Prof. Dr. Jamarbër Malltezi: Rama dhe Ahmetaj përgjegjës për vjedhjen e 400 milionë euro

239
Sigal

Rama dhe Ahmetaj përgjegjës për vjedhjen e 400 milionë euro. 9 procedura brenda ditës nuk i bën asnjë zyrtar pa urdhërin e kryeministrit. Brenda dy javësh merr  30 mln euro nga shteti dhe ja kalon për ndërtim firmës italiane për 15 mln. euro, pa blerë as 1 fshes dhe kosh.

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi, shef i Departamentit të Mjedisit të PD-së

9 procedura brenda ditës nuk i bën asnjë zyrtar , sado i korruptuar qoftë, përveç  atyre që urdhërohen  brenda  ditës nga Rama

Rama është përgjegjësi kryesor i vjedhjes së 400 milionë euro me inceneratorët

Gazeta Telegraf

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi, shef i Departamentit të Mjedisit të PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se skandali i inceneratorëve, nuk është shkelje e procedurave, siç përpiqet ta nënvlerësojë kryeministri Rama, por është vjedhja e shekullit për Shqipërinë. Prof. Malltezi, gjithashtu, shpjegon se kryeministri Rama mban përgjegjësi të plotë, edhe pse nuk firmos VKM dhe PPP dhe SPAK-u ndodhet përpara përgjgjësisë, nuk mund të heshtë sot, nga presioni i kryeministrit Rama.

-Prof. Malltezi, kryeministrit Rama, duke dashur të hedhë poshtë akuzat që ju i keni adresuar, tha, se ka “fshirë” malet e plehrave, që la qeverisja e PD-së nga Tirana, Elbasani, e Fieri, prandaj, nuk mund të japë llogari paskëtaj, për kostot e inceneratorëve. Cila logjikë, apo cili ligj mund të përligjë këtë përgjigje të kryeministrit Rama, që kostot nuk kanë vlerë, derisa “zhdukëm” plehrat me inceneratorët?

– Rama është kapur në vjedhje. Jo një vjedhje ordinere, por vjedhje masive, që nuk ka shqiptar e socialist që e kapërdin dot. Si çdo hajdut, përpiqet të shpëtojë, duke kërkuar që mos shihet vjedhja, pra të shpërqëdrohet vëmendja në çdo gjë tjetër, veç tek vjedhja jo. Justifikimet foshnjarake të Ramës çalojnë në çdo plan të mundshëm. Së pari, nëse nuk kanë rëndësi kostot dhe procedurat, atëhere pse të kemi ligje, shtet ligjor apo gjykata? Pse duhen ligjet për prokurimet publike, nëse nuk paskan rëndësi? Mos duhet t’i themi faleminderit hajdutit, që nuk kërkoi qindra milione të tjera për një kaldajë të pacertifikuar dhe të pakërkuar, për të cilën po merr qindra milionë euro? SPAK po ndjek penalisht (dhe shumë mirë po bën) një rryshfet 0.13 milionë euro nga një tender i dyshimtë i OSHEE-së dhe nuk qenka problem, kur vidhen 400 milionë euro? Nga ana tjetër, malet me plehra nuk u krijuan nga PD, por nga kryetarët e papërgjegjshëm për të mos thënë hajdutë, të bashkive të emëruar nga vetë Rama, se të gjitha këto qytete që thotë Rama, kanë thuajse 20 vjet që qeverisen nga partia e zotit Rama. Pra, nëse Rama do kishte hallin e mbetjeve, do duhej që të kishte paditur ish-kryetarët e bashkive të PS-së, duke filluar me veten, xhuxhin, lalat, etj.

Brenda 14 ditësh përlanë 15 milionë  euro pa investuar asnjë fshesë e asnjë kosh plehrash! Merr 30 milionë euro nga shteti e 14 ditë më pas firmos që ta ndërtojë italiani, për veç 15 milionë euro!

– Ju, si i përgjigjeni deklaratës së Kryeministrit Rama, se Ai (Rama) nuk përgjigjet, nuk ka dhe nuk ndjen përgjegjësi (shtetërore dhe penale) për shkeljet prodecuriale në koncesionet e inceneratorëve?

