Prof. Fatos Klosi:KQZ-ja duhet zhbërë. Të transformohet në një institucion të pavarur shtetëror!

321

Prioritetet e qeverisjes së re duhet të jenë dy, më kryesoret : rendi dhe siguria dhe fillimi i ringritjes së ekonomisë

Prof. Fatos Klosi në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar emrave të ministrave të qeverisë “Rama1” thotë se, ministrat e rinj, në moshë, janë më ambiciozë dhe më shumë energji, ndaj do të ketë më shumë vepra në punën e tyre. Përsa i përket prioriteteve të qeverisë së re, rendi dhe siguria janë kryesore. Ndërsa sfida më e madhe e qeverisë “Rama”, sipas zotit Klosi, është lufta kundër korrupsionit. Zoti Klosi mendon se, kjo KQZ duhet të zhbëhet dhe të rikompozohet një KQZ e pavarur, për t’u afruar më shumë standardeve demokratike. Sipas zotit Klosi është domosdoshmëri edhe ndryshimi i Kodit aktual Zgjedhor. Si një specialist i shërbimeve informative, zoti Klosi mendon se shërbimet informative duhet të unifikohen.

– Zoti Klosi, mungesa e politikanëve, me “peshë” dhe reputacion nga kabineti i ri qeveritar i Ramës, mund të ketë ndonjë dritëhije dhe a mund të ndikojë në autoritetin e qeverisjes?

Në qoftë se për “peshë” konsiderohet eksperienca politike, nuk më duket se mungojnë, në qeverinë e re, politikanët me peshë. Shumica prej tyre kanë të paktën eksperiencën e luftës parlamentare  në një legjislaturë jo aq të lehtë. Mua më duket e drejtë ndarja e bërë në radhët e socialistëve, ata që ju i quani me peshë janë lënë për të “peshuar” në parlament, më të rinjtë, pra ata më ambiciozët dhe me më shumë energji, janë thirrur në qeveri, për të treguar veten jo vetëm në fushën e llafeve, por dhe të veprave konkrete. Dhe jam i sigurt se do t’ja dalin, se i kanë të tëra ç’ka ju duhen.

– Cilat duhet të jenë prioritetet e qeverisjes së  Ramës, në mënyrë që ai të përmbushë besimin plebishitar që i dhanë shqiptarët me votën e 23 Qershorit?

 – Prioritetet e qeverisjes së re duhet të jenë dy, më kryesoret : rendi dhe siguria, që është një detyrë e mirëfilltë qeveritare dhe fillimi i ringritjes së ekonomisë, për të zvogëluar papunësinë në vend, që bëhet, duke krijuar një klimë favorizuese për investimet e biznesit vendas dhe të huaj.

– Po sfidat që duhet të përballojë?

– Sfidat sigurisht që janë shumë më tepër në numër, dhe të rëndësishme, për sigurimin e prioriteteve të mësipërme. Sfida e sfidave është lufta me korrupsionin në qeverisje dhe në administratën shtetërore, sfida të mëdha janë dhe reformat në sistemin e drejtësisë, në sistemin e shëndetësisë, të arsimit, në riorganizimin e prodhimit bujqësor e plot e plotë të tjera, më pak të rëndësishme.

– Mendoni se Rama i ka të gjitha mundësitë që të konkretizojë të gjitha premtimet elektorale, sidomos në politikën ekonomike?

–  Mendoj se po, kryesorja që i duhej, mbështetja e popullit për programin e tij, atë e mori me shumicë, për të punuar i qetë.  Njerëz profesionistë dhe të përkushtuar në këtë vend ka plot, boll që t’i gjejë dhe t’i dëgjojë. Mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë, edhe pa u zyrtarizuar kryeministër, po e merr me pash. Të gjitha këto “asete” duhen organizuar e sinkronizuar dhe puna do t’i japë, me siguri, frutet e saj.

– A mund të përbëjnë justifikim për qeverisjen Rama, nëse objektivat nuk realizohen nga gjendja tejet e rënduar financiare, pesha e madhe e borxhit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës globale?

– Sigurisht, këta faktorë që ju theksoni janë pengesa për një ngritje të shpejtë ekonomike, prandaj do të jetë e rëndësishme që, qeveria me punën e saj, të tregojë në fillim një përmbysje të tendencës ekonomike dhe më pas do të ndjehet dhe përmirësimi i situatës. Sipas meje, në këtë aspekt, që opinioni publik t’i ndjekë dhe përkrahë reformat në përgjithësi, dhe sidomos ato në ekonomi, do të jetë shumë e rëndësishme transparenca në çdo veprim të rëndësishëm që do të ndërmerret. Si fillim, duhen bërë publike rezultatet e auditit financiar, me të cilin duhet filluar puna për reformat në ekonomi. E më pas çdo hap që bëhet duhet sqaruar, që dhe opinioni publik të bëhet faktor i përgjegjshëm në ecurinë e vendit.

