Armend Tahiraj: Epitech zgjon nga gjumi industrinë e teknologjisë inovative si dhe Arsimin e Lartë

1356
Sigal

Gazetën “Telegraf”

Epitech është një nga programet e Grand Ecole, i cili së fundmi ka mbërritur edhe në Shqipëri. Të gjithë studentët, që kërkojnë të studiojnë për Teknologji Informacioni, por të një cilësie shumë të lartë zgjedhja është Epitech Në një intervistë për Gazetën “Telegraf” Z. Armend Tahiraj, Drejtor i Përgjithshëm i Epitech Albania është shprehur se Epitech është i licencuar nga Ministria e Arsimit dhe të studiosh atje njësoj sikur të jesh në Paris, ose Francë. Tri vitet e para të studimeve kryhen në Tiranë. Studimet e vitit të katërt, kryhen pranë njërit prej 61 universiteteve tanë Partnere, që nga Berkley USA, RMIT Australi dhe shumë Universitete në vendet më të zhvilluara të BE. Epitech është një risi në Evropën Juglindore, e cila do të realizojë një impakt tepër pozitiv në zhvillimin arsimor në të gjitha vendet që janë pjesë e saj.

Z.Tahiraj shpesh kemi dëgjuar të flitet për Epitech. Çfarë përfaqëson Epitech?

Epitech është një nga programet e Grand Ecole, i cili së fundmi ka mbërritur në Shqipëri, nga rrjetet e tilla universitare në Francë, konkretisht Paris. Ai është i licencuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve të Republikës së Shqipërisë, pas tri viteve përpjekje nga ana jonë. Ajo ekziston, si degë e Mëmës së saj në Francë, e cila në përfundim të studimeve do të pajisë studentët me diplomë universitare të Universitetit Epitech në Paris, të regjistruar në Rektoratin respektiv. E thënë ndryshe; mëson në Tiranë njësoj sikur të jesh në Paris, ose Franca është në Shqipëri. Kjo diplomë është e barasvlershme me diplomat e rreth 7000 studentëve tanë kudo nëpër botë si: Paris, Barcelonë, Bruksel, Berlin, etj.

Ju folët për Epitech dhe Grand Ecole. A mund të na shpjegoni, se çfarë përfaqëson Grand Ecole?

Grand Ecole ka qenë një nisëm e iniciuar nga Napoleon Bonaparti, pra është kaq e vjetër, deri në ditët e sotme. Grand Ecole, u urdhërua të zhvillohej si rezultat i dobësive të sistemit arsimor shtetëror në atë kohë, pasi studentët e dalë nga ky sistem, ishin të një cilësie të dobët për të përfaqësuar ushtrinë, ekonominë e të tjera si këto. Mjafton të përmendim faktin që sot rreth 90% të patronazhit në kompanitë franceze, por edhe me tej, janë diplomuar nga sistemi Grand Ecole. Pra sistemi shkollor Grand Ecole është sistemi i Elitave.

Epitech, përse pikërisht në Shqipëri dhe përse pikërisht në Tiranë?

Duhet të theksojmë se për praninë e Epitech, janë përpjekur disa vende, por këtë e fitoi Shqipëria dhe Tirana. Epitech në Shqipëri është përfaqësi dhe pikë reference për Evropën Juglindore, si pika më e mirë strategjike dhe komforte në Rajon. Pra e thënë ndryshe, të gjithë studentët, që kërkojnë të studiojnë për Teknologji Informacioni, por të një cilësie shumë të lartë, por që jetojnë në një nga vendet e Evropës Juglindore, tashmë do t’i kryejnë këto studime në Tiranë, Shqipëri por të gjitha vlerësimet e ecurisë së tyre mësimore do t’i marrin nga mëma, e cila ndodhet në Paris.

Tirana u zgjodh, pasi ofronte infrastrukturën më serioze, për zhvillimin e këtij aktiviteti. Ne jemi treguar të kujdesshëm edhe me vendin e zhvillimit të mësimit, i cili kryhet pranë Tirana Business Park e cila ndodhet vetëm 15 km nga qendra e qytetit dhe shumë afër Aeroportit “Nënë Tereza”. Pra afërsia me Aeroportin, mundësia e parkimit, ajri i pastër dhe gjelbërimi si dhe kushtet komode, na bën tepër të veçantë në këtë drejtim.

 

Si funksionon Epitech?

