Prof. Dr. Tritan Shehu: Vaksinë me standardet europiane, jo afrikane

238
Sigal

 

Prof. Dr. Tritan Shehu, ish-deputet i PD-së, dhe ish-ministër i Shëndetësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, apelon për sigurimin e një vaksine anti-Covid me standardet europiane dhe jo ato afrikane. Prof. Dr. Tritan Shehu shprehet se vaksinimi nis me ‘Pfizer’, por shton se brenda mesit të janarit do të certifikohen edhe 3 vaksina të tjera. Por sipas ish-deputetit,  problemi në Shqipëri,  qëndron në faktin se mungojnë kontaktet e drejtëpërdrejta, kontakteve nga ne si dhe përgatitjeve për vaksinimin. Kjo situatë nuk zgjidhet me vajtjen e Ramës në SHBA, as me ndonjë foto që ai do të bëjë atje, ndërsa shprehet se tashmë duhet të shpresojmë në zemërgjerësinë e partnerëve.

Reagimi i Prof. Dr. Tritan Shehut

U blenë 100 mijë teste të shpejta imunologjike, duke u shpenzuar 150 milionë lekë të reja me TVSh, kur kosto e një të tille në Gjermani është 6,5 E, si dhe do të përdoren vitin e ardhshëm dhe 4,5 M Euro, shumë pak për depistim. Në këto kushte dhe konform gjendjes së vendit strategjia duhej të ishte:

1 – Të rriten testet PCR gratis prej 7500 në ditë. Këto aktualisht janë më të konsoliduarat, kapin periudhat e infektimit, diagnostikojnë e konfirmojnë.

2 – Të gjitha testet e shpejta, serologjike ose ato me material nga fyti me sensivitet  91,4%, siç kemi kërkuar të liberalizohen, duke u konsideruar si mbështetëse për depistim, orientim, konfirmim imunizimi, përdorim vetjak.

3 – Mjeku i familjes të vihet në eficiencë, i mbrojtur e pajisur, duke u garantuar rimbursimi i shpenzimeve ambulatore për qytetarët, pavarësisht “tamponit”.

4 – Të aktivizohen spitalet kryesore periferike për këtë përballje.

5 – Të aktivizohen Reanimacionet në qendër e periferi. Ministria u mburr se janë 483 respiratorë, kur realisht ka në dispizicion të këtyre të sëmurëve rreth 20 poste reanimacioni jashtë standardeve europiane. Posti i Reanimacionit është më shumë se respiratori. Prandaj kemi insistuar për blerjen e rreth 150 posteve të gatshme; Jo të gjithë respiratorët, që flitet përdoren në reanimacion, sidomos për këta të sëmurë. Për ECMO, as bëhet fjalë.

6 – Kryefjala aktuale: Sigurimi sipas cilësisë e sasive europiane të vaksinës Covid dhe jo sipas atyre afrikane! Meqë ministria tha se kjo lidhet me certifikimin, po i them se vaksinimi po fillon me ‘Pfizer’ e se deri rreth fillimit të janarit, do të certifikohen nga EMA e FDA tre vaksinat kryesore. Por problemi qëndron në mungesën e plotë të kontratave nga ne, si dhe në mungesën e përgatitjeve për vaksinim, për të mos folur për një kalendar konkret, elemente që prej shtatorit i kemi kërkuar. Kjo situatë nuk zgjidhet as me ndonjë vajtje a foto të Ramës në ShBA dhe as mund të fshihet gjatë me spekullime! Të shpresojmë në zemërgjerësinë e partnerëve tani!