– Fakti që drejtuesit e institucioneve të pavarura janë emëruar njëanshmërisht nga maxhoranca në ikje, mund të përbëjë pengesë për maxhorancën e re, në ndërmarrjen e reformave të thella për të ndërtuar shtetin e së Drejtës dhe të luftës kundër korrupsionit?

– Nuk besoj se do të bëhen pengesë këta faktorë. Këta institucione kanë vuajtur vetë nga presioni prej politikës, pasi ajo politikë ka qenë e mbrapshtë. Nga ana tjetër, maxhoranca në Parlament të lejon, që pas analizës së situatës, të bësh përmirësimet e duhura në kuadrin ligjor, për t’i ndihmuar këta institucione që vërtet të shkëputen nga politika. Në këtë kuadër, ligji mund të përpiqet për të mbyllur çdo shteg korruptiv apo abuziv, në punën e tyre.

– Sipas jush, si mund të kapërcehet kjo kontradiktë? Mund të shpresohet që drejtuesit e këtyre  institucioneve, si KLD-ja, KLSH-ja, ILKDP-ja, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, etj, të përshtaten në mendësinë  politike të  maxhorancës së re, apo duhen zhbërë dhe të emërohen drejtues me një konsensus më të gjerë politik?

– E thashë pak më parë, maxhoranca e re duhet të përpiqet, me anë të reformimeve në kuadrin ligjor, të arrihet pavarësia e vërtetë e tyre. Në këtë kuadër mund të përcaktohen kritere më të qarta për vlerësimin e punës së tyre si dhe veprimet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes në këta institucione. Këtu nuk shtrohet problemi i përkrahjes apo zbatimit të mëndësive të reja politike, në këto institucione duhet të mbretërojë ligji dhe ligjet i bën dhe i përmirëson parlamenti. Politika e mbaron punën e saj tek bërja e ligjit.

–   A duhet të jetë prioritet i maxhorancës të së Majtës ndryshimet kushtetuese të atilla që të (ri)vendosin një ekuilibër më demokratik midis pushteteve, duke rikthyer kriterin e votës së cilësuar në emërimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura, duke filluar që nga Presidenti?

– Le të bëhet gjithçka, që konsiderohet e nevojshme nga specialistët e fushës. Megjithatë, prapë e theksoj, është më i rëndësishëm kuadri ligjor me të cilin punojnë institucionet; problemet e lidhura me figurat konkrete të drejtuesve të tyre, duhen parë rast pas rasti, sipas veprimtarisë së tyre, dhe jo në bllok.

– Kjo maxhorancë e së Majtës, si duhet ta ndërmarrë luftën kundër korrupsionit, me transparencë  të atillë, që të mos akuzohet për  hakmarrje politike?

– Korrupsion është një aktivitet konkret kriminal, dhe si i tillë duhet trajtuar çdo rast më vete. Nëse Prokurorisë i serviren të gjitha elementët që e provojnë atë, nuk ka asnjë shans që opinioni publik ta konsiderojë hakmarrje. Maxhoranca e sotme sigurisht do të “çirret” për hakmarrje, por populli do të jetë më shumë i interesuar se ç’po ndodh në sallat e gjyqit.

– Cila do të ishte reforma më e përshtatshme për të bërë institucionet e shërbimeve sekrete, tërësisht të pavarura e të pandikuara nga politika? Kam parasysh këtu edhe oponencën që ushtroi  PS-ja në  opozitë ndaj shërbimit sekret të ushtrisë SHIU-ut, por edhe ndaj SHISH-shit.

– Shërbimet informativë janë bërë shumë dhe janë plotësisht të pavarur dhe të paorganizuar, duke punuar paralelisht, për të njëjtat tema, ndoshta dhe subjekte. Mendoj se eksperienca e deritanishme në demokraci, burimet njerëzore dhe financiare të kufizuara, e kanë bërë të domosdoshme një reformë të thellë dhe në këtë fushë.  Eksperienca e deritanishme si dhe ajo e partnerëve tanë, të përmasave tona, mund të shërbejnë si një bazë e mirë të dhënash për ta nisur këtë reformë. Një shërbim unik kombëtar, me kuadro profesionistë, kryesisht të kamufluar, në lidhje të ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë Kriminale, mund të ishte një model i suksesshëm. Natyrisht, kjo reformë kërkon një diskutim të thelluar të specialistëve të fushës dhe të ligjeve.

– Mendoni se kjo maxhorancë, e cila ka një epërsi të thellë numrash, do të ndryshojë sjelljen maxhorancë-opozitë dhe do t’i japë opozitës hapësirat e munguara demokratike?

– Jam i bindur që do të kontribuojë në vendosjen e një klime të re të marrëdhënieve pozitë-opozitë. Besoj se, Ilir Meta do të kontribuojë, që Parlamenti të bëhet vërtetë skena e debateve politike. Nëse opozita do të vazhdonte me “çirrjet” e saj klasike në Parlament dhe jashtë tij, besoj se do të ishte më e arsyeshme që përgjigja e Ramës të ishte shumë e thjeshtë: “Takohemi në zgjedhjet e 2017-s.”

– Mund të pretendojmë se 23 Qershori do të shënojë fillimin e fundit të periudhës së tranzicionit në Shqipëri?

– Rezultati i zgjedhjeve tregoi se populli votoi fillimin e mbylljes së periudhës së tranzicionit, një rezultat më i ngushtë do të tregonte se jemi akoma larg fundit të tranzicionit.

– A mund të përmbushen  standardet demokratike në Shqipëri, që pas janarit, kur Shqipëria të ketë marrë statusin kandidat, të fillojnë etapa e re e anëtarësimit të Shqipërisë në BE? Cilët faktorë do luajnë rol kryesor në përshpejtimin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

– Standardet demokratike janë kryesisht në dorë të maxhorancës, ajo i cenon ato sa herë që nuk ndjehet e sigurt me demokracinë. Unë besoj se, me rezultatet e marra në zgjedhjet e fundit, kjo maxhorancë nuk ka asnjë arsye, që të mos i çojë përpara standardet e demokracisë, duke bërë kështu hapin më të rëndësishëm drejt integrimit europian.

– Politika jonë, është tashmë e pjekur që të përballet me këtë sfidë të re?

– Këtë e kërkon dhe e konfirmoi populli në zgjedhjet e fundit. Kurrkush nuk do ta justifikonte politikën, nëse do të vazhdonte ta zhgënjente këtë popull.

– Rezultati zgjedhor i  23 Qershorit a mund të ndikojnë që edhe në Shqipëri të krijohet kultura e kompromisit politik?

– Le të shpresojmë, që gjestet dhe trashja e zërit që pamë tek Lulzim Basha gjatë fushatës zgjedhore në PD, ishin vetëm skenar zgjedhor. Gjithsesi, po e gjejnë kompromisin kosovarët dhe serbët, do ta gjejnë dhe politikanët tanë. Situata e re politike, kohët e reja dhe njerëzit e rinj, do të sjellin dhe marrëdhënie të reja, më pak konfliktuale e më racionale. Zgjedhjet treguan se populli është lodhur tashmë me konfliktin absurd dhe kërkon dhe do të përkrahë, sjelljet racionale politike.

Është domosdoshmëri një Kod i ri Zgjedhor

 – KQZ-ja e tanishme, duhet zhbërë?

– Fatin e KQZ-së së tanishme e caktuan “demokratët” e këtij vendi kur ndërruan një anëtar të saj, seLSI-ja doli nga koalicioni i shumicës. Kuptohet se ç’duhet bërë sipas asaj logjike, tani që koalicioni i shumicës u përmbys. Por, eksperienca e ditëve të fundit me Kolegjin Zgjedhor, tregoi se KQZ-ja duhet të transformohet në një institucion të pavarur shtetëror, në kuadrin e një Kodi të ri Zgjedhor.

– Kjo zhbërje, duhet bërë me këtë Kod Zgjedhor që kemi, apo më parë duhet hartuar një Kod i ri Zgjedhor? LSI-ja ka shtruar si prioritet të saj ndryshimin e sistemit zgjedhor. 

Sigurisht duhet një Kod i ri Zgjedhor, me një sistem të ndryshëm zgjedhor nga i sotmi.

– Raportet politike në KQZ duhet të jenë sipas maxhorancës në ikje, apo duhet të jenë, në saj të raporteve të forcave politike në Kuvendin e ri?

– Rilindja në të gjitha fushat e tjera të jetës së vendit, duhet të rilindë dhe sistemin zgjedhor dhe institucionin që i organizon zgjedhjet. Ai nuk duhet të jetë më partiak, ndoshta në këtë aspekt kemi mbetur të fundit në Europë.

– Mendoni se riformatimi i KQZ-së mund të përbëjë ngërçin politik që mund të acarojë në ekstrem klimën politike?

Për një Kod të ri zgjedhor do të kontribuonin të gjitha partitë, sidomos ato më të voglat, prandaj mund të bëhet pa shumë probleme, madje duke kontribuar për mirë në klimën e re politike në vend.