– Rama është përgjegjësi kryesor i vjedhjes së 400 milionë euro me inceneratorët. Nuk do kishte asnjë shans të vidhen këto para, nëse Rama nuk do ishte organizatori direkt i kësaj megaafere. Të gjithë kanë vepruar, duke shkelur ligjet, pasi kanë pasur një presion shumë të madh nga lart. 9 procedura brenda ditës nuk i bën asnjë zyrtar , sado i korruptuar qoftë, përveç atyre që urdhërohen brenda ditës nga Rama, pasi ka ndarë mendjen që të nesërmen t’i japë 22 milionë euro dashnores  24- vjeçare të sekserit  të vet dhe të Ahmetajt.   Për më tepër, ka shkelje të rënda të kontratave të Fierit dhe Tiranës. Kanë përlarë  75 milionë euro, POR kanë investuar veç 12% të shumës që duhej të kishin investuar sipas kontratës! Nëse një palë nuk respekton kontratën, por të vjedhë  88% të fondit që duhet të kish investuar, atëhere hajduti përballet me ligjin e shkon në burg. Po këtu pse nuk vepron Rama? Qenka teknikalitet i parëndësishëm ligji? Nuk ka asnjë socialist që e mbron dot këtë megaaferë, pasi nuk ka asnjë qytetar që nuk e kupton që këtu është direct  vjedhje  makute e Edi Ramës.

-Skandali i inceneratorëve është thjesht, ai pohim i kryeministrit Rama se mund të ketë thjesht shkelje të procedurave?

– Jo, këtu ka vjedhje masive jo një problem procedure. Mjafton veç 1 foto për të treguar makutërinë me vjedhjen. Brenda 14 ditësh përlan 15 milionë  euro pa investuar asnjë fshesë e asnjë kosh plehrash! Merr 30 milionë euro nga shteti e 14 ditë më pas firmos që ta ndërtojë italiani, për veç 15 milionë euro! Pra mbi 1 milionë euro vidhet brenda ditës! Dhe kush të jep garanci se italiani nuk po gjen ndonjë kinez, që të sjellë një kaldajë të thjeshtë e ta bëjë përveç 3 milionë euro?  Kjo, pasi Rama donte të vidhte masivisht dhe shpejt dhe kontrata nuk ka fare asnjë specifikim teknik të llojit të inceneratorit, fuqisë apo emetimeve në ajër. NUK di askush çfarë monstrash do montojnë dhe a janë inceneratorë apo thjesht kaldaja djegëse, që duan që t’i shtohet lëndë djegëse? Çdo incinerator duhet të tregojë (1) sa energy-efficient janë (rikuperojnë para ngaqë prodhojnë shumë energji) dhe (2) sa sistem filtrash të avancuara kanë, domethënë 0 gazra ndotës të emetuar në ajër. Ky i Elbasanit u bë me pjesë. U fol që është thjesht kaldajë, pra duhet të shtosh naftë, t’i djegësh dhe u fol që u mor nga Lugano si incenerator që e kish kryer ciklin, pasi ishte i viteve 70 (end of life) që do duhej të ish çuar për skrap. Italianët e Mërtirit/Zoto morën ca pjesë nga e vjetra e ca pjesë i zëvendesuan me të reja (Siemens), por sot e kësaj dite nuk ka (1) çfarë emetimesh lëshon në ajër, kur djeg plehra (nuk ka asnjë laborator të certifikuar për matje emetimesh në oxhak në Shqipëri) dhe (2) specifikim të qartë të modelit se çfarë inceneratori është, që kushdo të mund ta shohë online se çfarë karakteristikash ka, sa kushton dhe çfarë lëshon. Edhe kur blen një makinë, shitësi edhe dorë e tretë qoftë, të thote kjo është Benz apo Fiat, modeli xy dhe ka zz kuaj fuqi dhe emeton këto gazra në atmosferë. Këta pretendojnë që inceneratorët që do djegin male me plehra e nuk paskan specifikime?!

– Prof. Malltezi, nëse do vemë re, shumë VKM dhe dhënie të PPP dhe tenderave, nuk kanë firmën e Kryeministrit Rama, por firmën e Zvkryeministrit Braçe tani, e më parë të një Zvkryeministres tjetër. Mos hedhja e firmës në PPP dhe VKM që mund të përbëjnë skandale të korrupsionit, e përjashton përgjegjësinë politike dhe penale individuale të kryeministrit Rama?

