Çfarë mendojnë institucionet kryesore, si BE-ja dhe SHBA-ja dhe media të rëndësishme, si ato amerikane, gjermane, franceze, austriake, zvicerane, e tjerë, për korrupsionin e pandëshkuar në Shqipëri, për lidhjet e pandëshkuara të krimit, me qeverinë shqiptare, për trafikantët që vazhdojnë të bashkëpunojnë me qeveritarë në Shqipëri; si dhe të gjithë arsyet përse Shqipëria ende është jashtë BE-së!
Prof. Dr. Kastriot Islami, ish kryetar i Parlamentit dhe ish minsitër i Jashtëm
“Reforma në Drejtësi ishte dhe është e nevojshme”, të gjithë kanë qenë dhe janë dakord me këtë deklarim! “Reforma është e vështirë”, edhe këtë shqiptarët e kanë ditur më mirë se kushdo tjetër që nga fillimi, se të këqiat e saj i kanë pasur mbi kurriz! Por shqiptarët nuk janë dakord që Edi Rama përmes kësaj reforme, të vendosë kontrollin politik e personal mbi institucionet e drejtësisë. Perceptimi i përgjithshëm, i konfirmuar edhe nga sondazhe të “ndërkombëtarëve”, është se “shqiptarët nuk kanë besim te mënyra sesi është zhvilluar “vetting-u” dhe nga rezultatet e tij…” Natyrisht, duke “fajësuar” kryesisht e përgjithësisht Edi Ramën, por edhe disa ndërkombëtarë, prezentë në Shqipëri e të angazhuar drejtëpërdrejtë në këtë reformë, që e kanë lejuar Ramën të vendosë nën kontroll procesin e “vetting-ut” të gjyqtarëve, dhe herët a vonë, edhe mbi institucionet kryesore të drejtësisë! Mund të mos jetë e vërteta e tillë, por perceptimi i mbi 63 përqind të shqiptarëve, është i tillë dhe sa më shumë deklarata bëhen nga Rama, apo ndërkombëtarët e “implikuar”, aq më shumë shqiptarët binden se perceptimi i tyre është i saktë. Për më tepër, që këtë perceptim të tyre e kanë ushqyer dhe përforcuar deklaratat jo të opozitës shqiptare, por të disa senatorëve republikanë amerikanë të rëndësishëm dhe dokumentat e publikuara nga një OJF amerikane pranë Trump, që bën beteja kundër korrupsionit në SHBA dhe jashtë saj; deklarata që kanë qenë të fokusuara në dy drejtime: i) paratë e taksapaguesve amerikanë janë keqpëdorur për të sjellë e mbajtur Edi Ramën në pushtet; dhe ii) Reforma në Drejtësi është konceptuar në mënyrë të tillë që Rama, të vendosë drejtësinë nën kontrollin e tij e politik, dhe ta përdorë atë më tej, për “gjueti shtrigash” kundër kundërshtarëve politikë në mënyrë që të përjetësojë pushtetin e tij politik!
