Prof.Tritan Kalo, Pushtetarët e pangopur të heshtin. Beqaj, Prof.Kalo po bënë pis figurën e politikanëve

380
Sigal

Prof. Dr. Tritan Kalo ironizon ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj

E gjej kohën t´i përgjigjem pusht-shtetarëve duar gjatë

Mjeku i njohur, Prof. Dr. Tritan Kalo, i është përgjigjur ironisë së deputetit Ilir Beqaj, i cili në një reagim të tij, u shpreh se habitej sesi mjekët që janë në vijën e parë të luftës ndaj koronavirusit gjejnë kohë të dalin në televizione, apo të lexojnë. Në reagimin e tij, Prof. Dr. Tritan Kalo thotë se “e gjej edhe kohën të mendoj e të shprehem për ata/ato, që vuajnë nga keqpërdorimi 30 vjeçar i pusht-shtetit nga pusht-shtetarët duar-gjatë e të pangopur….”“Publiku në këto Kohë Covidiane e ka të domosdoshme të informohet e të mos “provokohet” nga gjithfarë diskutimesh e debatesh në TV, shtypin e shkruar apo në rrjetet sociale, të cilat janë shpesh jo të mirë-mbështetura mbi shumë fakte…”, – shkruan Prof. Dr. Tritan Kalo në reagimin e tij.

Prof. Dr. Tritan Kalo

DUKE qënë në vijën e parë të sfidës ndaj Covid-19, DUHET ta dijë gjithkush se si profesionist dhe qënie sociale e ndërgjegjësuar, si një MANTELBARDHË i panjolltë, UNË e gjej edhe kohën të mendoj e të shprehem për ata/ato, që vuajnë nga keqpërdorimi 30 vjeçar i PUSHT-SHTETIT nga PUSHT-SHTETARËT duar-gjatë e të pangopur….

Publiku në këto Kohë Covidiane e ka të domosdoshme të informohet e të mos “provokohet” nga gjithfarë diskutimesh e debatesh në TV, shtypin e shkruar apo në rrjetet sociale, të cilat janë shpesh jo të mirë-mbështetura mbi shumë fakte….

HEDHJA në tregun informativ të shumë e shumë hipotezave, ende të pa mbështetura mbi fakte të qënësishme: 1- Epidemiologjike, 2- Virologjike, 3- Imunologjike, 4- Klinike dhe 5- Imazherike, mundet të mos ndihmojnë në nxjerrjen e të vërtetës së Fillim – Evolucionit të Pandemisë Sars-Cov2/Covid-19, jo vetëm në Shqipëri por edhe gjetkë….

KOHA dhe ANALIZIMI i çdo hapi të hedhur në këtë udhë të vështirë për të gjithë ne, do na bëjë të nxjerim jo pak mësime të vlefshme për sfida të ngjashme në të ardhmen….

KONTRIBUTI i gjithkujt sado i vogël qoftë ai është mjaft i dobishëm….SHPRESOJ se gjithkush mundet të kujtojë kryeveprën e Nobelistit Gjerman Hajnrih Bellit:”Po ku ishe ti Adam”, ndaj edhe unë NUKU dua të kujtohem si “një Adam” pas disa muajsh, në periudhën POST-COVIDIANE e të mos japë kontributin tim në këtë sfidë ndaj kësaj “flame mbarëbotërore”…. Bashkëkombasit e mi, VIJONI të BËNI shumë kujdes për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj nga INFEKSIONI Sars-Cov2/Covid-19….KA SOT më shumë se DJE edhe DRITË jeshile në fund të tynelit…NE së bashku do ia dalim me sukses në këtë SFIDË që bart emrin Covid-19!!!

Ish ministri Beqaj: Po bëni pis politikanët

 

Ish-ministri i Shëndetësisë, Beqaj, replikoi në largësi me mjekun infeksionist Tritan Kalo.

Ky i fundit kishte shkruar pas propozimit të Beqajt për uljen e rrogave e pensioneve se qeveritarët e këtyre 30 viteve duhet të shkundin xhepat nga lekët e fituara prej privatizimeve, tenderave e koncesioneve si dhe të lirojnë vilat e shumta para se të prekin xhepat e shqiptarëve.

Ish ministri Beqaj tha se akuzat e Prof. Dr. Tritan Kalos për politikanët janë të pavërteta ndërsa shtoi se ndihej i shqetësuar për bërjen pis të figurës së politikanit. Ilir Beqaj: “Aty kishte akuza për politikanët për 30 vjet. Nuk ndihem i prekur se e di që nuk janë të vërteta. As për mua as për shumicën e bashkëpunëtorëve të mi. Ajo që më shqetëson është bërja pis e figurës së politikanit që unë mendoj nuk i shërben mirë të ardhmes së vendit edhe nëse unë nesër të mos jem fare në politikë. Sepse kushdo i ri apo e re që mund të mendojë të futet në politikë, mund të ndjehet i tërhequr, sepse thotë si mund të bëhem pis. Dhe kjo nga ana tjetër e ul edhe besimin e figurës së politikanëve në shoqëri. Ndërkohë që duam apo s’duam shoqëria jonë është e ndërtuar edhe me politikën. Dhe në këtë ditë të gjithë njerëzit e duan zgjidhjen nga kryeministri. Kemi një situatë të pazakontë, po paguhemi me para publike, dhe në gjykimin tim po përdoret metrikë e ndryshme, kush ka punuar në privat rri në shpi dhe i jepet një pagë lufte minimale, kush ka punuar në shtet rri në shpi, merr një pagë sa e merrte. Kjo nuk më duket e drejtë.