Prof. Liliana Elmazi: Ne nuk kërkojmë pushtet, Opozita ka përgjegjësi të shpëtojë vendin nga gremina

579
Deputetja e PD, Prof. Dr. Liliana Elmazi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, argumenton, si eksperte e ekonomisë, që ky buxhet i 2016, i qeverisë së Rilindjes, është një buxhet i varfërisë, i recensionit të thellë dhe pse paketa fiskale është një përpjekje e mjerë për të qepur interesat e kontrabandistëve të oborrit qeveritar. Madje, pohon Prof. Dr. Elmazi, qeveria nuk ka zbatuar as rekomandimet e FMN. Deputetja e PD Elmazi thotë se protestat e Opozitës janë kundër keqqeverisjes, e cila duhet të dorëhiqet, që vendi ynë të mos shkojë në greminë, dhe pastaj me zgjedhje të parakohshme të jetë populli kë qeveri do të zgjedhë. Ndërsa për korrupsionin, deputetja Elmazi pohon që kjo qeveri e Rilindjes bëri çmos që të çonte në prokurori dosje të ish minsitrave, por ato u rrëzuan, ndëkohë që korrupsioni i tanishëm i ministrave dhe drejtuesve të kësaj qeverie është i dukshëm, saqë kanë filluar edhe hetimet konkrete, edhe ndaj ministravë, duke përmendur edhe koncensionet dhe tenderat korruptivë, siç i cilëson zonja Elmazi të ministrit të Shëndetësië. 

-Zonja Elmazi, a besoni se qeveria kishte mundësi me të mëdha financiare, për të bërë një buxhet më të madh për 2016 për ndihmë sociale dhe investime publike?
– Ne deputetët e opozitës argumentuam me fakte pse ky është buxheti i varfërisë dhe recesionit më të thellë, pse paketa fiskale është një përpjekje e mjerë për të qepur interesat e kontrabandistëve të oborrit qeveritar me ndonjë ide të keqkopjuar dhe për qëllime demagogjike nga programi i shpëtimit që ka paraqitur dhe bërë publik Kryetari i PD Lulzim Basha. Ky është buxheti i katastrofës, buxheti i zhvatjes së mëtejshme të qytetarëve që paguajnë taksa gjithmonë e më të larta dhe plaçkitjes së taksave të tyre nga një grusht kusarësh që i thonë vetes qeveri bashkë me shokët e tyre oligarkë. Është një buxhet që nuk është ndërtuar të përkrahë dhe mbrojë interesat e pothuajse asnjë prej grupeve të interesit në vend; të sipërmarrësve, të prodhuesve vendas, të pensionistëve, të përndjekurve politikë, të pronarëve, të personave që marrin ndihmë ekonomike, të papunëve, të punëmarrësve të çdo sektori dhe niveli, të studentëve, të vetëpunësuarve dhe të profesioneve të lira. Vetëm vjet dhe sivjet kjo qeveri e Majtë hoqi nga skema 60 mijë familje të varfëra qe mbijetojnë për kafshatën e gojës. Sa i takon filozofisë, frymës që sjell ky buxhet në tërësi, ai është rrënues për ekonominë dhe braktisës total. Edhe vetë struktura e buxhetit ka ndryshuar në të kundërtën. Investimet publike janë në rënie. Në krahasim me faktin e vitit 2015, investimet publike, ulen edhe me rreth 60 milionë dollarë më pak. Investimet e Fondit të Zhvillimit ulen me 2. 5 miliardë, ndërsa investimet qendrore të qeverisë ulen edhe me 3 miliardë të tjera. Pra, kemi një ulje në vlerë absolute. Po ashtu, në raport me prodhimin e brendshëm bruto, janë në minimumin historik. Kjo strukturë e buxhetit, që pakëson investimet publike, të cilat akselerojnë ekonominë dhe rrit pjesën e shpenzimeve operacionale të qeverisë, është mënyra më e padobishme për të ndërtuar një buxhet. Për më tepër, vetë roli që do të luajë qeveria në financim, apo le të themi, sa është qeveria pjesë e kërkesës agregate të tregut, për vitin 2016 bien në parametrat zero. 