Pyetje që mundojnë shumicën e shqiptarëve…
Si është konceptuar reforma? Si po aplikohet reforma? A po tentohet që drejtësia të vihet nën kontroll politik? A është sistemi i ri i drejtësisë i pavarur politisht, apo më saktë, a e ka vendosur Rama atë nën kontroll? A kanë mundur ndërkombëtarët, siç kishin shpresë shqiptarët, të pengonin Ramën ta vinte drejtësinë e re nën kontroll politik? Përse vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, e tjerë. Përse SPAK-u dhe mekanizmat e rinj të drejtësisë nuk po ndëshkojnë ende korrupsionin qeveritar dhe lidhjet e qeverisë me krimin e trafiqet? Përse? Përse? Këto janë pyetjet kryesore që mundojnë pjesën më të madhe të shqiptarëve…
Shqiptarët duan të dëgjojnë më konkretisht përse “reforma nuk është perfekte”
Deklarata se “reforma nuk është perfekte” është e saktë, por jo e plotë për shumicën e shqiptarëve dhe për më tepër nuk i bie të keqes në kokë! Ata kanë bindjen se kjo “deklaratë” e saktë bazohet në disa përfundime që të çojnë tek “dështimi’ i Reformës në Drejtësi, që lidhet kryesisht me vendosjen e drejtësisë së reformuar nën kontrollin politik e personal të Ramës…Por e thënë pa konkretizime e referenca të plota, duket sikur nuk përcakton përse “ajo nuk është perfekte”, pra nuk tregon qartësisht se kush po tenton ta vendosë sistemin e drejtësisë nën kontroll, përmes kësaj reforme. Këtë presin të dëgjojnë shumica e shqiptarëve, pikërisht këtë! Dhe të dëgjojnë, sesi i hiqen Ramës “duart e thonjtë”, me të cilat mund të ketë kapur prej fyti Gjyqësorin e reformuar…Aq më tepër, që globalizmi i informacioneve, (interneti), i ka dhënë mundësi edhe shqiptarëve të dëgjojnë se çfarë mendojnë institucionet kryesore, si BE-ja dhe vendimmarrës të rëndësishëm globalë në SHBA e gjetiu, apo media të rëndësishme me impakt planetar, të tilla si ato amerikane, gjermane, franceze, austriake, zvicerane, e tjerë, për korrupsionin e pandëshkuar në Shqipëri, për lidhjet e pandëshkuara të krimit me qeverinë shqiptare, për trafikantët që vazhdojnë bashkëpunojnë me qeveritarë në Shqipëri; si dhe të gjithë arsyet, përse Shqipëria ende është jashtë BE-së…! Këto të gjitha shqiptarët e varfër i dëgjojnë me shumë vëmendje duke krijuar edhe perceptimet e tyre.
Disa ndërkombëtarë po jua kthejnë shqiptarëve perceptimet në bindje se “reforma ka dështuar…”
Ndonëse të varfër në ekstrem, zor se mund të gjenden qytetarë naivë në Shqipëri, pra që të mos kuptojnë se çfarë po ndodh realisht me këtë reformë në Shqipëri, për më tepër që me veshët hapur ata dëgjojnë herë pas here se çfarë mendojnë e deklarojnë, qoftë edhe me një “gjuhë të drunjtë” ndërkombëtarët e Tiranës, për këtë reformë. Çdo insistim për t’i ndryshuar perceptimin që ata kanë krijuar vetë përmes shqetësimeve, që kanë vuajtur sa herë përplasen me sistemin e drejtësisë dhe çfarë dëgjojnë nga të gjithë anët, se si “peshqit e mëdhenj” nuk dënohen, veçse ua transformon këto perceptime në bindje. Për më tepër, që këto tentativa në rastin më të mire, ju duken se bëhen për të maskuar problemet me reformën dhe në rastin më të keq, për të mbështetur Ramën në tentativat e tij për të vënë tinëzisht e diabolikisht sistemin e drejtësisë nën kontroll, siç edhe ai vetë deklaron, apo le të kuptohet! Disa senatorë amerikanë; senatorë republikanë shumë të rëndësishëm, madje të afërt me Presidentin Trump, ishin shprehur se: “paratë e taksapaguesve amerikanë ishin përdorur nga ndonjë organizatë e shoqërisë civile amerikane, për të sjellë Ramën në pushtet dhe për t’i dhënë atij kontrollin e drejtësisë, që ai të kishte mundësi t’a përdorte drejtësinë, për “gjueti shtrigash”, kundër opozitës dhe kundërshtarëve politikë.”
Çfarë realisht presin shqiptarët nga Reforma në Drejtësi?
