Prof. Dr. Petrit Bara: Programi i ndryshimit të LSI-së është “Shqipëria shtëpia jonë”!

1174
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pandemia e Covid, totalisht e keqmenaxhuar nga qeveria

Me të njëjtat fonde të CheckUp-it të bënte analizat e tamponit, kostoja e të cilit ka zbrazur xhepat e qytetarëve në rastin me të mirë dhe i ka detyruar të marrin borxhe e kredi

Flet kirurgu kardiolog: Si do të ndryshojë menaxhimi i Covid-19 pas 25 prillit dhe arsyet pse vendosa të kandidoj për LSI-në

Kush është Prof. Dr. Petrit Bara

Prof. Petrit Bara ka lindur në Dibër. Që prej përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë dhe specializimit pasuniversitar në Francë, ai është pjesë elitare e shëndetësisë shqiptare. Prof. Bara, përveçse pedagog për disa dekada në Shqipëri dhe Maqedoni, mban tituj të shumtë. Ai është Doktor “Honoris Causa”dhe gjithashtu “Qytetar Nderi” në Tetovë, Dibër të Madhe, Peshkopi, Bulqizë, si dhe në vendlindjen e tij Zall Dardhë (Dibër). Prof. Bara është anëtar i disa shoqatave shqiptare dhe botërore për Kardiologjinë dhe bashkëpunëtor i rregullt i rëvistave shkencore mjekësore më në zë në botë.

Prof. Dr. Petrit Bara, kirurgu kardiolog i njohur në inteevistën për gazetën “Telegraf” së pari pohon se “Programi i menaxhimit të Covid-19 pas 25 prillit dhe qëllimi i ndryshimit ishin  arsyet e mëdha për të cilat vendosa të kondidoj me LSI-në”. Prof. Bara pohon se qeveria nuk ka as tani asnjë trategji, asnjë plan  për përballimin e pandemisë. Prof. Bara kritikon edhe Komitetin, të cilin me ironi e cilëson “Komitet i quajtur  Teknik”, dhe thotë se detyra e këti Komiteti është t’i hapë sytë qeverisë, t’i ofrojë plan e strategji, ku katandisja e Komitetit Teknik në mashë propagandistike të qeverisë, detyroi edhe Prof. Kalo të jepte dorëheqje. Prof. Bara thotë se qeveria duhet të kishte ndërprerë koncensionet në shëndetësi, fondet e të cilave të kalonin për të përballuar situatën e covid-19, Chep-up duhet të bënte analizat e tamponit.

“Ndjehem më komod pranë familjes së madhe të LSI-së, i përkas së Majtës sociale, por, edhe sepse kam besim që me fitoren e Opozitës së Bashkuar, shumë gjëra në sistemin e shëndetësisë do të ndryshojnë për mirë dhe në favor të qytetarëve”

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

Prof. Bara, sipas jush, cilat janë shkaqet e keqmenaxhimit nga qeveria të pandemisë? 

– Pandemia që gjunjëzoi botën sapo mbushi zyrtarisht 1 vit. Them zyrtarisht, sepse ajo ka patur shenja disa javë më herët dhe kjo tashmë është e vërtetuar nga institucione prestigjioze të shëndetit në botë. Edhe në Shqipëri, situata e pandemisë e kaloi vitin. Por ndryshe nga shumë vende të tjera, prej disa javësh, Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me shifra më të larta infektimesh nga Covid-19. Për pasojë, janë shënuar një numër rekord viktimash, që sipas shifrave të paktën atyre zyrtare janë disa herë më të larta se ato në fillimet e pandemisë. Për mua, keqmenaxhimi më i madh vjen për shkak të propagandës. Qeveria ende nuk e ka kuptuar se propoganda e saj nuk është thjesht neveritëse, por nuk zgjidh asgjë, madje vetëm i agravon problemet. Pavarësisht nga masat që thuhet se i vendos Komiteti Teknik i Ekspertëve – e për këtë unë s’jam fare i bindur – infeksionet mbeten sërish të lafrta. Po ashtu edhe humbjet e jetës. Pyetja që shtrohet është: Ç’do të bëhet për më tej? A po shkojmë në rrugën e duhur apo duhet ndryshuar e gjithë strategjia e deritanishme, e cila është thjesht një propogandë boshe dhe cfilitëse. Për shkak të kësaj dhe jo vetëm, keqmenaxhimi i pandemisë ka qenë i dukshëm. Më lejoni të kthehem pak në kohë, pikërisht atëherë kur pandemia u konsiderua zyrtarisht e pranishme në mbarë botën. Shqiptarët përjetuan, në muajin mars të një viti më parë, një mbyllje totale, një karantinë më shumë se dymujore. Një masë e tillë ekstreme ndërmerret kur epidemia ka dalë nga kontrolli ose kur sistemi shëndetësor, dhe jo vetëm sistemi shëndetësor, por dhe ai i urgjencave dhe emergjencave, është i papërgatitur për të përballuar epideminë.  Në një situatë të tillë shteti merr përsipër përgjegjësi jo vetëm lidhur me shëndetin, por edhe me ekonominë, duke subvencionuar bizneset dhe financuar individët. Shqipëri ka ekonomi të brishtë, shqiptarët kanë një kuletë familjare të dobësuar ndjeshëm. E kanë, le të themi, të pamundur të përballojnë një karantinë të zgjatur apo një karantinë të dytë.

