Prof. Dr. Sali Berisha:  Vota u ekzekutua para se të hidhej në kuti

307
Sigal

25 prilli, ditë e zezë në historinë e demokracisë në Shqipëri!

Zgjedhjet, jo demokratike!

Mandat mbi drogën, krimin, blerjen dhe abuzimin me pushtetin!

Vota e lirë e shqiptarëve u ekzekutua para se të hidhej në kuti!

Të dashur miq, zgjedhjet, apo më saktë farsa e tyre, përfundoi. Gjatë fushatës dhe këto ditë më është rikujtuar viti 2000. Në tetor do zhvilloheshin zgjedhjet lokale. Ish- presidenti Xhimi Karter dërgoi nga Qendra e tij, që në gusht të atij muaji, një mision faktmbledhës për të marrë përsipër vëzhgimin e zgjedhjeve. Misioni i Presidentit Karter pas dy javë qëndrimi, u largua nga Shqipëria dhe vendosi të mos i vëzhgonte zgjedhjet, pasi konstatoi se qeveria socialiste i kishte ekzekutuar ato para se të zhvilloheshin. E njëjta gjë ndodhi pas 20 vitesh me zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021. Vota e lirë e shqiptarëve u dhunua, para se te hidhej në kuti, për arsyet që vijojnë:

1- Nga droga

Viti 2020, pra viti para zgjedhor ishte viti në të cilën me ftesë të kreut të narkoshtetit, Shqipëria u mbulua me kanabis de juro medicinalis, kurse de facto ‘elektoralis’. Në këto zgjedhje më shumë se në të gjitha të tjerat, vetëm droga medicinale u kthye të paktën në 12 mandate dhe, mandatet do kthehen në drogë.

Në këto zgjedhje më shumë se në çdo fushatë tjetër, narkoshteti u shndërrua në makineri elektorale të Kreut të Meduzës

2- Narkoshteti

Në këto zgjedhje, më shumë se në çdo fushatë tjetër, narkoshteti u shndërrua në makineri elektorale të Kreut të Meduzës. Parlamenti në shkelje të konsensusit të vendosur mes forcave politike, bëri ndryshime kushtetuese ligjore, me të cilat favorizohej me disa mandate partia e qeverisë. KQZ, Kolegji, Policia e shtetit, Porkuroria dhe gjykatat e partisë në 98% të vendimeve qëndruan besnike të palëkundura të parties- shtet. Po ndalem këtu, vetëm në ngjarjen tragjike të Elbasanit. Banda e personave në shoqërim të Edi Ramës, sulmoi shtazërisht e keqtrajtoi fizikisht para kamerave dhe në prani të bosit të tyre, mbështetës të opozitës. Asnjë nga këta banditë nuk u penalizua nga policia, prokuroria e partisë, sepse duheshin të vazhdonin misionin tyre kriminal të terrorizimit të popullatës dhe blerjes së votës. Ndaj dhe më 21 Mars, kjo bandë kishte dalë publikisht dhe e armatosur për blerje votash, gjë që solli përgjakjen e Elbasanit. Pas ngjarjes narkopolicia dhe narkoprokuroria fshehën në mënyrë kriminale provat, që faktonin se në makina u gjetën materiale për blerje të votës. Përveç kësaj, dispozitat e kodit elektoral, por dhe nenet e Kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, që ndalojnë përdorimin e burimeve të qeverisë dhe shtetit për ndikim në procesin zgjedhor, u shkelën me urdhëra, ligje, vendime dhe akte të gjitha publike me qindra herë nga Edi Rama dhe zyrtarët e tij. Nuk po ndalem këtu në përdorimin e mjeteve shtetërore dhe administratës për fushatë nga Edi Rama dhe ministra e narkozyrtarët e tij, as tek qindra tendera dhe prokurime publike në funksion të zgjedhjeve, as në dhjetra e dhjetra inaugurime elektorale, por po jap këtu vetëm një fakt: Vetëm bashkia e Durrësit ka lëvruar pas datës 25 Mars transferta nga Thesari, për individin (të dëmtuarit nga tërmeti) 83 herë më shumë se sa ka lëvruar nga 1 dhjetori i vitit 2019, deri më 25 Mars të vitit 2021.

Një rëndësie jetike për qytetarët, opozitën, është mbledhja, administrimi dhe sistemimi i çdo dokumenti, fakti, argumenti dhe përgatitja me seriozitet e objektivitet i Librit të Zi të zgjedhjeve jo demokratike të vitit 2021

Pengmarrja e votës me të dhënat personale të qytetarëve.

