“Drejtuesit e Shqipërisë, nuk punuan asnjë ditë për reforma, e as për të t’u kujtuar si drejtues dhe burra shteti. Përkundrazi rrëshqitën pa të keq në monizëm dhe punuan për t’u pasuruar e për të dhunuar ligjet dhe popullin, duke u bërë shëmbëylltyra më e neveritshme e sistemeve me bejlerë, pashallarë, sulltanë dhe diktatorë”
Shkak për këtë shkrim u bë një vizitë pune në Vreshtat e Tuzit dhe në rrethinat e Koplikut të Malsisë së Madhe, ku në një distancë fare të shkurtër, shquhen dy realitete krejtësisht të ndryshme, si dhe biseda e sotme në autobus me një banor të sapo ardhur nga Bazi i Matit, me të cilin kam punuar në vitet 1989-1990 (para 33 viteve).
Në lagjet dhe vreshtat e Tuzit, kudo ka gjallëri, ka rregull, ka puntorë e specialistë, ka vizitorë dhe mjete mekanike, që kryejnë shërbimet teknologjike të stinës. Atje ka projekte, diskutime e debate për prodhimin, për standartet, për ekspotet dhe për inovacionin. Përkundrejtë faktit që në rrethinat e Koplikut, të Shkodrës, të Lezhës, të Kukësit, etj, mbizotërojnë banesat dhe vilat e mbyllura e pa asnjë banorë brenda tyre. Në oborret dhe rrugët e shkretuara ka mbirë bari dhe ferrat, ndërsa në ato pak vreshta, ullishte e pemëtore nuk ka më se kush të punojë, pasi përveçse ndonjë të moshuari dhe invalidi, nuk ka mbetur askush. Pasi kontrollova tre vreshta për infeksionet nga vrugu, hiri, tenja, nekroza dhe virozat e stinës, qëndruam për të pirë një kafe me pronarin e një vreshti, i cili ka investuar këtu që të gjitha kursimet e tija, e që sot po e shef veten të rrënuar e pa asnjë shpresë tjetër, përveçse ikjes, emigrimit. Lotët në sytë e një burri 67 vjeçarë nuk janë thjeshtë e vetëm për banesën, për vreshtin dhe as për token, që tashmë është i detyruar për t’i braktisur, fjalë për fjalë ai më tha: “nuk e kam imagjinuar kurrë që me gjithë këtë pasuri, të mos jam më në gjendje për të mbajtur dy fëmijët e mi në këtë vend të bekuar me liqen, me det e me mal”. E sikur për të larguar lotët dhe ofshamën e tij, sederliu më ftoi afër parmakut të ballkonit të tij, duke më treguar e numëruar 13 vilat përballë banesës së tij, sëbashku edhe me tokat e tyre të mbuluara me bar, e që tashmë nuk ka as kush me e korrë e as konsumue, e ku nuk ka mbetur më as lopë, as dele e as pula. Fjalë për fjalë, e duke ju dridhur buza prej sikletit me thotë që në këto 13 vila, kanë mbetur vetëm dy banorë të vjetër (burrë e grue), nuk ka mbetë kush as me hapur varret e tyre kur të vdesim. E njëjta situatë më ndodhi edhe sot më datën 13 qershor 2023, kur njëri nga kolegët e mi të viteve 1989-1990, nga Bazi i Matit, me tregoi se si djali i tij (inxhinier për fibrat optike), si dhe vajza e tij mësuese, që të dy të mbetur pa punë e pa asnjë derman tjetër, kishin 8 muaj të ikur në Gjermani, e tashmë babai i tyre ishte i detyruar për të marrë banesë me qera, e për të ardhur afër spitaleve.

“Populli po dëbohet, e as të kthehet në popull të kronikës së zezë të korrupsionit, kriminalitetit, varfërisë flukseve të azilkërkuesve.”