“Për shkak të dritëshkurtësisë qeveritare dhe ekspertëve të saj sot jemi në një situatë therëse dhe alarmante njëherazi, ku jetët e humbura, vetëm për shkak të Covid-it, po shtohen nga dita në ditë”

Besoj se askush nuk i ka harruar gjatë karantinës së marsit, masat represive policore, madje, në ndonjë rast, edhe masa ushtarake. Për mua, ishin masa jo-proporcionale. Qeveria tregoi forcën e saj përballë një popullatre të drobitur nga ekonomia, tërmetet dhe më pas pandemia. E kam thënë dhe e përsëris: Qeveria dhe autoritetet e tjera shëndetësore kishin kohë të mjaftueshme për të hartuar një strategji të qartë, të konsoliduar dhe efikase për ta zbatuar pas karantinës.  Asgjë nuk u bë. Nuk u hartua asnjë strategji, asnjë plan, madje nuk ka asnjë plan as tani që po na japin vaksinat anti-covid me pikatore. Gjithçka i është lënë në dorë një Komiteti të quajtur Teknik, për të cilin megjithë respektin që kam, mund të kishin bërë shumë e mund të bëjnë edhe më shumë, tani që pandemia “po pasurohet” me mutacione të tjera dhe kur bota po vuan valën e dytë diku dhe të tretë diku tjetër. Ky Komitet kishte dhe ende ka një detyrë tjetër: T’i hapë sytë qeverisë që ajo të zbresë me këmbë në tokë dhe të shohë realitetin e hidhur, ta largojë nga propaganda e përditshme bajate dhe t’i ofrojë plane e strategji për të kapërcyer këtë situatë që na ka sfilitur të gjithëve. Për shkak të dritëshkurtësisë qeveritare dhe ekspertëve të saj sot jemi në një situatë therëse dhe alarmante njëherazi, ku jetët e humbura, vetëm për shkak të Covid-it, po shtohen nga dita në ditë. Për fat të keq, edhe tek mjekët numri i jetëve të humbura është i lartë.

Me potencialin njerëzor, material, financiar që ka aktualisht shërbimi publik shëndetësor, a mundet t’u ofrojmë qytetarëve një ndihmesë më të mirë ndaj Covid-19? 

– Ne kemi potencial njerëzor, por qeveria nuk e do këtë potencial njerëzor e profesional. Qeveria do kukulla, që bëjnë siç do vetë qeveria. A kemi potencial material? Dyshoj për këtë. Shkoni e pyesni të afërmit e të sëmurëve. Ata do t’ju tregojnë sa mungojnë ilëçet bazë nëpër spitale. Gjërat më bazike mungojnë dhe askush nuk e vë ujin në zjarr. Na mjafton vetëm propaganda që po na mbyt të gjithëve nga pak e përditë. A kemi potencial financiar? Kemi, por qeveria nuk do që ta japë. Janë dhjetëra PPP dhe koncesione që, qeveria jonë, ashtu si simotrat e saj nëpër botë, mund t’i ndërpresë dhe fondet e tyre t’i kalojë tërësisht për përballimin e pandemisë. Kështu kanë bërë qeveri të përgjegjshme në vendet e tjera. S’ka arsye që të mos e bëjë edhe qeveria jonë. Është ende në kohë.  Por jam skeptik se do ta bëjë, nisur nga fryma që e karakterizon, propaganda që nuk pushon. Kjo qeveri ka kaluar nga centralizimi i plotë i përgjegjësive, në skenarin e karantinës totale, tek shmangia e çdo përgjegjësie dhe shkarkimi i tyre vetëm tek qytetarët dhe tek bizneset. Madje, madje, qeveria nuk po bën as balancim përgjegjësish, sikurse po ndodh në shumë vende evropiane, të cilave u referohet kur i intereson.