– PD ku e kundërshton politikën fiskale të qeverisë për 2016, e cila sapo u votua në parlament?
– Kjo paketë fiskale e qeverisë është një zgjatim i lëngatës të shkaktuar pikërisht nga kjo mendësi e prapambetur, e dëmshme dhe shkatërrimtare për ekonominë dhe ne e kemi paralajmëruar disa herë qeverinë. Qeveria e taksave më të larta në rajon, ka mbledhur më pak se çdo vend tjetër në raport me PBB dhe vazhdon të ulë nivelin e të ardhurave edhe në buxhetin e ri. Qeveria e taksave të larta rriti stokun e borxhit publik me 26 %, pra ajo ka marrë borxh brenda dy viteve sa një e katërta e borxheve që kanë marrë të gjitha qeveritë marë së bashku në 23 vite, i ka hedhur në rënie vertikale investimet publike, duke zbritur nivelin më të ulët të viteve të fundit në raport me PBB.

– Por ku shkojnë paratë e taksave të larta? Ku shkojnë paratë e borxhit të rritur?
– Këtë pyetje të pyetjeve shqiptarët duhet ta shtrojnë dhe po e shtrojnë si akuzë. Duhet ta shtrojnë dhe po e shtrojnë si vendim. Paratë shpërdorohen dhe vidhen në tendera dhe koncensione korruptivë, në investime dhe shpenzime luksi për miqtë, familjarët, shokët dhe ortakët, paratë avullojnë në kazanin e kontrabandës dhe të evazionit në favor të një grushti oligarkësh dhe oborrit qeveritar. Këtë kanë parashikuar edhe me buxhetin e ri. Këtë duan ta bëjnë përsëri. Ndaj duhen larguar. Filozofia e kesaj qeverisje në fushën fiskale nuk është mirëmanaxhimi, por të mbushë arkën me paratë e xhepave të shqiptareve duke rritur taksat, (primi i sigurimit nga 3% në 10%),duke shtuar taksa të reja, (taksa për makina luksoze dhe truallin, duke rritur kontributin e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për profesionet e lira. Këto taksa të rritura nuk u shkojnë shqiptarëve për rritje pagash pensionesh, shkolla, rrugë, ujësjellesa, por shkojnë për luksin e qeverisë, palma e fasada, shkojnë në xhepat e pushtetarëve. Edhe pse taksat janë rritur me 50% , akcizat po ashtu, të ardhurat në buxhet janë në rënie. Paketa fiskale parashikon ulje të të ardhurave nga akcizat si në vlerë nominale, ashtu edhe në raport me GDP, duke vërtetuar edhe njëherë “dëshirën e qeverisë” për të mos ulur kontrabandën dhe evazionin galopant në karburante dhe cigare, por për t’u marrë me biznesin e vogël, duke i kërcënuar edhe me burg dhe gjoba stratosferike, të cilat do të sjellin thjesht dështim dhe falimentim të tyre. 

– Sa kanë ndikuar udhëzimet e FMN në buxhetin e 2016? 
– Nuk më duket se qeveria ka zbatuar udhëzimet e FMN. FMN-ja ka deklaruar se qeveria ka dështuar në mbledhjen e taksave të rritura dhe kjo sigurisht detyron që shpenzimet të kalojnë në minimumin e tyre, ndërkohë që disa struktura shpenzimesh tashmë janë krijuar në buxhet, të cilat janë joefektive, parazitare që do të dëmtojnë në kohë afatmesme dhe afatgjatë efektivitetin e shpenzimeve publike në vend. FMN-ja, ka vlerësuar se çdo incentivë, apo stimul fiskal, që mund të përdoret në kuadrin e politikave të qeverisë aktuale, është joeficient dhe kalojnë përsëri te një buxhet mbijetese, i cili detyron pastaj një program me tituj dhe aktivitetet të kalon në minimumin e tyre historik. Dhe në buxhetin e vitit 2016 vijnë në rënie gati të gjithë titujt kryesorë të buxhetit. Nuk është fjala vetëm rënien e nivelit të pagave dhe shpenzimeve në administratën qendrore, në përgjithësi në administratën publike, e cila vjen nga politika e stopimit të rritjes së pagave dhe nga brerja e inflacionit të nivelit të jetesës së gjithë atyre që janë të lidhur me buxhetin e shtetit, por në të njëjtin trend rënës janë të gjithë ata që do të konsideroheshin si shpenzime, që kanë të bëjnë me aktivitetet kryesore të qeverive, qoftë nga pikëpamja sektoriale, ajo që ndodh me sistemin e arsimit, apo të shëndetësisë, por qoftë dhe aktiviteteve të tjera, që janë të detyruara të ndrydhen më tej, siç janë shpenzimet sociale, të cilat janë me rënie në krahasim me një vit më parë, pastaj le të krahasohemi me kritere historike.