Me një humor e dhimbje të thellë, fjalë për fjalë me thotë: “Që të gjithë kanë ikur, e më beso që kam 8 ditë, që përveçse plakës time, në rrugë e as në parcela nuk kam takuar njeri të gjallë, kanë mbyllur derën e kanë ikur. Edhe shkolla që para 10 vitesh kishte 450 nxënës e ndërtuar me fondet e BE, tani ka vetëm 14 nxënës”. Ku është realiteti, e ku është propaganda, sofizmi, fiktiviteti e korrupsioni?. Unë jam i sigurtë në faktin që toka, nëntoka dhe klima e Shqipërisë, nuk është aspak më e varfër e as më e keqe nga toka dhe klima e Malit të Zi, e Kroacisë, e Greqisë, e Maqedonisë, etj. Përkundrazi, bilanci i faktorëve natyrorë, më dëshmon se klima dhe natyra shqiptare, siguron apo prodhon mirëqënie e zhvillim jo për 2 miljon banorë që kemi ngelur, por për pesfishin e tyre. E që populli nuk ka arsye që të dëbohet, e as të kthehet në popull të kronikës së zezë të korrupsionit, kriminalitetit, varfërisë flukseve të azilkërkuesve.
Sikurse pritej e dihej, edhe filozofia dhe propaganda e zëvendësimit të popullsisë, apo të krahut të punës, apo të punonjësve të administratës me bangladeshas, sirianë, pakistanezë, senegalezë, gjamajkanë, etj, nuk funksionoi, pasi Shqipëria ekstremisht e dhunuar, e vjedhur dhe varfëruar nga hajdutët dhe militantët e monizmit, nuk është as si Britania, as si Gjermania, etj, të njohura si vende me shtet dhe shpresë për krahun e punës dhe specialistët, që vijnë nga vendet e tjera.
Pavarësisht nga sa propagandohet e flitet me shumicë, kjo situatë dëshpëruese, mund të shikohet e preket kudo në hapësirën shqiptare përkundrejtë faktit që Shqipëria na propagandohet si një vend i sigurtë, e me nevoja të mëdha për specialistë e për krahun e punës nga vendet e tjera. Ama në këtë mjegullnajë propagandistike e korruptive, ekziston edhe një mënyrë botërore e hyjnore për ta zbuluar të gjithë atë sofizmin dhe fiktivitetin e qeverisjeve moniste e degraduese. Thjeshtë është një ftesë e sinqertë për të gjitha ambasadat e akredituara në Republikën e Shqipërisë, si dhe për presidentin, kryeministrin, ministrat, zyrtarët dhe drejtuesit e mediave dhe institucioneve të këtij vendi, që të hapin pakëz dritarën e debatit dhe verifikimit të situatës dhe jetës në terren, me qëllim vërtetimin e dy fakteve bazike të ekzistencës tonë shtetërore e kombëtare. Së pari, le ta vërtetojmë në sy të njerëzve dhe të botës së qytetëruar faktin se në çfarë niveli real i kemi katër siguritë bazike, sikurse janë: siguria fizike, siguria juridike, siguria ushqimore dhe siguria mjedisore. E vetëm pas kësaj mund të flasim edhe për sigurinë dhe shkaqet reale të shpopullimit, shkaqe që turpërojnë në jetë të jetëve shtetin dhe qeverisjen moniste, e në mënyrë të veçantë aktorët e këtij dëbimi selektiv të shqiptarëve nga vatrat e tyre. Unë e shof si një plagë e dëbim të neveritshëm, e që po realizohet përmes ngjyrimeve politike, krahinore, papunësisë absurde dhe mizerjes ekonomike të shkaktuar nga korrupsioni. Në këtë katrahurë shtetërore e politike, mendoj që askush nuk duhet të gëzohet nga paratë dhe pronat e vjedhura apo të pushtuara përmes karriges së pushtetit. Përkundrazi, prona e vjedhur me fermanë e me hilet e njohura të pushtetit, është haram, e nuk mund ta gëzojë askush. Së dyti, le të shohim pak edhe mënyrën se si refugjatët sirianë, pakistanezë, bangladeshas, etj, që ikin nga pasiguria dhe mënxyra, që sundon në vendet e tyre, nuk ka asnjë shans që ata të fusin kokën përsëri nën një pasiguri e mënxyrë tjetër tipike orientale, degraduese e sfilitëse. Për të gjithë ata që kalojnë kohën duke kopsitur dosjet e korrupsionit e duke vjedhur investimet dhe projektet, që nuk shkuan kurrë tek reformat dhe as tek zhvillimi i vendit, do të ju lutesha që sa më parë të ndalen e të kuptojnë dëmin e jashtëzakonshëm e të parikuperueshëm që i kanë shkaktuar e po i shkaktojnë Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. Për këtë që po bëjnë, nuk besoj që mund të ketë shpellë e as planet ku të mund të fshihen, pasi edhe në mos u bëftë kurrë drejtësi njerëzore, e sigurtë që ka e do të ketë drejtësi hyjnore.