“Komiteti i quajtur Teknik, kishte dhe ende ka një detyrë: T’i hapë sytë qeverisë, që ajo të zbresë me këmbë në tokë dhe të shohë realitetin e hidhur, ta largojë nga propaganda e përditshme bajate dhe t’i ofrojë plane e strategji për të kapërcyer këtë situate”

– Prof, në kushtet e vështira të pandemisë Covid-19, a ka kuptim që qeveria të vazhdojë të paguajë koncesionin e ChekUp, madje edhe duke paguar riskun, kur nuk bëhen analizat? A duhet ky koncesionar, me të njëjtat fonde për ChekUp të bënte analizat e tamponit, e të mos jepej tjetër koncesion?

Jo vetëm ky koncesion, që ju përmendët, por edhe koncesione të tjerë, bashkë me PPP-të e panumërt, duhet të ndërpriten. Fondet që u jepn atyre duhet të kalojnë në dispozicion të përballimit të pandemisë, ndihmës që u duhet dhënë qytetarëve dhe bizneseve. Shifrat flasin për dhjetëra e dhjetëra persona që kanë dalë pa punë gjatë pandemisë. Po ashtu, edhe biznese që kanë falimentuar ose janë në prag-falimentimi. Amerika miratoi vetëm disa ditë më parë një paketë ndihme triliona dollarëshe për të ndihmuar qytetarët dhe për të mbështetur bizneset. Të njëjtën gjë kanë bërë shumë vende të tjera. Ndërsa paketa jonë ishte ndër më të varfrat. Që të mos ishte e tillë duhej ndërprerë pagesa për CheckUp-in, pasi dihet që prej kohësh nuk bëhen analiza dhe koncesione të tjera. Sepse qytetarët, jo vetëm që ndjehen të telendisur nga kjo pandemi e gjatë, por edhe të braktisur nga qeveria që kanë zgjedhur t’i drejtojë. Është koha të kujdesemi për shëndetin financiar dhe mendor të qytetarëve. Dhe e para që duhet të kujdeset është qeveria. Fare mirë, kjo e fundit mund të bënte dhe atë që thoni ju: Me të njëjtat fonde të CheckUp-it të bënte analizat e tamponit, kostoja e të cilit ka zbrazur xhepat e qytetarëve në rastin me të mirë dhe i ka detyruar të marrin borxhe e kredi në rastin më të keq.3

“Qeveria dhe autoritetet e tjera shëndetësore kishin kohë për të hartuar një strategji të qartë, për ta zbatuar pas karantinës. Asgjë nuk u bë. Nuk u hartua asnjë strategji, nuk ka asnjë plan as tani që po na japin vaksinat anti-covid me pikatore”

– Nëse në 25 prill 2021 fiton Opozita e Bashkuar, çfarë do ndryshojë në menaxhimin e pandemisë?