– Edhe Hitleri apo Goering nuk kishin firmosur letër direkt që të pushkatohet x apo y individ, por kishin udhëhequr gjithë politikën shtetërore në shkelje ligjore, shkelje të çdo standardi a procedure për të realizuar qëllimin e tyre. Ndaj edhe këtu Rama urdhëroi të bëhen procedurat brenda ditës dhe eunukët pa integritet dhe pa profesionalitet ia firmosën në dhunim të ligjit pa asnjë specifikim teknik apo kushte teknike të detyrueshme. PD ka 5 vjet që e ka kapur këtë çështje. Në 2015 (veç 4 muaj pas aferës së parë të Elbasanit) ne kemi mbajtur një takim me shoqërinë civile, akademikët dhe mediat në Elbasan për këtë aferë dhe i kemi treguar ne për herë të parë atë slide të famshëm me 9 procedurat, kinse të kryera brenda ditës! Nëse do kishte shtet ligjor, që atokohë  do kish reaguar dhe reflektuar. Fakti që nuk reflektuan, por shtuan dozën e vjedhjes deri në pështirosje, tregon që është Rama direkt organizatori dhe protektori i kësaj afere.

Ka shkelje të rënda të kontratave të Fierit dhe Tiranës. Kanë përlarë 75 milionë euro, POR kanë investuar veç 12% të shumës që duhej të kishin investuar sipas kontratës

-SPAK- u njoftoi se filloi hetimet për paditë penale që dorëzoi PD për skandalet e inceneratorëve. A ka ndonjë shans, që ky hetim i SPAK-ut për inceneratorët të nxjerrë “të larë” kryeministrin Rama dhe ministrin Ahmetaj, të cilët ju i denonconi?

– Ka disa padi që PD ka depozituar në SPAK dhe nuk ka vepruar. Parku Kombëtar i Dajtit u kthye në gurore për oligarkun e Ramës dhe 6 javë pas depozitimit të padisë për këtë afire, SPAK nuk është deklaruar nëse ka filluar hetimet. SPAK ndodhet në një pozitë të vështirë. Nuk ka asnjë qytetar shqiptar që nuk e di që kjo është afera më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë dhe që këtu janë direkt Rama dhe Ahmetaj që e kanë organizuar, duke përdorur si sekserë Mërtirin dhe Zoton. SPAK-u po ndjek penalisht (dhe shumë mirë po bën) një rryshfet 0.13 milionë euro nga një tender i dyshimtë i OSHEE-së dhe nuk qenka problem, kur vidhen 400 milionë euro? Presioni nga kryetari i opozitës që SPAK-u  të shprehet nëse ka filluar hetimet apo jo, ishte gjëja e duhur, se u shokua i madh e i vogël me këtë megavjedhje, e SPAK-u fshihet si struci? Pati një tentative para disa muajsh nga aktorë të tjerë të dyshimtë që ta ulë nivelin e kësaj afere dhe SPAK-u  menjëherë u gëzua të fillojë hetim për pabarazi në tendera, kur në fakt aty veç tender nuk ka pasur fare. PD e çoi në SPAK për krijim Grupi të Strukturuar Kriminal me organizator Rama-Ahmetaj-Koka, ekzekutorë sekserët Mërtiri-Zoto dhe ndihmës Bllako, me qëllim vjedhjen dhe ndarjen mes tyre të 400 milionë eurove përmes aferave me inceneratorët. Kjo është afera e shekullit në Shqipëri dhe ky është guri i provës për SPAK-un. Do arrijë të hetojë dhe të ngrihet në nivelin e pritshmërise publike, apo do fshihet pas Gaxhoit siç tenton të bëjë me dosjet 339 dhe 184?  Ne kemi dhjetëra dokumente shkeljesh të rënda dhe vjedhjesh pa investuar asnjë lopatë apo kosh mbeturinash dhe do vijojmë të monitorojmë  SPAK-un  deri në fund.

– Faleminderit!

 

 

 

Rama është kapur në vjedhje. Jo një vjedhje ordinere, por vjedhje masive, që nuk ka shqiptar e socialist që e kapërdin dot