën për aq informacion sa kam unë dhe sa kam qenë prezentë në strukturat e LSI-së, bashkëpunimi i 2009-ës, marrëveshja e 2009-ës ka qenë sepse ishin 70 me 70 mandate, pra nuk bëhej e mundur dhe ishte një nga prioritetet kryesore liberalizimi i vizave për shqiptarët. Marrëveshja me PD-në kishte të bënte jo vetëm me liberalizimin e vizave. Ne nuk e mohojmë dot që ajo ndodhi, sepse në dhjetor të 2010-s shqiptarët lëvizën në Evropë me pasaportën e tyre shqiptare, pa pasur nevojë që të rrinin në radhët e gjatë me javë e me muaj të tëra në dyert e ambasadave të huaja në Shqipëri.
Ndërkohë nga ana tjetër ishte edhe procesi i integrimit dhe marrjes së statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjë që ne e kemi harruar por duhet ta kujtojmë herë pas here se si kushti i marrëveshjes së LSI me Partinë Socialiste ishte të votonte tre ligjet për marrjen e statusit kandidat. Më pas normal që marrëdhënia e LSI-së me Partinë Socialiste në 2013-n shkonte drejt një marrëdhënieje natyrale, sepse duam apo nuk duam, LSI-a është parti e majtë dhe vjen si rezultat e një strukture të konsoliduar siç ishte forumi rinor eurosocialist shqiptar, pjesa më e madhe e tyre, në 2004-n, nga Partia Socialiste për shkak të sjelljes arrogante të lidershipit të asaj kohe. Duke qenë edhe vetë strukturë rinore që pjesa kryesore e saj edhe e votuesve, edhe e të gjithë lidershipit të saj është shumë e re, kjo e bën një të ri që të jetë më i majtë dhe nuk është racional sa ç ‘mund të bëhet një moshë tjetër pak më e pjekur dhe fillon kalkulon financiarisht dhe ekonomikisht.

Zëri i Amerikës: Kaq e lehtë është mes jush që të kaloni nga akuzat e forta ndaj njëri – tjetrit në bashkëpunim, sepse kujtoj fushatën e 2017-s ku si PD ndaj jush, por edhe ju ndaj Partisë Demokratike dhe zotit Basha, keni pasur polemika të forta, qoftë edhe akuza?

Monika Kryemadhi: Të dyja rastet, qoftë për njërën palë, qoftë për palën tjetër, unë si Monikë personalisht nuk kam asnjë lloj tërheqjeje për atë që them. Akuzat e mia për zotin Basha vazhdojnë të jenë përsa i përket marrëveshjes së 2017-s dhe e dimë, ne jemi koshient që, në qoftë se LSI e solli Edi Ramën në 2013-n në pushtet me idenë që ishte koha e tij, sepse në fund të fundit ishte kryetari i Partisë Socialiste dhe i takonte Partisë Socialiste të drejtonte në atë kohë, në 2017-n ishte zoti Basha që e mbajti zotin Rama kryeministër, kështu që, qoftë LSI-ja apo qoftë PD-ja me djegien e mandateve i vunë vizën një lloj bashkëpunimi politik, që në shumicën e rasteve bashkëpunimi politik edhe për shkak të kulturës evropiane apo edhe të kulturës së politikës ndërkombëtare në vendet e zhvilluara, bashkëpunimi politik është një domosdoshmëri e cila e çon zhvillimin përpara.
Por, në Shqipëri, gjithmonë, bashkëpunimi midis forcave politike apo edhe e stabilitetit politik që mua me thënë të drejtën më ka krijuar pak skepticizëm kur ne flasim për stabilitet politik. Kam kuptuar që në tranzicion stabiliteti politik nuk është stabilitet politik. Në tranzicion, është varfëri për qytetarët shqiptarë dhe është kapje e shtetit dhe mendoj që kur ne vazhdojmë akoma dhe flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, mendoj që ky stabilitet politik jo vetëm që nuk i ka ofruar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo vetëm që nuk ia ka ofruar Bashkimin Evropian dhe Evropën e vërtetë dhe demokracinë e vërtetë, por e ka kthyer mbrapa në kohë, e ka kthyer në diktaturën e krimit.
Dhe unë mendoj që një nga gjërat kryesore është investimet që duhet të bëjnë të gjitha forcat politike, sidomos kjo klasë politike duhet të investohet në një klasë të re politike, në një mentalitet të zhvilluar evropian të shkolluar dhe të mos harrojmë që ka qindra e mijëra, të rinj e të reja, që janë shkolluar jashtë shtetit, punojnë jashtë shtetit dhe janë të gatshëm të kthehen në Shqipëri, por natyrisht që kërkojnë një ambient ku në radhë të parë të jenë të sigurt për të ardhmen e tyre. Së dyti të kenë siguri ligjore dhe në radhë të tretë të kenë mundësi ku ato të zhvillojnë kapacitetet e tyre intelektuale e profesionale, gjë për të cilën Shqipëria po bëhet çdo ditë e më shumë e varfër.