Frank Shkreli: Roli i diasporës në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

444
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

15 marsi shënoi 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet amerikano-shqiptare janë aq të vjetra, sa është edhe diaspora shqiptare në Amerikë. Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e Fan Nolit dhe Faik Konicës, atëherë kur diaspora shqiptare në këtë vend, megjithëse e vogël në krahasim me komunitetin e tanishëm shqiptaro-amerikan anë e mbanë Amerikës, mundi të siguronte nëpërmjet Presidentit Woodrow Wilson, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shtetin e ri shqiptar. Atëherë, si edhe një gjysmë shekulli më vonë, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, diaspora shqiptare në Amerikë edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zëvendësueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.

30- vjet më parë, në ceremoninë historike të nënshkrimit të Memorandumit për Rivendosjen e Marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në mars vitit 1991, nënshkruesi i këtij memorandumi nga pala amerikane, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Punët Europiane, Raymond Seitz, ka njohur publikisht rolin e diasporës së vjetër shqiptare në Amerikë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, duke theksuar se megjithëse kishte kaluar një gjysem shekulli që prej kohës kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Amerikën, “këto marrëdhënie midis dy kombeve nuk u harruan kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare”.  Shqipëria ka më shumë nevojë për diasporën, për këtë diasporë, të vjetër e të re, e cila si individë dhe si komunitet, historikisht dhe në periudha të ndryshme gjatë një shekulli dhe jo vetëm në 30-vitet e fundit, ka mbajtur lidhje të forta me Washingtonin zyrtar dhe me përfaqësues të dy partive kryesore në Kongres, gjithmonë duke punuar në interesin e bashkatdhetarëve të vet, kudo në trojet etnike, sidomos në periudha të vështira për kombin shqiptar.

Ish- Kryediplomati amerikan John Kerry, e ka vlerësuar veprimtarinë e diasporave në këtë vend duke u shprehur se ishte tepër krenar për rolin që ka luajtur dhe luan diaspora në Shtetet e Bashkuara dhe ka theksuar zhvillimin e partneritetit publik dhe privat në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtme amerikane. Ai ka vlerësuar rolin e diasporave të ndryshme etnike në Amerikë, duke thënë se, “komunitetet e diasporës janë shpesh herë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqësish natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare dhe politike, ose madje edhe në rast mundësish të reja biznesi”. Në të vërtetë, angazhimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në mbështetje të interesave të shqiptarëve kudo, gjatë 100-viteve të shkuara, mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën ka folur disa vite më parë Kryediplomati amerikan, në një konferencë ne Washington, kushtuar rolit të diasporave në përpilimin e politikës së jashtme amerikane. Është ky një rol, që pa marrë parasysh vlersimin e ish-Kryediplomatit amerikan  dhe ish-përpiluesit kryesor te politikës së jashtme amerikane. Tani diaspora shqiptare duhet të vlerësohet per rolin e saj historik edhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare dhe jo vetëm me rastin e 30-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pasi ky angazhim i diasporës shqiptare në Amerikë, siç dihet ka një histori më të gjatë dhe të suksesshme se këto 30-vjet post-komunizëm. Ka ardhur koha që diaspora shqiptare, e re dhe e vjetër, pa përjashtim  të mos konsiderohet më si një realitet kundërshtarësh të përhershëm, si një luftë klasash që vazhdon midis “nesh dhe atyre” për më shumë dekada. Kombi shqiptar, nëpërmjet përfaqësuesve zyrtar në Tiranë dhe në Prishtinë, ka nevojë të angazhojë më shumë diasporën pa dallime ideolgjike, me qëllim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me vendet mike të shqiptarëve kudo.

Por sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar. Nuk është kurrë vonë as për këtë gjeneratë politikanësh që t’i njohë vlerat, veprimtarinë dhe pasurinë kombëtare që përmban diaspora. Nuk ka asnjë arsye që të presim një brez tjetër shqiptarësh me qëllim që të njihet kontributi i diasporës së vjetër dhe të re në Shtetet e Bashkuara dhe që njëkohësisht të ndërmerren masa zyrtare për angazhimin e tyre të mëtejshëm edhe më të fortë në mbështetje të interesave të shqiptarëve, kudo në trojet e tyre stërgjyshore dhe kudo në botë. Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht se, siç ishte shprehur edhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. John Kerry, disa vite me parë, në një konferencë mbi diasporën në Washington përfaqësuesit e këtyre komuniteteve në këtë vend, “janë ndër ambasadorët më të mire që mund të kemi”. Të kujtojmë pra në këtë 30-vjetor, se në mungesë të zhvillimit të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane, gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar, komuniteti shqiptaro-amerikan, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, luajti  me plot dinjitet rolin e ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington.