Prof.Qemal Lame: SHISH të mbrojë interesat kombëtare

253
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në emisionin e datës 27 qershor 2021, në ‘Top Chanel’, kushtuar Shërbimit Sekret Shqiptar të Shtetit, u fol për disa arritje në këtë institucion. Tërhoqi vëmendjen fakti i qëndrimit anonim të një drejtoreshe të departamenti, e cila fliste me pathos për modernizimin dhe reformat, kur ajo dhe brezi i saj, kishin ardhur në këtë shërbim! Të dhënat e publikuara u paraqitën me vlerësime! Arritjet është e dobishme të njihen. Ndërsa edhe më të rëndësishme janë detyrat konkrete dhe efektiviteti i këtij shërbimi. Emisionet për shërbimin sekret janë të rralla dhe tërheqin me të drejtë vëmendjen e opinonit publik. Çdo njeri ka të drejtë dhe meriton të dijë efektivitetin dhe zbatimin e ligjshmërisë nga ky institucion në tërësi, dhe nga çdo punonjës, në veçanti. Puna e tyre është e mbyllur për shkak të vetë specifikës së krijimit, ndërtimit dhe veprimtarisë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Sekreti i veprimeve të ruhet, rendi juridik të mbrohet dhe populli të sigurohet në çdo rast se nuk dëmtohen. Është me vend të theksohet, se shteti, institucionet shtetërore, biznesi dhe qytetarët, janë të interesuar të dinë dhe të jenë të sigurtë për dobinë dhe ligjshmërinë e veprimeve që kryhen në fshehtësi, por që i ndjejnë në forma të ndryshme në jetën e tyre të përditëshme. Me njohuritë e përgjithshme që kam, mendoj se nuk është plotësisht ashtu si argumentoi kjo zonjë ose zonjushë.

Problemet meritojnë të analizohen me objektivitet, të ballafaqohen me gjendjen reale të shtetit, ekonomisë e të drejtat e liritë që gëzojnë shtetasit. Me të drejtë reagojnë personalitete të njohura të këtij shërbimi, të cilët nuk ndajnë me atë zonjë mendime të njëjta dhe në mënyrë kritike, theksojnë se ajo foli për një ndryshim, pa u kujdesur për vërtetësinë, pasi ekzistojnë dëshmitarë që kanë punuar me përkushtim dhe e njohin realitetin në atë institucion të rëndësishëm, që nuk njihet gjerësisht nga opinoni publik për shkak të natyrës sekrete të atij shërbimi me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare. Për të qenë realist, është e domosdoshme të theksohet dhe të njihet nga opinioni publik se, reforma e parë dhe themelore që kërkohet të bëhet në këtë shërbim është aftësimi profesional i personelit me njohuritë e kohës, përsosjen e përvojës, zbatimin e metodave shkencore dhe ato tradicionale, bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përkatëse të partnerëve strategjikë, përkushtimi në ruajtjen e sekretit të punës e të bashkëpunëtorëve dhe mbrojtjen e interesave të larta kombëtare. Kuadrot e trashëguar që i kanë plotësuar kriteret dhe kanë dëshmuar vlerat në punë, si dhe ato të reja, punojnë për të rritur sigurinë kombëtare. Për të çuar më tej efektivitetin e këtij shërbimi, do të theksoj me ndërgjegje dashamirëse se, është e nevojshme të mbahet kurdoherë në qendër të vëmendjes aftësia profesionale, objektiviteti dhe respektimi i normave ligjore në marrjen, evidentimin e saktë, analizën e të dhënave, nxjerrjen e përfundimeve dhe marrjen e masave të menjëherëshme dhe graduale, me detyra të precizuara, me një platformë të studiuar operative dhe strategjike. Në çdo detyrë e në çdo veprim të udhëhiqemi kurdoherë nga zbulimi i së vërtetës dhe mbrojtja e intersave kombëtare. Të mbahet parasysh dhe të luftohet me rreptësi çdo e metë që mund të dëmtojë shtetin dhe personin e dyshuar. Të mos ndodhë që të tolerohen gabime apo lëshime “për interesa shtetërore”. Të mos harrohet përvoja e kaluar me pasoja tragjike e luftës vëllavrasëse të klasave. Shteti i së drejtës mbrohet nga shërbimi secret, kur çdo punonjës i këtij institucioni, udhëhiqet nga Kushtetuta, ligjet dhe normat e punës që bazohen po në ligjshmërinë kushtetuese dhe agjenturore. Detyrë madhore mbetet mbrojtja e ekonomisë dhe pronës kombëtare. Zhvillimet ekonomike e shoqërore, shtrojnë nevojën e njohjes dhe parandalimit në kohë të veprimtarisë intensive që zhvillojnë agjensitë e huaja të inteligjencës. Përparësi ka njohja, zbulimi dhe goditja e spiunazhit që drejtohet kundër sovranitetit dhe integritetit të shtetit. Po kaq e rëndësishme është edhe zbulimi kësaj veprimtarie edhe në ekonomi, buxhetin e shtetit, financë dhe sektorët jetikë të vendit. Pasuritë kombëtare kryesore janë dhënë me koncesion ose administrohen direkt apo indirekt nga koncerne të huaja, bisnesmenë shqiptarë, etj. Jepen fonde për investime për ndërtimet kryesore, por janë të përqëndruara vetëm në disa kompani të njohura. Shqetësuese mbeten kompanitë e huaja që shfrytëzojnë naftën, kromin, etj., por raportojnë çdo vit humbje dhe nuk paguajnë detyrimet në buxhetin e shtetit. Këto kompani dhe banka me kapital të huaj transferojnë miliarda dollarë ose euro çdo vit në shtetin dhe qendrën e tyre.