Shqiptarët duan një sistem drejtësie të barabartë për të gjithë. Të pakorruptuar dhe professional, por mbi të gjitha, duan që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur nga politika, apo më saktë nga qeveria, por edhe të mos jetë i kapur nga Edi Rama, që po përpiqet të keqpërdorë “Reformën e Drejtësisë” për të kapur gjyqsorin në mënyrë që t’i shpëtojë ndëshkimit dhe ta përdorë atë për “gjueti shtrigash” kundër opozitarëve, në funksion të forcimit të pushtetit të tij personal. Askush nga qytetarët, që deklaron se reforma nuk është në udhë të mbarë, apo që ajo ka dështuar dhe se institucionet e drejtësisë, po vihen nën kontroll nga Rama, nuk është as antishqiptar, as antimerikan, as antieuropian dhe mbi të gjitha, nuk është antireformë. Përkundrazi, kush bën sikur nuk i sheh të gjithë këto probleme, është në favor të vendosjes së drejtësisë nën kontrollin politik e personal të Ramës përmes Reformës së Drejtësisë…
Rama për të vënë nën kontroll Gjyqësorin ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Parlamentin…
Jo vetëm disa, apo pak shqiptarë racionalë kanë dyshime të mëdha për suksesin e Reformës në Drejtësi! Faktet janë zhgënjyese: i) vendi pa Gjykatë Kushtetuese i ka dhënë mundësi Ramës të qeverisë pa asnjë kontroll, si as në ndonjë vend tjetër autoritar e diktatorial; ii) vendi pa Gjykatë të Lartë, i ka lënë shqiptarët pa mundësi për të fituar sado pak, nga drejtësia e deformuar; iii) zaptimi i të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë nga familjarë dhe të afërm të Rilindjes ka penguar dhënin e drejtësisë për çështjet më të debatueshme. E tjerë e tjerë, pa fund!
Rama sulmon ata që sjellin fakte për vënien nën kontroll politik të drejtësisë
Edhe ato pak vetë që marrin guximin të ngrenë dyshime të arsyeshme për suksesin e Reformës në Drejtësi, stigmatizohen nga Rama dhe “manekinët” e tij, si “antireformë” dhe banda e tij mediatike, e paguar me paratë e korrupsionit, të krimit dhe të trafiqeve, iu sulet, duke i etiketuar si “antiamerikanë” e “antieuropianë”! Qytetarët shqiptarë, ndonëse nuk kanë shumë besim, mezi presin që institucionet e reja të drejtësisë të fillojnë të funksionojnë dhe të japin drejtësi për hallet e shqetësimet e tyre, por edhe për problemet madhore të vendit që lidhen me aferat korruptive qeveritare, lidhjet e qeverisë me krimin dhe pastrimin e parave të pista. Mezi presin një sistem drejtësie, që nuk kontrollohet nga qeveria dhe Edi Rama, sepse opozita nuk ka asnjë shans, as të pengojë, dhe as të mund të kontrollojë institucionet e reja të drejtësisë. Shqiptarët kanë ende pak besim, se ndërkombëtarët do të japin kontributin e tyre për suksesin e reformës, ndonëse prej disa kohësh përshtypjet e tyre kanë ndryshuar?! Njerëz pranë Ramës, deklarojnë vazhdimisht se nuk do të ketë asnjë ndëshkim të korrupsionit qeveritar, apo të lidhjeve me krimin e trafiqet, apo të blerjes së votes, sepse Rama prej kohësh kujdeset vetë dhe ka nën kontroll institucionet e reja të drejtësisë me mbështetjen edhe të gjithë miqve të tij në Tiranë e gjetiu…
Senatorë amerikanë sjellin fakte për synimet e mbrapshta të Reformës në Drejtësi
Shqiptarët kanë aktualisht përshtypje të turbullta për suksesin e Reformës në Drejtësi, për të mos thënë janë më shumë të shqetësuar nga dështimi i saj. Shqiptarët fillimisht ndiheshin realitivisht mirë dhe optimistë nga deklaratat amerikane për objektivat e reformës. Por kjo situatë nuk zgjati shumë, sepse ndërkohë që reforma avanconte, qytetarët shqiptarë nisën të turbulloheshin….Realiteti dhe të gjithë indikacionet provuan më vonë shqetësimin e tyre: Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë si dhe qëndrimet që do të vinin nga disa senatorë republikanë amerikanë, pranë administratës Trump, apo agjensi serioze që bashkëpunojnë ngushtësisht me administratën aktuale, do të përbënin për ta “fakte/prova” të pakundërshtueshme që do të rezononin me perceptimin e tyre…Madje, ata krijuan bindjen se situata e drejtësisë do të mund të përkeqësohej në të ardhmen, duke goditur rëndë demokracinë e pluralizmin, sepse për ta, çdo ditë bëhej edhe më e qartë se sistemin e drejtësisë së reformuar filloi ta vendoste nën kontroll Rama për të shmangur ndëshkueshmërinë e korrupsionit qeveritar dhe të lidhjeve të krimit e të trafiqeve, me qeverisjen e tij…!! Dhe ky tashmë është fakt për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë! Kjo është e vërteta, ndonëse në shumë raste, e thënë me zë të ulët e të ndrojtur! Qytetarët shqiptarë para disa kohësh kuptuan, po ashtu se perceptimi i tyre për defektet e mëdha të reformës nuk ishte i pabazë, vecanërisht kur mësuan se disa senatorë amerikanë; senatorë republikanë shumë të rëndësishëm, madje të afërt me Presidentin Trump, ishin shprehur se “paratë e taksapaguesve amerikanë ishin përdorur nga ndonjë organizatë e shoqërisë civile amerikane për të sjellë Ramën në pushtet dhe për t’i dhënë atij kontrollin e drejtësisë, që ai të kishte mundësi ta përdorte drejtësinë për “gjueti shtrigash”, kundër opozitës dhe kundërshtarëve politikë…???!!!…” Ky qëndrim nuk ishte sajesë, as e politikës shqiptare, dhe as produkt i lobimit të majmë të opozitës me “paratë ruse”, dhe as produkt i intrigave mes politikanëve shqiptarë… por qëndrim me origjinë nga SHBA-ja, dhe më saktë nga senatorë republikanë amerikanë (https://nypost.com/2017/04/07/ëhy-the-trump-state-department-still-loves-george-soros/). Ky do të ishte sinjali i parë për qytetarët shqiptarë!
OJF-ja amerikane JW-i, sqaron shqiptarët synimet e mbrapshta të Reformës në Drejtësi
Më vonë qytetarët shqiptarë, ndërkohë që dëgjonin nga disa përfaqsues të rëndësishëm të ambasadave në Tiranë, se Reforma në Drejtësi po avanconte me sukses dhe se shumë shpejt “peshqit e mëdhenj të politikës”, do të binin në rrjetën e institucioneve të reformuara të drejtësisë, mësuan nga agjensia konservatore Judicial Watch, (një agjensi serioze shumë pranë Presidentit Trump), se bazuar në letrën e senatorëve republikanë, ishte përgatitur një material prej 32 faqesh, që i ishte dërguar rradhazi dy ministrave të jashtëm të SHBA-së, Tillerson dhe Pompeo, ku jepeshin të dhëna për “rolin e këtyre organizatave të shoqërisë civile për konceptimin dhe realizimin e reformës në drejtësi në mbështetje të synimeve të Ramës.” (https://ëëë.judicialëatch.org/press-releases/judicial-ëatch-doj-records-shoë-obama-administration-helped-fund-george-soros-left-ëing-political-activities-albania/). Ky do të ishte sinjali i dytë për shqiptarët! Shqiptarët nuk janë dakord që Edi Rama, përmes kësaj reforme, të vendosë kontrollin politik e personal mbi institucionet e drejtësisë. Perceptimi i përgjithshëm, i konformuar edhe nga sondazhe të “ndërkombëtarëve”, është se “shqiptarët nuk kanë besim te mënyra sesi është zhvilluar “vetting-u” dhe nga rezultatet e tij…”
Edhe Soros ka evidentuar përmes sondazheve dështimin e vetting-ut në Shqipëri…
Më vonë, zyrtarë të rrjetit të Sorosit që veprojnë në Shqipëri, pasi kishin vënë re se publiku shqiptar po ndërgjegjësohej për dështimin e Reformës në Drejtësi, dhe për këtë ata bënin përgjegjës, “ekspertët besnikë të Ramës”, të angazhuar me Reformën në Drejtësi dhe të paguar nga Soros, organizuan një sondazh, i cili zbuloi të vërtetën e hidhur: “Publiku shqiptar në shumicë, mbi 63 përqind, nuk ka aspak besim te procesi i vetting-ut”! Thënë ndryshe, shqiptarët mendonin se Rama, kishte kontrolluar procesin e vetting-ut dhe për rrjedhojë, ai do të mund të kontrollonte më vonë, përmes njerëzve të tij të besuar e tashmë të vetuar, të gjithë pikat kyçe të sistemit të drejtësisë. (https://lapsi.al/2019/04/08/sonadazhi-63-nuk-besojne-te-vettingu-cloje-po-luan-soros/)….Ky ishte një sinjal i tretë për shqiptarët!