– Besoj as më shumë e as më pak nga sa bëjnë qeveritë e përgjegjshme. Nga njëra anë, do të ndihmojmë qytetarët dhe familjet shqiptare me më shumë fonde dhe ndihma. Po ashtu, edhe për bizneset, do t’i mbështesim fuqimisht, në mënyrë që të vazhdojnë aktivitetin dhe të mbajnë në punë punonjësit aktualë, dhe pse jo, të hapin fronte të reja pune. Do t’u sigurojmë qytetarëve gjithçka duhet për të përballuar infeksionin nga Covid-19, përfshirë ilaçet dhe trajtimin e plotë mjekësor. Nga ana tjetër, menaxhimi “teknik” duhet të ndryshojë rrënjësisht. Duhet përfshirja në front e të gjithë punonjësve të shëndetësisë. Edhe e atyre socialë. Ata janë pjesë e rëndësishme e të gjithë zinxhirit të shërbimit shëndetësor në Shqipëri dhe nuk mund të injorohen. Situata kërkon që, bashkë me mjekët e familjes, edhe ata të jenë në front të kësaj beteje. Janë divizionet shtetërore që duhen përfshirë me skenarë, por së pari ato duhen riaktivizuar, pasi kanë vite që janë lënë në mëshirë të fatit. Duhet ta dini se nuk ka patur spital rajonal pa një pavijon Infektivi, që fatkeqësisht sot nuk u gjendet as nami e as nishani, për shkak të politikave të gabuara qeveritare ndaj mjekësisë, politika që për hir të së vërtetës nuk filluan as dje e as sot, por shumë më herët. Ne do t’i riaktivizojmë pavijonë të tillë dhe jo vetëm kaq, por do rikthejmë ashtu siç duhet gjithë shërbimin bazik në spitalet e rretheve, me staf të plotë profesional, të cilët do të kenë paga dinjitoze.  Nga ana tjetër, përgjegjësi jo vetëm për shëndetin publik, por për gjithçka lidhet me shëndetin, kanë edhe kryebashkiakët dhe çdo drejtues tjetër lokal. As ata s’mund të jenë të përjashtuar asesi nga kjo sfidë, pasi menaxhojnë dhe kontrollojnë asete shumë të mëdha e që duhet t’i vendosin në shërbim të qytetarëve, me efikasitetin më të mirë të mundshëm. Në do të bëjmë një riorganizim të plotë dhe rrënjësor të këtij shërbimi, duke përfshirë të gjithë specialistët e shëndetit, që nga kardiologët, nefrologët e deri tek psikologët e psikiatrët, pasi shumë po pësojnë vdekje nga depresioni dhe arsye të tjera jashtë Covid-it.

“Ne kemi potencial njerëzor, por qeveria nuk e do këtë potencial njerëzor e profesional. Qeveria do kukulla, që bëjnë siç do vetë qeveria. A kemi potencial material? Dyshoj për këtë. Shkoni e pyesni të afërmit e të sëmurëve”

– Prof. Bara, ju pse zgjodhët LSI që të jeni kandidat për deputet i LSI në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit?

– Besoj se ndjehem më komod pranë familjes së madhe të LSI-së, edhe për faktin se i përkas së Majtës sociale, por nga ana tjetër, edhe sepse kam besim që me fitoren e Opozitës së Bashkuar, shumë gjëra në sistemin tonë shëndetësor do të ndryshojnë për mirë dhe në favor të qytetarëve shqiptarë. LSI është një forcë politike e pjekur, që ka treguar se di të mbajë premtimet dhe di të menaxhojë. Ndaj kam besim të plotë se si pjesë e ekipit të saj, nesër do të kemi mundësi të gjithë bashkërisht të ndryshojmë mentalitetin e qeverisë dhe të shtetit ndaj qytetarëve. Programi i menaxhimit të Covid-19 pas25 prillit dhe qëllimi i ndryshimit ishin  arsyet e mëdha për të cilat vendosa të kondidoj me LSI-në.

– Deri tani qeveria e Rilindjes ka dhënë dhjetëra koncesione dhe tendera në shërbimin shëndetësor Publik me faturë mbi 100 milionë euro çdo vit, për dhjetëra vite. Sa e kanë përmirësuar apo përkeqësuar, shërbimin shëndetësor publik?

– Vetëm sa e kanë përkeqësuar. Janë fonde të mëdha, me të cilët mund të ishin bërë shumë punë në sistemin tonë shëndetësor. Qeveritë prandaj i zgjedhim që të na sigurojnë fonde për të financuar sistemet shëndetësore, për t’i bërë më të forta përballë epidemive në të ardhmen. Këtu përfshihen administrimi i rreziqeve të shumta, trysnia imediate për t’i shkurtuar fondet për shëndetësinë për shkak të rënies ekonomike; rënia e të ardhurave spitalore nga shtyrja në kohë e rasteve jo-urgjente, e që do ta vendosë në vështirësi qëndrueshmërinë e tyre financiare; tkurrja e burimeve të financimit për shëndetësinë për shkak të rritjes së papunësisë dhe rënies së dërgesave private nga jashtë etj. Ndaj ka shumë rëndësi që qeveria të veprojnë pa vonesë dhe me vendosmëri për t’i mbrojtur të ardhurat për sistemet shëndetësore, po të kemi parasysh se priten epidemi të tjera në të ardhmen. Lexojeni Bankën Botërore çfarë thotë: Shqipëria ka performancën më të keqe, pasi banorët shpenzojnë nga xhepi për shërbime shëndetësore më shumë se të gjithë, ndërsa shteti ka shpenzimet më të ulëta për frymë për sistemin e shëndetësisë. Shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi arrijnë 50% për shqiptarët, më të lartat në rajon dhe në krahasim me mesataren evropiane, ndërsa shpenzimet publike për frymë për shëndetësinë ishin 304 dollarë, më të ulëtat në rajon dhe shumë poshtë mesatares së vendeve të BE-së. Shqipëria ka dhe kapacitetet shëndetësore në klinika, spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor, më të ulëtat në rajon dhe më pak mjekë. Ndërkohë që sistemet shëndetësore përpiqen të bëjnë një zbulim efektiv të rasteve dhe të trajtojnë pacientët me Covid-19, mungesat afatgjata në personel mjekësor janë një problem serioz.

“Edhe koncesione të tjerë, bashkë me PPP-të e panumërt, duhet të ndërpriten. Fondet që u jepn atyre duhet të kalojnë në dispozicion të përballimit të pandemisë, ndihmës që u duhet dhënë qytetarëve dhe bizneseve”

Qeveria e Rilindjes në këto kohë pandemie, ka zbuar nga shërbimi shëndetësor publik mjekë dhe infermierë, të cilët kanë guxuar të kritikojnë mungesat, dobësitë dhe keqmenaxhimin e drejtuesve politikë në shërbimin shëndetësor Publik. A është ky qëndrim administrativ një përpjekje për të luftuar çdo zë kritik?

– Pa asnjë dyshim që po. Është një përpjekje e ndyrë për të larguar çdo zë që kritikon qeverinë, për ta mbytur atë dhe për të frikësuar të tjerët, për t’u treguar se si do ta pësojnë nëse flasin dhe kritikojnë qeverinë. Shumë mjekë janë larguar drejt vendeve të tjera, kryesisht drejt Gjermanisë. Edhe shumë infermierë. Sistemi ynë shëndetësor është me mangësi të shumta sa i përket stafit. Por ne jo vetëm që i kemi zbuar profesionistët e mjekësisë, por edhe këta që i kemi dhe mezi i kemi, i largojmë nga puna. Duhet të jesh totalisht i papërgjegjshëm të largosh nga puna bluzat e bardha, në një kohë pandemie, kur ata nevojiten më shumë se çdo gjë tjetër.  Le të hedhim sytë tanë tek fqinjët. Greqia po kërkon prej disa ditësh staf mjekësor nga vendet e tjera, duke i paguar sa frëngu pulën siç themi ne, me qëllim përballimin e situatës së krijuar nga pandemia. E kundërta ndodh tek ne për fat të keq. Në kulmin e pandemisë, qeveria e Rilindjes dhe menaxhmenti i qendrës më të madhe spitalore në vend kanë luksin të largojnë mjekë nga puna. Dhe për çfarë? Për thyerje të etikës. Është për të vënë duart në kokë me këtë papërgjegjshmëri totale që tregojnë këta që na qeverisn dhe na drejtojnë. Dhe sigurisht që e gjithë kjo mungesë përgjegjësie ndikon drejpërdrejt në keqmenaxhimin e qendrës më të madhe spitalore që kemi, për të vijuar më tej me spitalet rajonale dhe ato nëpër rrethe. Një keqmenaxhim që gjithashtu drejtpërdrejt ndikon tek pacienti. Kjo duhet të marrë fund dhe do të marrë fund shumë shpejt.

Ju, Prof. Bara, si e vlerësoni dorëheqjen e Prof. Kalo nga Komiteti Teknik i Ekspertëve? A ka transparencë në punën e tij ky Komitet? A është normale, që shumica e anëtarëve të këtij komiteti, të shpërblehen me poste qeveritare?

– Profesor Kalo është një profesionist i njohur i mjekësisë shqiptare. Një njeri me dinjitet dhe integritet. Besoj se e ka pasur të pamundur që të qëndronte në atë Komitet Ekspertësh, pasi siç e thashë, kjo qeveri nuk kërkon ekspertë dhe profesionistë, por kukulla që t’i thonë “urdhëro, si urdhëron”. Profesor Kalo nuk është prerje e tillë. Ndaj unë e përgëzoj fort për vendimin që mori për t’u larguar dhe për të mos qenë më pjesë e atij Komiteti.

-Prof. Bara, ju uroj suksese si kandidat i LSI për deputet në 25 prill!