PPP kanë përparësinë në investimet shtetërore, por buxheti rëndohet çdo vit edhe më shumë. Brenda një kohe të shkurtër, politikanët shtetarë janë bërë njerëzit më të pasur të Shqipërisë! Borxhi shtetëror, nga të dhënat zyrtare, në këto tetë vjetët e fundit, u rrit nga 63 për qind, në 80 për qind. Pothuajse asnjë përgjegjësi nuk është evidentuar dhe dënuar penalisht. Krahas detyrimeve që ka Qeveria, detyra me përgjegjësi ka edhe shërbimi informativ për të mbrojtur ligjshmërinë dhe interesat kombëtare në ekonomi, shërbime, etj. Dyshimet e bazuara për paligjshmëri dhe dëmtime  të rënda të shtetit, ekonomisë e mirëqënies së popullit, përbëjnë objektin konkret të punës ku kërkohet jo vetëm konstatimi i gjendjes, por edhe i kallëzimeve për çështje penale. Keqbërësit, shqiptarë ose të huaj, të ndiejnë forcën e Kushtetutës e të ligjeve. Në luftën kundër drogës, janë zbuluar disa grupe të strukturuara që kanë shtrirje edhe në shtetet e tjera. Kjo është pozitive. Por nuk kemi asnjë çështje për grabitjet e hapura që i bëhen pronës kombëtare, sidomos në naftë e industrinë e kromit! Krahas policisë dhe bashkëpunimit me interpolin, detyrë parësore ka edhe shërbimi i inteligjencës. Me një horizont më të gjerë për ligjshmërinë të ruajmë shtetin, pronën publike e private dhe të drejtat e liritë kushtetuese të shtetasve. Të veprojmë përherë me motivacion e aftësi profesionale, duke forcuar bindjen në popull për nevojën dhe ligjshmërinë e këtij institucioni. Kam besim se Shërbimi Informativ Shqiptar, do të realizojë përherë me sukses detyrat e tij specifike dhe do të meritojë besimin e popullit e të kombit.