Si përfundim: Shqiptarët janë të ndërgjegjësuar për lojën e Ramës me Reformën në Drejtësi
Njerëz pranë Ramës deklarojnë vazhdimisht se nuk do të ketë asnjë ndëshkim të korrupsionit qeveritar, apo të lidhjeve me krimin e trafiqet, apo të blerjes së votës, sepse Rama prej kohësh kujdeset vetë dhe ka nën kontroll institucionet e reja të drejtësisë, me mbështetjen edhe të gjithë miqve të tij në Tiranë e gjetiu.
Ndërgjegjësimi i shqiptarëve për vënien e drejtësisë së re nën kontrollin personal të Ramës ka ardhur nga përballja e përditshme me gjyqësorin, por kryesisht edhe nga mesazhet që kanë arritur në veshin e tyre nga senatorë e OJF-ë amerikane. Për më tepër që aktorët vendas, apo politikanët shqiptarë, janë akuzuar vazhdimisht nga Rama si “antireformë”, thjesht nga frika e ndëshkimit. Apo janë etiketuar si “antiamerikanë” nga media pro Ramës, e paguar me paratë e korrupsionit e të krimit.
Pavarësisht këtyre presioneve, shumica e shqiptarëve kanë krijuar tashmë bindjen e plotë se Rama e ka vënë nën kontroll personal sistemin e reformuar të drejtësisë. Ky perceptim do të mund të ndryshojë vetëm nëse ata do të shohin ndëshkimin e rasteve evidente të korrupsionit dhe të lidhjeve të qeverisë Rama, me krimin e organizuar e trafiqet.
Përditë, shumë intelektualë të shqetësuar për të ardhmen e vendit e të familjeve të tyre, që janë edhe shqiptarë të mire, por edhe proamerikanë e proeuropianë të vendosur, ngrenë shqetësimin e kontrollit politik të gjyqsorit të reformuar nga Rama…Sado të tentohet t’ju mbyllet goja atyre pak vetave që artikulojnë shqetësimin për dështimet e faktuara të Reformës në Drejtësi, do të jetë e pamundur që e vërteta që perceptojnë shqiptarët të deformohet.
Tentativat e Ramës për t’a vrarë perceptimin e shqiptarëve për dështimin e Reformës në Drejtësi, apo për “t’i mbushur mendjen ndonjë ambasadori”, përmes mashtrimeve për të kundërtën, veçse e forcojnë këtë të vërtetë dhe e transformojnë perceptimin në bindje të palëkundur.
Në rezonancë me shqetësimet e senatorëve amerikane pranë Trump, por edhe të OJF-ve serioze amerikane, e nga sondazhet që vetë Fondacioni “Soros”, ka bërë nga reagimet qytetare, rezulton se perceptimi i shqiptarëve është: Reforma në Drejtësi, fatëkeqësisht s’ka qenë e suksesshme, sepse ka pasur objektiv të dyshimtë! Qytetarët shqiptarë, për këtë dështim, bëjnë kryesisht përgjegjës Ramën, për vënien nën kontroll të drejtësisë, por fatkeqësisht, kanë filluar të humbasin besimin edhe tek roli i faktorit ndërkombëtar.
Megjithatë, shqiptarët presin me padurim e shpresë, edhe për pak kohë, rolin amerikan e europian, që përmes veprimeve energjike, të venë në lëvizje SPAK-un, në mënyrë që të mund të shohin ndëshkime të fuqishme, për disa raste evidente aferash korruptive e të lidhjeve të qeverisë me krimin e trafiqet! Këto raste janë shumë, ndërkohë që Rama përpiqet përmes ndryshimeve në Kodin Penal, të mos i lejojë këto dosje të shkojnë në duart e SPAK-ut; kjo është shumë e rëndë dhe “ndërkombëtarët” e Tiranës, jo vetëm nuk duhet të mbyllin sytë, apo të heshtin, por të reagojnë fuqimisht! Përndryshe imazhi i tyre do të venitet !




















