Prof. Dr. Jordan Daci: Mini-Shengeni është jashtë kuadrit ligjor, sepse kërkon plotfuqishmërinë nga Presidenti i Republikës

575
Sigal

Jordan Daci: MiniShengeni kërkon plotfuqishmërinë nga Presidenti i Republikës

Mini schengeni Balkanik është dhe do mbetet vetëm retorikë e kësaj klase politikanësh që janë të interesuar vetëm për pushtetin e tyre. Gjithçka që po ndodh është jashtë kuadrit ligjor, pasi edhe zhvillimi i bisedimeve për një traktat të tillë ndërkombëtar,  kërkon se s’bën autorizimin, ose plotfuqishmërinë që lëshohet nga Presidenti i Republikës, pasi traktati në fjalë do duhet të lidhet në parim në emër të Republikës së Shqipërisë  dhe që një plotfuqishmëri e tillë nuk është lëshuar ndonjëherë. Së dyti, në përputhje me nenin 122 dhe 131 të Kushtetutës çdo traktat i tillë do duhet të ratifikohet, por pasi të jetë shqyrtuar më parë nga Gjykata Kushtetuese, e cila as nuk ekziston dhe as nuk do jetë edhe për një kohë të gjatë. Pra gjithçka që i bashkon diktatorët e Ballkanit është nevoja për të larguar vëmendjen nga problemet e ditës dhe përgatitja e publikut me idenë më shumë sesa realizimi i saj, kjo pasi realizimi nuk është i mundur dhe kjo klasë tradhëtare nuk do ta ketë mundësinë ta çoj deri në fund këtë gjë. Për më tepër që gjithçka që ka ndodhur është e paligjshme dhe e pavlefshme në kuptim të Konventës së Vjenës për të Drejten e Traktateve dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pa Kosovën s’ka Shqipëri dhe pa Shqipëri s’ka Kosovë!

Të gjithë së bashku të largojmë këta politikanë mashtrues dhe tradhëtarë nga pushtetit dhe t’ia kthejmë pushtetin sovranit që të punojë për mirëqënien dhe interesat e shqiptare dhe për paqe dhe bashkëpunim të drejtë me fqinjët tanë. Fqinjët janë dhe do mbeten fqinjët tonë, ne duhet të gjejmë gjuhën e bashkëpunimit të sinqertë midis popujve dhe jo midis politikanëve të korruptuar dhe diktatorë! Ftoj gazetarët që t’i bëjnë pyetje kryeministrit, nëse e ka respektuar detyrimin ligjor për autorizim, ose plotfuqishmëri për të zhvilluar bisedime për një traktat që do lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë dhe që duhet të ratifikohet sipas kërkesave të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikësn e  Shqipërisë”.