Dërgimi i të dhënave personale të mbrojtura me ligj dhe kushtetutë në çdo vend demokratik të botës nga e-Albania, në selinë e Partisë Socialiste, përbën megakrimin elektoral më të madhin në histori, përbën aktin më të rëndë pas burgosjes politike, që një shtet mund të kryejë ndaj qytetarëve të tij. Ky akt në fakt shënon jo vetëm deligjitimin e zgjedhjeve, por edhe të shtetit bandit që kryen atë. Edi Rama pajisi patronazhistët e tij me të dhëna, që dikur Sigurimi i Shtetit pajiste patronazhistët e parties- shtet, që të merrnin peng dhe të konfiskonin votën e qytetarëve shqiptarë. Po në këtë kontekst, narkoshteti me kontrollin e tij të rreptë ndaj mediave dhe blerjen e polleve për manipulimin e opinionit, shënon në çdo aspect, një rekord të zi në pabarazinë e paraqitjes së fushatës elektorale të palëve në garë. Kështu, me shndërrimin e narkoshtetit në makineri elektorale, u asgjësua barazia midis palëve, kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të drejta sipas standardeve ndërkombëtare dhe vota e lirë u fut në agoni.

Libri duhet t’ju dërgohet KiE, PE, Kongresit të SHBA, Bundestagut, parlamenteve, ministrive të Jashtme, qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, për të gjitha shkeljet e tmerrshme dhe Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg

3-Blerja e votës në zgjedhjet e 25 Prillit ishte më masive se kurrë më parë

Ajo u shndërrua në një treg pothuaj publik. Partia “Doshi” është vetëm një shembull i “industrializimit” të blerjes së votës për llogari të Edi Ramës, sepse makineria më e madhe e blerjes së votës e këtij megakrimi electoral, qëndron në Partinë Socialiste. Kështu, nga klanet Gjici, Frroku, Beqaj, Sterkaj, Ndreu, Ndreca, Malaj, Rraja, Ahmeti, Manastirliu, Balluku, Koka, Çyrbja, Balla, Gjiknuri, Braçe Peleshi, Klosi, Çuçi, etj., janë shpenzuar për blerje votash me euro, ushqime, dhe favore të tjera, së paku dhjetëfishi i shumave të shpenzuara nga Doshi për këtë qëllim. Me këto shuma janë blerë më së paku 10-12 mandate. Për të gjitha sa më sipër, dhe të tjera për të cilat nuk po ndalem, dua të them se vota e lirë, si shprehje e vullnetit të qytetarëve të lirë, vdiq pa u futur në kuti dhe, natyrisht në kuti, nuk mund të kishte fat tjetër nga ai para kutisë. Në këto rrethana, me të drejtë shtrohet pyetja: A duhej opozita të ndiqte këtë farsë elektorale? Përgjigja ime është e prerë: Po! Kjo sepse ajo duhet t’i përmbahet e palëkundur parimit të saj themelor të ardhjes në pushtet me votën e qytetarëve dhe së dyti, duke mos marrë pjesë në zgjedhje, ajo humbiste të drejtën për të qenë avokate e besueshme e votës së lirë tek shqiptarët dhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kështu që, pavarësisht nga të gjitha, mendoj se ajo veproi drejtë, që mori pjesë në këto zgjedhje. Duke mos mohuar rëndësinë e padiskutueshme dhe detyrimin e pashmangshëm e një analize të thellë për nxjerrjen e përgjegjësive për rezultatin e këtyre zgjedhjeve nga cilido, dhe të drejtën e pamohueshme të gjithsecilit për të kërkuar në gjë të tillë, mendoj se e një rëndësie jetike për qytetarët, opozitën, militantët dhe mbështetësit e saj që sakrifikuan aq shumë në këto zgjedhje, si dhe për vendin në tërësi, është mbledhja, administrimi dhe sistemimi i çdo dokumenti, fakti, argumenti dhe përgatitja me seriozitet e objektivitet i Librit të Zi të zgjedhjeve jo demokratike të vitit 2021 në Shqipëri. Ky libër duhet në kohën më të shkurtër t’ju dërgohet institucioneve të shtetit njëpartiak, OSBE- ODHIR, misioni vëzhgues i të cilit ka bërë një raport paraprak të paanshëm dhe objektiv për këto zgjedhje. Libri duhet t’ju dërgohet dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare, Këshillit të Europës, Komisionit Europian, Parlamentit Europian, Kongresit të SHBA, Bundestagut, parlamenteve, ministrive të Jashtme, qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe, menjëherë për të gjitha shkeljet e tmerrshme të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të paprecedent në historinë e Këshillit të Europës, duhet drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Kjo nuk është një betejë e lehtë, por nisur dhe nga precedenti, është betejë që fitohet plotësisht. Zyrtarët, qeveritarët, që qëndrojnë për votën e lire, mirëpresin Librin e Zi të zgjedhjeve 2021 të Shqipërisë, si një përpjekje serioze, legjitime të opozitës shqiptare. Ky është një mision i lartë, sa shqiptar, aq dhe ndërkombëtar për të gozhduar para botës Lukadrogën e Shqipërisë dhe për t’ju rikthyer shqiptarëve votën e lirë.