“Madje edhe filozofia dhe propaganda e zëvendësimit të popullsisë, apo të krahut të punës, me bangladeshas, sirianë, pakistanezë, etj, nuk funksionoi, pasi Shqipëria ekstremisht e dhunuar, e vjedhur dhe varfëruar nga hajdutët dhe militantët e monizmit, nuk është as si Britania, as si Gjermania, etj, të njohura si vende me shtet dhe shpresë për krahun e punës dhe specialistët, që vijnë nga vendet e tjera.”

Në këtë atmosferë të rrënimit dhe shpopullimit real të vendit, shtrohet pyetja se nga po na dalin njerëzit që në letra duket që votojnë çdo katër vjet për zgjatjen e monizmit dhe mekanizmit të varfërisë, hajnisë, shpopullimit dhe përçarjes sonë kombëtare? Shtrohet edhe pyetja tjetër, a mos vallë familjet nacionaliste e antikomuniste të larguara me kohë nga Shqipëria, apo ish specialistët dhe intelektualët më të mirë që u shkarkuan nga puna në vitet 2013-2015, e që u zëvendësuan me militantë mediokër, janë kthyer dhe kanë votuar për dhunuesit e popullit dhe të vendit të tyre? Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë, sikurse është i vërtetë fakti, sipas të cilit, ndonëse si rastësi në dukje, në Shqipërinë e këtyre 10 viteve ka ndodhur e po ndodh shpopullimi më vulgar e katastrofikë për Shqipërinë dhe shtetin shqiptarë. Me një vështrim pak të kujdesshëm, mëson apo dallon se si në mënyrë selektive, janë sulmuar, menjanuar e dëbuar të gjithë ata që reagojnë dhe që flasin kundër korrupsionit dhe jetëgjatësisë së diktaturës moniste. Për të gjithë ata banorë dhe intelektualë, që nuk vjedhin e abuzojnë me pasurinë publike dhe as me fondet e BE, të SHBA, etj, për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga kuadri degradues i sjelljes dhe mendimit monist, duket që nuk ka as vende pune, as projekte zhvillimi, as kthim të pronave, as drejtësi pa korrupsionin, as regjistrim të pronës, e asnjë të drejtë tjetër jetësore, përveçse për të marrë ajër e për të pirë ujë. Kjo deri në momentin që njerëzit të detyrohen për të emigruar me gomone apo me autobuza drejt Britanisë dhe vendeve të BE. Në këtë panoramë, pjesa më uluritëse është ajo përcjellja dhe lenja e fëmive te vegjël shqiptarë përpara komisarjateve të policisë së vendeve të BE, dhe kthimi i prindërve për të vdekur në vetmi e varfëri të pashoqe. E në të shumtën e rasteve, edhe duke u bërë skllevër dhe viktima të manipulimit dhe shitjes së shpirtit dhe votës në çdo katër vjet, e kështu duke votuar për dhunuesit e jetës, për vjedhësit e pasurisë dhe për dëbuesit e fëmive të tyre.

Në këtë kontekst, kujtoj faktin që sundimi i gjatë anadollak pesë shekullor në Shqipëri, duket sikur e ka mbjellur thellë përçarjen, nënshtrimin dhe mungesën e reagimit shoqërorë e politikë. E ka mbjellur aq thellë saqë Shqipëria, duket sikur nuk u reformua kurrë si shtet e as si shoqëri, sikurse u reformua Turqia nga Ataturku, por edhe ato vendet e tjera ish koloni të perandorisë osmane nga politika e tyre kombëtare. Tek shqiptarët, ndryshe nga vendet e popujt e tjerë, duket sikur është mbjellur ajo besnikëria dhe dashuria e madhe për diktaturat dhe diktatorët. Si askush tjetër po shfaqemi para botës si një popull që nuk jetojmë dot pa monizmin dhe dhunimin e zgjedhjeve demokratike, e as pa orientalizmat dhe sundimtarët orientalë. Është turpëruese dhe shkurajuese kjo histori dhe situatë e krijuar në politikën dhe shoqërinë shqiptare, ku sikurse e vëren edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, drejtuesit gjithnjë po i mbërthen deliri i madhështisë dhe dëshira e marrë për të qëndruar gjatë në pushtet, me çdo mjet e me çdo çmim. Drejtuesit tonë shoqërorë e politikë të këtyre 111 vjetëve, e sidomos të këtyre 33 vjetëve të fundit, në kontekstin historik e shoqëror nuk janë asgjë më tepër se përbindëshat dhe gazi i botës së një periudhe historike të humbur duke rendur pas modeleve të tejkaluara anadollake e komuniste. Drejtuesit shtetërorë e politikë të Shqipërisë, nuk punuan asnjë ditë për reforma, e as për të t’u kujtuar si drejtues dhe burra shteti. Përkundrazi rrëshqitën pa të keq në monizëm dhe punuan për t’u pasuruar e për të dhunuar ligjet dhe popullin, duke u bërë shëmbëylltyra më e neveritshme e sistemeve me bejlerë, pashallarë, sulltanë dhe diktatorë. Por jo sikurse ka sot nevojë Shqipëria, për një sistem demokratik, që të garantojë sa më parë qarkullim të projekteve dhe elitave shoqërore e politike, në shërbim të kombit dhe të shtetit të pavarur shqiptarë. Në këtë dëbim selektiv e politik të popullsisë shqiptare, ajo që po shkakton dëmin më të madh është heshtja dhe mungesa e pakuptimtë e reagimit, duke e degraduar shtetin dhe ekonominë e vendit në shërbim të një administrate të korruptuar e mbi 300% të fryrë. Bashkë edhe me investimet, donacionet, pronat dhe projektet, që përmes prokurimeve dhe dosjeve fiktive, shkojnë për të pasuruar drejtuesit e lartë të politikës dhe tarafin e tyre nepotikë. Populli thotë që: “nuk hyn minarja në thes”. Në këtë kontekst, pronat dhe pasuria përrallore e drejtuesve të politikës dhe shtetit monist nuk mund të fshihen, sepse ato dihen dhe përgojohen nga të gjithë. Të vetmit që mund të bëjnë sikur nuk i dinë, e sikur nuk i shofin janë organet ligjzbatuese, që për shkak të politikës së korruptuar, lindin të vdekura, e në shërbim të abuzivizmit dhe të shkretimit demografikë e pasurorë të Shqipërisë. Në këto kushte, shërbimi më i madh, që secili shqiptarë mund të bëjë për familjën, për popullin dhe për shtetin, është zgjimi dhe reagimi seriozë ndaj korrupsionit dhe dëbimit politikë dhe selektiv të elitës dhe të popullsisë shqiptare. Britania e Madhe, SHBA, Vatikani dhe të gjitha vendet e BE, le të bëhen më të vëmendshëm, thjeshtë e vetëm për të parë pak më thellë. Për të vështruar e zbuluar poshtë asaj llustres sofiste e propagandistike tipike moniste, ku gjallëron dhuna, frika, korrupsioni, hajdutëria, varfëria, por edhe mashtrimi për reformat dhe politikat sociale, që pavarësisht nga fondet e akorduara e të vjedhura, në Shqipëri nuk bënë kurrë. Për pasojë, as frutet e demokracisë dhe zhvillimit të mirëfilltë shoqërorë e politikë, nuk u lanë kurrë që të piqen e as të konsumohen. Reagimi është respekt dhe shpëtim për Shqipërinë, është shërim për shpopullimin, sikurse heshtja e nënshtrimi vetëm sa na ka turpëruar, e do të na turpërojë në jetë të jetëve.




