Për studentin mund të fillojë nga gjendja e nivelit zero në informatikë, por zemra e suksesit është Inovacioni, e cila në përfundim për këtë do të quhet PROGRES. Në mes të këtyre qëndron një armë shumë e fuqishme që studenti nuk duhet ta harrojë: Dëshira dhe Vullneti. Pranimi i studentit arrihet pasi të kalohen me sukses testi me gojë dhe me shkrim që janë kryesisht logjik si dhe testi i njohurive në gjuhën angleze. Tri vitet e para të studimeve kryhen në Tiranë. Studimet e vitit të katërt, kryhen pranë njërit prej 61 universiteteve tanë Partnere, që nga Berkley USA, RMIT Australi dhe shumë Universitete në vendet më të zhvilluara të BE. Për sa i përket vitit të fundit, të gjithë studentët e këtij profili, kudo ku studiojnë mblidhen në Paris e në përfundim të studimeve pajisen me diplomë franceze e njohur në të gjithë vendet e Globit. Procesi mësimor zhvillohet në gjuhën angleze dhe si gjuhë e dytë zhvillohet gjuha Frënge, me një nivel në përfundimin e tri viteve të para të studimeve, B1. Metoda e mësimit kryhet nëpërmjet projekteve praktike të cilat mund të jenë më shumë se 60 për çdo vit. Mjeti i vetëm mësimor për studentin është kompjuteri, i cili komunikon drejtpërdrejt nëpërmjet sistemit digjital, me mëmën në Paris. Mësimet e dy viteve të para janë aq të rëndësishme, saç janë studimi i Anatomisë 1 dhe 2 për studentët e mjekësisë. Gjatë këtyre viteve studiohet baza e logjikës informatike, për t’ju përshtatur në të ardhmen çdo lloj programi kompjuterik dhe në përfundim për të arritur autonominë, rigorozitetin dhe inovacionin. Por, në Epitech nuk mësohet vetëm informatika. Për të arritur nivelin e një eksperti të Sistemit të Informacionit, Ekselent, kryhen edhe leksione të ekonomisë, administrimit të biznesit, progresi, shkrimi akademik, gjuhë të huaja, sociologji, komunikim në publik, etikë profesionale, angazhime në jetën sociale e kulturore, por edhe me kalitjen e durimit për t’ia filluar nga e para në rast të dështimeve në punë.

Dihet se qëllimi kryesor i studimeve është punësimi. Ku mund të punësohen studentët e Epitech dhe sa është mundësia e këtij punësimi?

Oh! Në përfundim të studimeve, këta studentë mund të punësohen kudo dhe kurdoherë, në nivele të mira punësimi dhe pagese: Ushtri, Polici, Tatime, Shoqëri Transporti, Industriale, Teknologjike, Kërkimore dhe Shkencore etj., etj., etj. Punësimi është i garantuar 100% në çdo vend të Globit, jo vetëm si pasojë e nevojave të mëdha për këtë profesion, por edhe si pasojë e nivelit tepër të lartë të përgatitjes në Universitetin tonë. Studentët punojnë nëpërmjet praktikave pranë një numri të lartë të partnerëve tanë në Botë, duke u mësuar dhe i mësuar atyre si dhe duke u paguar më së miri nga këta të fundit. Mjafton të përmendim faktin se një student me nivel “Bachelor” siguron një pagesë vjetore prej rreth 37.800 euro, ndërsa ai me nivel “Master” një pagesë prej më shumë se 45.000 euro. Një student në përfundim të studimeve mund të krijojë një kompani shërbimesh të veta me rreth 5 punonjës të cilët mesatarisht kryejnë një fitim vjetor prej 200.000 eurosh në vit. Është e provuar se niveli dhe efikasiteti i një prej studentëve tanë është sa dy ose tre studentë të niveleve të tjera, kudo në Botë. Unë do të thosha se në Shqipëri ekziston komoditet më i madh për të punuar në këtë fushë, për çdo kompani të huaj, nga çdo student i Epitech kudo që ndodhet, pasi klima, ushqimi, afërsia me çdo kryeqytet të Evropës, niveli i ulët i taksave dhe tatimeve, bukuria natyrore dhe niveli i jetesës, e bëjnë tepër tërheqës këtë vend.

Cili është impakti i Epitech në Zhvillimin Arsimor?

Mendoj se kemi sjellë një risi në Evropën Juglindore, e cila do të realizojë një impakt tepër pozitiv në zhvillimin arsimor në të gjitha vendet që janë pjesë e saj. Mjafton të përmendim faktin se që me mbarimin e vitit të parë të studimeve, sivjet është shtuar numri i Universiteteve të cilat kanë shtuar në kurrikulën e tyre studimet në Informatikë. Kjo është një shenjë pozitive. Por ne jemi shumë fanatik në drejtim të cilësisë së pranimeve të studentëve dhe këtë e tregon edhe fakti se numri i këtyre pranimeve është i limituar dhe studentët që arrijnë të mbarojnë studimet pranë nesh, janë ELITA. Arsimi dhe shëndetësia janë dy fushat të cilat duhet të vlerësohen më shumë nga çdo shtet, por arsimi është më i veçanti. Nuk ka nevojë të përdorësh bombën atomike për të vrarë një popull, mjafton të vrasësh arsimin. Arsim cilësor = qytetarë dhe ekonomi cilësore. Ky është qëllimi ynë.
Së fundmi por jo nga rëndësia, sa është niveli i pagesës në Epitech?
Për atë që merr në Universitet dhe atë që do të marrësh në jetë është tepër modest. Ne kemi të njëjtin nivel të pagimit të këtyre studimeve unik kudo që ndodhemi. Është detyrë kryesisht e prindërve që të investojnë më së miri për arsimin cilësor të fëmijëve të tyre. Mjafton të përmendim faktin se i gjithë niveli i pagesës i të gjitha viteve të studimit pranë nesh, kthehen prapa që në vitin e parë të punës, duke u akumuluar edhe një fitim brenda saj, por ky nivel pagese ulet për çdo vit, pasi për çdo vit studenti punon pranë partnerëve tanë dhe gjithashtu studion.