-Protestat e PD janë për keqqeverisjen, apo për zgjedhje të parakohshme dhe marrjen e pushtetit?
– Protestat janë për keqqeversisjen e vendit. Paratë shpërdorohen dhe vidhen në tendera dhe koncensione korruptivë, në investime dhe shpenzime luksi për miqtë, familjarët, shokët dhe ortakët, paratë avullojnë në kazanin e kontrabandës dhe të evazionit, në favor të një grushti oligarkësh dhe oborrit qeveritar. Ne kemi parashikuar që në fillim të qeverisjes atë që ka dale e vërtetë, atë që qytetarët kanë përjetuar dhe po e përjetojnë në kurriz, atë që ekonomia e ka vuajtur dhe po e vuan. Kjo qeveri e zhyti vendin në varferi mjerim e mizerje. Ekonominë po e çon në humnerë. Ky është një realitet që po ndodh, po thellohet e do të thellohet sa më gjatë ta lejojmë, jo vetëm për shkak të dështimeve të saj spektakolare në raport me premtimet elektorale, por mbi të gjitha, sepse kjo është tashmë një qeveri e rrezikshme, një rrezik në veprim për të gjithë. Mekanizmi oligarkik i përkeqësimit që ka ndërtuar Edi Rama mund të ndalohet vetëm duke e shkatërruar si të tillë. Interesi ynë ka qenë dhe është stabiliteti, përparimi, mirëqenia e qytetarëve. Ne nuk kërkojmë pushtet, si bëri Rama në 21 janar 211, që sulmoi institucionet kushtetuese të vendit për të marrë me çdo kusht pushtetin. Opozita ka detyrë dhe pëergjegjësi të shpëtojë vendin nga gremina dhe shqiptarët nga mizerja. Ndaj kërkojmë dhe shqiptarët po pretesojmë fuqishëm që të diktojmë krijimin me marrëveshje të një qeverie teknike që të përgatisë zgjedhjet e reja, që pastaj shqiptaret të votojnë për partinë dhe programin e zgjedhjes së tyre personale. Kjo është zgjidhja!

-PD kërkon me protesta zgjedhje të parakohshme. Sa është gati PD të qeverisë, kur ka vetëm 2 vjet nga humbja e thellë e 2013?
– Vërtet në 2013 ne humbëm zgjedhjet, natyrisht kemi gabimet dhe përgjegjësitë tonë. Ish kryeministri Berisha, mori përsipër përgjegjësinë, duke u tërhequr dhe nga drejtimi i PD. Edhe pse ne kemi bindjen që zgjedhjet e 2013 u vodhën, dhe përmes kandidatëve për deputetë të inkriminuar, trafikantë droge e prostitucionit zgjedhësit u kërcënuan dhe u blenë. Të gjithë shqiptarët e panë me zë e figurë sesi PS blinte votat në rastin e Korçës. Ai është standardi dhe morali i tyre. 

– PD sa ishte në pushtet, në 8 vjet nuk e luftoi korrupsionin. Sa mund të besohet sot në opozitë, që PD ka kauzë opozitare luftën kundër korrupsionit?
– Qeveria e Rilindjes sapo erdhi në pushtet bëri çdo gjë dhe të pabërën për të denoncuar ish ministrat tanë. Pothuajse të gjitha çështjet janë mbyllur nga prokuroria, sepse nuk ka pasur vepër penale. E kundërta ka ndodhur. Përditë dëgjojmë që drejtues dhe deri edhe ministra të mazhorancës akuzohen, paditen, hetohen dhe dënohen nga drejtësia. Skandalet që kanë përfshirë këtë qeverisje s’kanë të sosur. Inkurajoj prokurorinë t’i shkojë deri në fund hetimeve të saj për tenderat dhe koncensionet në Ministrinë e Shëndetësisë, ku më shumë se 300 milion euro para të taksave të shqiptarëve kanë shkuar në xhepat e pushtetarëve dhe klientelës së tyre. Prokuroria të hetojë përse vetëm 3-4 individë, që çuditërisht janë miq të kryeministrit, fitojnë të gjithe tenderat. Pse vetëm në dy vjet ish kompania e Ministrit të Shëndetësisë fiton 29 tendera me vlere mbi 11 milion euro, pikerisht në Ministrinë e Shëndetësisë, etj, etj skandale korruptive. PD dhe Kryetari Basha, por dhe Ish Kryeministri Berisha shumë herë kanë inkurajuar prokurorinë të hetojë ish qeverisjen e PD. Asnjë shqiptar nuk pranon që vendi të shkojë në greminë, që shqiptarët të braktisin vendin, si po ndodh gjatë dy vjetëve të Rilindjes. Pra shqiptarët nuk jetojnë dot më në këtë vend, ku Rama u vrau edhe shpresën për një të ardhme më të mirë. 
Sigal